Ilmi S. Qazimi: “Sëmundja turistike” e zyrtarëve dhe dhimbjet e gjuhës shqipe

138
Sigal

Telegraf.al / Kemi vite që jetojmë në kohën kur lumenjtë kanë shteruar dhe përrenjtë kanë vërshuar. Mirëpo gjuha shkon ku dhemb dhëmbi. Është fjala për rrezikun që po i kanoset gjuhës shqipe. Gjuha është shkencë, është “lloj gjallese” shpirtërore dhe si tërë të tjerat i nënshtrohet ligjit dialektik të  lëvizjes, ndryshimit, zhvillimit. Dhe fjalët me peshë në këtë zhvillim i ka ecuria e forcave prodhuese, e marrëdhënieve në këtë prodhim të të mirave materiale dhe nivelit të inteligjencës shoqërore, që lind në  epokën që po kalojmë. Tani, dreqi ta marrë, ne kemi hallin se po na ikin, treten, shuhen atdheu, kombi, trualli, e midis tyre edhe gjuha, kurse disa ‘intelektualë’, duke u rrekur të gjejnë origjinën e shqipes, shajnë e bëjnë krahasime krejtësisht vulgare me ndonjë fjalë të stisur sikur e ka thënë Enver Hoxha dikur, diku për dikë!?

Përse qeveria shqiptare nuk punon për mbrojtjen e gjuhës shqipe?

Që të jemi të drejtpërdrejtë, rrokullima e sistemit socialist ka përfshirë fatkeqësisht edhe gjuhën shqipe të folur e të shkruar. Është pjesë e strategjisë  imperialiste amerikane që tok me fundosjen sa më thellë  të komunizmit të groposen edhe asetet themelore e thelbësore të atyre kombeve që kanë pasë aderuar në të. Mos ta humbasim mendjen se kjo është tërësisht reale dhe do të jetë e tillë deri në fund të këtij sistemi, pra të sistemit kapitalist, kur ky të përmbyset me dhunë apo me mjete të tjera shfarosëse. A ju kujtohet nxitimi i pashoq i ministrisë së arsimit (i thënçin) që hoqi gjuhën shqipe nga disa shkolla të niveleve të ndryshme? Që zbriti sasinë e orëve të shqipes duke ia dhënë anglishtes? Po yryshin e pashembullt të tregtisë, të bashkive dhe enteve të sipërmarrjes, të ministrisë së kulturës (i thënçin) në reklamime rrugore dhe mediatike vetëm në gjuhën e shkruar e të folur anglisht? Mjafton vetëm kaq: shikoni në rrugën “Myslim Shyri” në bërthamë të kryeqytetit, ku në të dy anët e saj emërtimet e objekteve dhe të dyqaneve janë të shkruara 92% në gjuhën angleze dhe vetëm 8% në gjuhën shqipe. Gjithkund po kësisoj. Po në Gjirokastër e Sarandë që po bën kërdinë gjuha greke? Deri edhe tek dëshira e kryetarit të qeverisë (S.Berisha, I.Meta , sidomos E.Rama) për të folur anglisht nëpër intervista mediatike kur ligjërisht kanë qenë të detyruar të flisnin në gjuhën e kombit të vet? Kjo ‘dashuri’ e madhe për gjuhën angleze e të gjithë të tillëve e ka burimin tek ndjenja e inferioritetit të ndyrë, e mungesës së krenarisë kombëtare dhe tek deliri i madhështisë. A ju kujtohet se Enver Hoxha, që edhe pse dinte disa gjuhë të huaja, foli vetëm një herë frëngjisht, (në OKB në vitin 1946) dhe vetëm atëherë kur duhej që ta dëgjonin, të mëdhenj e të vegjël, të asaj bote të tromaksur të pasluftës! Dhe realisht u detyruan ta dëgjonin dhe të lëvizin nga vendi, sepse panë dhe dëgjuan se ky truall, se ky komb me emrin Shqipëri, paska zot!? Po pse i pamençur ishte po ai Enver Hoxha, që ideoi dhe organet përkatëse, (paçka se kish politizime brenda këtyre organizimeve), realizuan Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972? Ai Kongres ishte puna më e shkëlqyer që u bë pikërisht atë kohë që i përgjigjej zhvillimit dhe nivelit të përgjithshëm kulturor, ekonomik, ushtarak dhe shkencor të tërësisë së popullatës shqiptare. E lidh problemin e gjuhës me individët drejtues të shtetit tone, sepse roli i tyre, siç dihet tashmë, ka qenë shpesh herë vendimtar, veç të tjerash, sepse tek ne sundon psikologjia e bindjes ndaj Njëshit! Por më kryesorja, sepse, kryetarin e qeverisë, shtetit apo partisë, në punën e tij udhëheqëse, drejtuese e organizuese duhet ta karakterizojnë jo thjeshtë, siç thoshte me aq të drejtë, Gj. Fishta, ’dhelpnija, dredhija, intriga, batakçillëku, rrena, tradhtia’, por sidomos ndershmëria, atdhetaria, burrëria, cilësi këto të dytat, që tek bëmat e kryetarit të tanishëm të qeverisë nuk i shohim kund.

Politika servile e qeverive shqiptare proamerikane e sjellin si detyrim edhe mësimin e anglishtes në shkollë, ndoshta, për t’u bërë më vonë, larg qoftë, edhe gjuhë zyrtare!? Kjo duket qartë se është politikë antishqiptare. Konkretisht tek ne  thuajse të gjitha mediat televizive, organizmat ekonomike e financiare, organet shtetërore, teknologjike dhe politike, preferojnë të flasin e po flasin anglisht. Ndaj nuk duhet të rrimë duarkryq, por të gjithë, intelektualë dhe gjuhëtarë, mësues dhe punëtorë, fshatarë dhe minatorë, media e shkruar dhe ajo televizive, të gjithë ne që quhemi shqiptarë, kudo që jemi, të aktivizohemi me të gjitha mënyrat e të mbrojmë gjuhën tonë amtare, pasaportën e kombit tonë. Është amanet i rilindasve tanë, Naimi, Samiu Avdyli, Fishta, Mjeda, Çajupi etj. Më në fund, pas kaq kohë qeverisjeje, dy vjet më parë kryeministri Rama u kujtua për gjuhën shqipe. Ai tha në Kongresin e Arsimit, se ajo “duhet mbrojtur nga ky kaos gjuhësor dhe komunikativ”. Shyqyr që foli, por a do të bëjë gjë!? Para ca javësh u miratua edhe festa zyrtare e ditës së alfabetit!? Le të shpresojmë edhe pse shpresa, sidomos në të tilla raste, është turbulluesja më e ndotur për mendjen e atyre që e ushqejnë.

Deri kur do heshtim për goditjet vrasëse që po i bëhen gjuhës shqipe?

 

Po flitet shumë këto ditë me të shkrojtur dhe me gojë për gjuhën shqipe dhe origjinën e saj. Jepen lloj-soj etiketimesh, vlerësimesh, hamendësimesh, krahasimesh, madje disa bëjnë edhe konkluzione,  nxjerrin përfundime, deri edhe japin direktiva!? Më pikante qe një peticion drejtuar  atyre institucioneve që e kanë në kompetencë problemin e të diskutuarit të vendit që zë, e rolit që luan gjuha shqipe, në  territorin e banuar nga shqiptarët, gadishull, kontinent e glob! Personalisht jam dakord me kërkesat e atyre aq shumë intelektualëve që kanë nënshkruar atë peticion. Gjendja mund të bëhet edhe më tronditëse po qe se nuk vë dorë shteti shqiptar. Kjo, sepse qoftë edhe vetëm nga aksioma që ‘sa më shumë të ekspozohesh duke ngrënë, aq më shumë je i vetekspozuar për t’u ngrënë, është e kuptueshme që gjuha jonë e ka vendin dhe rolin e saj, të cilin pararendësit tanë, shkencëtarë shqiptarë dhe të huaj albanologë e kanë përcaktuar bukur. Studimet e tyre mund të thellohen, pasurohen, por jo të hidhen poshtë. Nuk mbeti kjo “dilemë” të vendoset nga një inxhinier nafte apo një llogaritar ndërmarrjeje apo më keq nga një amator, që di të nxjerrë nga goja vetëm budallallëqe, që nuk i mban asnjë lloj kandari!? Janë studimet e mirëfillta shkencore dhjetra e qindravjeçare të njerëzve specialistë e të profilizuar, të fushës së gjuhësisë, ato që japin përfundime të sakta për atë që ka qenë, atë që është dhe se cilat janë prirjet që ka zhvillimi i gjuhës shqipe. Shkrimet e veçanta të disa gjuhëtarëve kanë mbetur si një zë në shkretëtirë. Ndaj shteti me organizmat e veta duhet t’iu vërë fre edhe amatorizmit, edhe tradhtisë (kjo vetëm me dënim ligjor) si dhe amullisë apo indiferentizmit në trajtimin e problemeve gjuhësore në të shkruar dhe median televizive. Nuk ka se si të mos jemi dakord edhe me mendimin se Akademia e Shkencave në këtë drejtim deri tani ka rol aq të mekur sa thuajse nuk ka fare ndikim! Përse nuk funksionon kjo Akademi edhe për gjuhën shqipe? E drejtë është veçanërisht kërkesa që ta ruajmë shqipen nga goditjet e politikave të fqinjësisë jo dashamirëse, por zullumqare, zaptuese e nënshtruese greke e serbe si dhe nga segmente të caktuara shoqërore e qeveritare apo psedudoshkencore vendase. Kjo e fundit është tepër e rëndësishme. Por tani jemi në fazën”unë po them ja ujku, kurse ti më tregon gjurmët!”Që të jemi  sa më pranë së vërtetës, kryeministri ynë e ka mendjen gjetiu e jo te gjuha shqipe. Atij i është bërë mendja turizëm, turistë dhe aktivitete turistike. Le ta lexojmë me vëmendje se ç’ka thënë ai para dy vitesh:“Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në botë. Shkalla jonë e krimit është më e mirë se Britania e Madhe, Greqia apo Italia dhe sigurisht SHBA, me një nga normat më të ulëta të vrasjeve në Evropë. Industria e turizmit duhet të investojë, sepse natyra dhe brigjet të lënë pa frymë. Dhe pensionistët gjermanë duhet të vijnë këtu për të kaluar pleqërinë e tyre buzë detit. Sipas një thënieje të vjetër, “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Para ca kohësh këtë e tha në Itali; para pak ditësh e përsëriti në Turqi e Angli…Kështu i bën ftesat kryeministri ynë, reklamuesi më i zellshëm i ekspozimit të bukurive shqiptare dhe shitjes së tyre pjesë-pjesë. Nga sa kemi parë, këto thënie i ngjajnë shumë veprimit të deputetit F.Nokës kur u hedh  rojeve të gardës hi, miell e pluhur syve. Qartazi duket se kryetarit të qeverisë nuk i duhet gjë se ç’po bëhet me gjuhën shqipe, me shkollat, me blegtorët e me fshatarët, me largimin e rinisë dhe  mbushjen e boshllëkut me banorë e familje nga 28 kombësi të globit, me goditjet e idenditetit tonë kombëtar.

Për ta mbyllur: për një vit tek ne hyjnë dhjetë milion turistë! Tani numurohen disa mijra të huaj që jetojnë e punojnë këtu se është më mirë se gjetkë. Njëherazi për një muaj ‘vdesin’ dhjetë fjalë shqip dhe zëvendësohen me fjalë të huaja. Për një vit vdesin dhjetë struktura fjalish shqip, sepse eklipsohen nga strukturat e të folurit global të gjuhës angleze për të mos u dukur më. Këtë e bëjnë vetë shqiptarët e këtushëm të joshur nga amerikanizimi i jetës dhe nga heshtja vrasëse e qeverisë. Shtoji kësaj katrahure edhe çaprashitjet e politikës qeveritare e opozitare, pamundësitë e të huajve për të mësuar shqip, bastardimin e teksteve shkollore, sulmin e gjuhës angleze me anë të medias vizive etj. Z.Kryetar i qeverisë, a punove për forcimin e Shqipërisë dhe  gjuhën shqipe apo favorizove të huajtë dhe pushtuesit? Ama, kur dëgjoja një ditë në një orë mësimore që   mësuese Shqiponja u thoshte nxënësve:” Gjuha shqipe ruhet e saktë, kur shkruhet qartë. Gjuha shqipe mësohet mirë, kur lexohet lirë”, m’u bë zemra mal. M’u shtua optimizmi se  gjuha shqipe do t’i përballojë goditjet, që i vijnë nga tërë anët, në kohën e sotme të globalizmit gllabërues pa shkuar kurrë në frymën e saj të fundit.