Ilmi S.QAZIMI: Maskë globale apo zgjidhje reale?

284
Sigal

Kryetar Edi Rama dhe prof. F.Tarifa  qenkan afganë?!-

Duke e nisur bisedën shoqërore replikuese me shkrim në këtë mënyrë, paraprakisht i kërkoj leje lexuesit, kushdoqoftë ai, se nuk dua të fyej askënd e ca më pak  një afgan apo një profesor si  djalin tonë, 67 vjeç, shqiptar me kombësi, F.Tarifa, i cili boton një shkrim në media,me nivel të lartë  propagandistik, me titull skajshmërisht global: “Të gjithë jemi afganë!” Së pari, mësova nga shkrimi i profesorit tonë të dashuruar pas Amerikës, shumë gjëra që  kanë të bëjnë me kujtesën e sotme, atë të 50 viteve të shkuara të përjetuar dhe atë, që të tërë, pra edhe profesori, kemi lexuar nga librat, e kemi parë ndër filma për shekujt e kaluar njerëzorë e natyrorë. Së syti, më bëri përshtypje se ai, në shkrimin e tij tejet  të prirur për të lavdëruar e lartësuar globalizmin , humanizmin, njerëzimin etj. në kolonën e dytë, nis  me përmendjen e emrave të tillë si Karl Marks (ai e shkruan Marx), Roza Luksemburg, e deri tek Xhon F. Kenedi (ai e shkruan John F.Kennedy). Dhe tregon me modesti se ata kanë bërë thagmë , (duke lënë këtë të kuptohet prej lexuesit) edhe në drejtim të  përkrahjes së zhvillimit globalist të njerëzimit duke iu referuar e  drejtuar më shumë se kujtdo tjetër aspektit teorik, njohjes dhe  mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Problemet e kulturës kozmopolite dhe mjaft lëvizjeve të  tjera shoqëruese ndër disa dhjetravjeçarë, profesori i tregon “si një domosdoshmëri për të gjetur një zgjidhje globale problemeve globale, të mbështetura jo në dhunën, por në dialogun…” Të ulësh kaq poshtë emrin e K.Marksit nuk është as në nderin e as në kulturën e profesorit tonë. Këtë ‘domosdoshmëri’ e shprehin sigurisht Zh.Pol Sartri a të tjerë filozofë të borgjezisë (po nuk pëlqehet kjo fjalë, themi tjetrën), kapitalizmit dhe  klikave sunduese të botës së sotme.Them’ klika’ sepse asnjë qeveri aktuale nuk është përkrahëse e vërtetë e popullit të vet, mbasi sundon kapitali e jo barazia. Prof. Fatosi  rreket që të argumentojë se përse edhe “ne jemi afganë”, që edhe ne, shqiptarët de, vuajmë e përjetojmë shqetësimet e hallet e tyre, se edhe ne e ndiejmë shpirtërisht gjendjen e tyre të mjeruar të  këtyre ditëve plot tmerr e terr në atë vend etj. Sepse kështu  edhe ne  “evokojmë një traditë  intelektuale  emancipuese”, mbasi edhe ne  punojmë për “respektimin e dallimin e dinjitetit të çdo grupi shoqëror”, sepse  të tëra këto e tjera “arrihen vetëm përmes emancipimit të përgjithshëm shoqëror”. E kuptuat ju se ku e ka fjalën profesori? Po qe se po, ju lumtë! Kryetar Edi Rama, të paktën e tha troç,”ne kemi qenë afganë dikur”! Pastaj profesori thotë se “kriza afgane është krizë e të gjithë njerëzimit”(!?) dhe se “Shqipëria ka përgjegjësinë dhe detyrimet e veta në përballimin e kësaj krize”(!?) Kujdes këtu! Ne paskemi përgjegjësitë tona, kurse amerikanëve, rusëve, kinezëve, që ndajnë realisht botën në parcela pronësie, as që iu del emri gjëkundi në shkrimin  në fjalë. Përkundrazi sillet shembulli se si Kenedi, ish-president amerikan, dikur kur u hoq muri i Berinit, kryeqyteti gjerman, paska thënë “edhe unë jam berlinez!”, fjali kjo që qenka bërë frymëzim për tërë botën, fjali me efekt universal “për refuzimin e çdo fryme përjashtimi në shoqëri!”  Edhe këtë e kuptuat besoj! Aq shumë thellë paska ndikuar kjo fjali në vite sa që një autor në gazetën franceze ‘Le Monde’ të nesërmen e 11 shtatorit të zi kur u sulmuan dy kullat  binjake amerikane, paska thënë “Ne të gjithë jemi amerikanë!” Madje edhe sot, në këtë jehonë mjegullore edhe kryetar Edi, pretendues i politikës së madhe, edhe prof.Fatosi, mbrojtës i globalizmit  thonë “ne (ishim) jemi afganë”! Pse nuk denjon, profesori ynë, që t’ i referohet të madhit tonë Sami Frashëri kur ai flet për kombet e vegjël e të mëdhenj, apo Rexhep Qoses? Sa për  Enver Hoxhën, i vetmi politikan drejtues shteti i asaj kohe, që e ka  përshkruar në  detaje bindëse, analitike, objektive, shkencore gjendjen në Afganistanin e vitit 1979, profesori nuk ka aspak ndërmend që ta përmendë! Pse-në e di ai. Përse nuk i shkon mendja profesorit që të thotë të vërtetën e madhe se sot Afganistani, me një popullsi 31 milion banorë, po lufton të shporrë edhe këmbën e fundit amerikan nga vendi, me mënyrën e vet të dhunshme, sepse i ka vajtur thika në palcë, me qëllim që pastaj  të jetojë si komb i pavarur, i lirë, pa pushtues të huaj? Kjo që them nuk është këndshikim i thjeshtë anakronik, por e vërtetë e thjeshtë verbuese. Përse nuk pronocohet të thotë diçka më konkrete për pritjen që ne duhet t’u bëjmë atyre që janë planifikuar të vijnë tek ne për strehim apo azil politik, ndërkohë që shumë shtete europiane i refuzojnë? Shkrimi i profesorit, i ngjan shumë kuptimit të tretë sarkastik të asaj shprehjes popullore shqiptare” hajdeni moj shoqe më qani ju burrin që më vdiq, se unë do të shkoj në një dasmë!”