Ilmi S. Qazimi: Nuk e ka fjalori, por e vendos drejtori

71
Sigal

Pas vitit 1990 ne banorët e Shqipërisë nisëm të firojmë nga largimet. Nëpër emisione televizive antikombëtare kjo quhet fitore, sepse, sipas tyre është rrjedhshmëri objektive e tërë jetës shqiptare; se populli ynë gjithnjë paska emigruar për punë, kulturë e pasurim… Broçkulla propagandistike! Vetëm si rezultat i dyndjeve pushtuese e barbarizmave të të huajve shqiptarët janë shpërngulur e larguar, për të shpëtuar familjen e përsëri shumica janë kthyer. Këtë tregojnë shifrat e faktet e shekujve.Por këto tridhjet vite është bërë përpunim total i gjithllojshëm i njerëzve që të ikin, të largohen. Këtë e bëjnë zellshëm qeveritë e Berishës dhe Ramës. Firot po shtohen edhe më tepër me hapa galopante. Mirëpo boshllëk nuk ka e nuk mund të ketë,sepse po u prish ekuilibri,  po u tejkalua masa, dëmtohet rëndë cilësia,prishet uniteti, pra vjen shthurja e shpërbërja për të nisur një unitet i ri. Pa u kuptuar boshllëku po mbushet me shtetas të huaj nga mbi 29 kombësi thuajse nga tërë kontinentet. Po ndodh tek ne, me kombin tonë të stërlashtë, me gjuhën tonë të mrekullueshme shqipe, me territorin tonë, Shqipërinë që është caktuar me këtë emër , në këtë  tokë ku ngroh  e ndrit dielli “që kur bota është zënë” -siç thanë patriotët tanë të rilindjes kombëtare.

Pjesë e propagandës antikombëtare e Edi Ramës

Në kllapa dua të theksoj se ky lloj kryeministri që kemi prej 14 vjetësh, me djallëzi të injektuar në mendimet e tij nga bota e kapitalit, ka çorientuar jo pak njerëz me shumë etiketime dhe veprime,(që i quan të tëra “vepra e partisë socialiste”), që ia atribuon qeverisjes; sidomos me ‘rilindjen’ që premtoi, gjoja, pas rënies së Berishës! Dhe tani, meqenëse edhe nëpër librat shkollorë Rilindja Kombëtare  është zbehur së tepërmi, shumë shqiptarëve të moshave të reja kur u kujton Rilindjen e kohës së Naim Frashërit, e ngatërrojnë me ‘rilindjen’ e ashtuquajtur të Edi Ramës dhe të largohen, në vend që të të afrohen! A nuk e shihni këtë si largim nga e vërteta historike, një tjetërsim psikologjik, arsimor, që synon të dezinformojë brezat e rinj? Është e vërtetë se shumë intelektualë  atdhetarë , madje edhe jo të tillë e kanë kritikuar, shpërfillur dhe poshtëruar këtë teorinë e ‘rilindjes ala-Rama’, por qeveria ka aq shumë ingranazhe të keqmbërthyera  sa është zor të hiqet menjëherë ndryshku.

Në vitet e zjarrta e të begata të sistemit socialist-në atë nivel aq sa e si ishte pasuria kombëtare, zhvillimi  proporcional dhe i planifikuar i ekonomisë, kulturës dhe mbrojtjes, dhe mirëqenia e barabartë për tërë shqiptarët- ishte rrënjosur dashuria për punën, për çfardo lloj pune të dobishme shoqërore. Dënohej me ligj parazitizmi dhe mospranimi i punëve të ofruara. Sot kemi arritur paradigmën tragjike, kur i riu dhe e reja deklarojnë bujshëm:” nuk duam të punojmë këtu në atdhe për Shqipërinë!” Kjo tingëllon si tmerr i vërtetë! Në atë kohë që në Shqipëri u ndërtua socializmi, nuk kishte internet dhe celular, por kishte elektrifikim, radio e televizor që prodhoheshin në vend. Dijet dhe gjithë dituritë për jetesë, moral, punë, prodhim e zhvillim merreshin të sistemuara nga librat, shkollat, shkenca e huaj dhe ajo vendase, me një drejtim të centralizuar e të kontrolluar. U sigurua buka dhe mbrojtja në vend. U arritën ato suksese të papara në kulturë e edukim. Tani thuajse është larguar njeriu ynë nga libri se “botën e gjen në celular”. Njerëzit tanë janë  larguar nga morali shqiptar, se paskësh qenë komunist dhe  revolucionar dhe  janë përqafuar me imoralitetin më  të ndotur me fëlliqsira kafshërore që në disa aspekte ia kalon edhe Amerikës edhe Tajlandës. A nuk e shihni këtë si nga tragjeditë më të madhe se të tjerat? Edi Rama në Lezhë thotë botërisht:” tani do të flas italisht se këtu jemi në territor italian!” Pra e ligjëroi shitjen e tokës shqiptare. Kujt i duhej që ai të fliste italisht veçse ustait të vet ku ai është ankoruar si antishqiptar? Përse duhej të thoshte” territor italian”xhanëm? Qeverinë pra, ne nuk e kemi shqiptare deri sa kryetari i saj e quan italian një territor të mirëfilltë shqiptar prej mijra shekujsh! Me sa duket, kjo fjali e koduar i ka treguar ustait se ‘detyrën e kreva më sukses’! Këto tregues po e shterojnë keqas ndërgjegjen kombëtare të shumë individëve duke i larguar ata nga të qenit shqiptarë.

Korrupsioni plaga kanceroze e shoqërisë së sotme shqiptare

Na duhet të themi, me keqardhje të thellë se largimet nga vendlindja, largësitë e të konceptuarit të jetës ideale dhe praktike dhe largesat maskuese prej virtytit drejt vesit, janë shtuar aq shumë sa na kanë tjetërsuar deri thellë vetveten, individin e quajtur shqiptar, familjen, fshatin, rrethin, qytetin, kryeqytetin dhe tërë vendin. Polarizim, varfëri e skajshme për shumicën dhe pasurim i çmendur për disa me korrupsion, vjedhje, mashtrime dhe krime. Më thosh një gjuhëtar se në fjalorin shqip-shqip viti 1980, botim i Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, faqe 873 nuk egziston asfare fjala KORRUPSION. Kjo, jo se historianët e gjuhës dhe përpiluesit e fjalorit e kanë harruar, por për arsye farë të thjeshtë se, realisht në atë periudhë 1945-1985 nuk ekzistonte praktikisht një dukuri e tillë. Në shoqëri, në familje, në qeveri, në parti nuk  kishte shenja KORRUPSIONI. Ne mbi shtatëdhjetëvjeçarët atë kohë që ka marrë emrin e merituar, ’Koha e Enverit’, e kemi jetuar dhe e themi me plot gojën se nuk kishte korrupsion. Veçse, çuditërisht aty, në atë fjalor, shpjegohet vetëm fjala ‘korruptoj’ si vijon: “e prish dikë nga ana morale me anë dhuratash e ryshfetesh që të shkelë ligjet dhe të më shërbejë mua, -karakteristike kjo për vendet borgjeze.” Sipas këtij shpjegimi ne, tani paskemi hyrë në kategorinë e vendeve borgjeze.’Fitore’!?A nuk e shihni se si jemi tjetërsuar? Fjala “korrupsion”, nuk është në fjalorin shqip-shqip të vitit 1980,sot, ka 20 vjet që është kthyer në kryefjalë të jetës së përditshme juridike, politike, meditaike dhe të kujtdo që jeton këtu. Pra nuk e ka fjalori, por e vendos drejtori.

Kujtoj se në dyqanin e shitblerjes së fshatlindjes sime, një ditë befas erdhi një kontrollues (asikohe quhej revizor) nga seksioni i tregtisë së rrethit dhe shitësit S.Z.  në inventarin kontrollues për tetëdhjet e shtatë artikuj, i gjeti një kg sheqer tepër (atëhere sheqeri nuk shitej i paketuar) dhe një litër vajguri mangut. Shifra e lekëve të defiçitit dhe të syfiçitit në fjalë iu mbajt nga paga mujore. Revizori piu një gotë raki (se kafe atëkohë nuk gjeje kudo, siç ka tani me qindra lloj surrogaturinash, me këtë emër), si shqiptarë bashkë me shitësin dhe iku në punën e vet. Pas vitit 1990 deri në vitin 1994, ndryshuan të gjitha: mënyra e prodhimit, mënyra e shpërndarjes dhe mënyra e përvetësimit. Erdhën drejtorë të rinj. Erdhën qeveritarë bij ish-komunistësh, llojsoj alabakësh, injorantësh dhe hajdutë, të etur për vjedhje, që reklamuan deri në qiell ekonominë e tregut, etj. etj. Hydajeti, rrëfente se ato vite ishin të arta për të vjedhur.”Unë-thosha-rrija në shtëpi dhe merja rrogën e plotë, ndërsa kur delja në punë merrja edhe dietë. Ama për ditë vidhej e vidhej jo vetëm në Shkodrën time, por në tërë Shqipërinë”. Dolën ligje të reja, metoda të reja pune, udhëheqës të rinj ku spikati S.Berisha e kompani. Të huajtë erdhën me kompani dhe gjetën shesh e bënë përshesh. Lleshi, një miku im i kahershëm, aty nga viti 1995 kur filloi përdorimi  më i dendur i fjalës ‘korrupsion’, me dituritë e tij prej malësori të shkolluar shpjegonte ‘etimologjinë’ e saj. Ai thosh se”korrupsion “ do të thotë: “korri opsionet që të jepen për të mbushur xhepin”. Dhe vazhdonte:’ opsione të tilla ka me miliona. Detyra jote, kushdoqofsh ti, dhe kudo që të jesh në rreshtin shoqëror të kapitalizmit, është që t’i gjesh dhe t’i korrësh i pari dhe me intuitë të lartë. Pasurohu, ani se si arrite atë pasuri!” Kurse Nardi, një intelektual i edukuar me ideale komuniste më pati thënë: “E ku e njihnim ne korrupsionin në Shqipëri deri në vitin 1985? Atë na i solli Amerika dhe Europa”. Dhe e mbyllte fjalën ai: “po të ketë burrë atdhetar në krye të qeverisë, këto marrëzira do të ishin shmangur sadopak dhe nuk do të vinte puna deri në këtë gjendje. Shqipëria është tejet e pasur, por duke ua shitur të huajve, ne po e dorëzojmë veten te globalizmi gllabërues.”Edhe SPAK-u mund të bëjë shumë, por duhen edhe atje burra të plotë, të cilët  mbi të gjitha të jenë atdhetarë që t’i dhimbset Shqipëria.