Ilmi S. Qazimi: Kemi shkolla, por nuk kemi nxënës

Fillimi i këtij viti shkollor na tronditi rëndë me shifrat, faktet, informacionet, ngjarjet e përditshme në mbarë vendin. Ndër 38 universitetet e sotme të Shqipërisë, as gjysma e tyre nuk përmbushin kriteret, sepse nuk ka studentë, ndaj edhe afër 50% të  programeve të tyre ‘asgjësohen’ dhe kështu që institucioni më i lartë arsimor, realisht kthehet në një gjimnaz disi të përparuar!? Madje shkon drejt mbylljes së derës. Dhe dihet se po u mbyll dera e shkollës, do të hapet dera e burgut. Në sasinë e studentëve që hyjnë në universitet, shumica nuk duan të punojnë më në Shqipëri!? O tmerr i vërtetë! Qeveria nxjerr vendime ‘për vendime’ që të punojnë këtu pesë vjet e pastaj le të shkojnë ku të duan!? Po pse qeveri kombëtare është kjo? E vetmja rrugëzgjidhje është ngritja e pagës, garantimi i vendit të punës dhe përmirësimi i kushteve të jetesës e të punës. Është antinjerëzore që deputeti (dhe janë 140 të tillë!) ta ketë pagën katër-pesë fish më të madhe se mjeku! Ndërtesa me destinacion shkollor po bëhen gjithkund në kryeqytet, por asnjë në fshat. Edhe ato që ishin, janë kthyer në depo drush, stalla kuajsh, strehë për kafshë të buta e të egra. Kësisoj na janë zbehur së tepërmi shpresat për të ardhmen. Shikoni këtë foto që e ka shkrepur K.Koçumi në vitin 2021.

Kjo është ndërtesë shumë e bukur, e Shkollës së mesme të Çepanit. Ndërtuar në vitin 1985. Kur Çepani ishte ‘qytezë e vogël’ kjo ndërtesë mbante, mësonte, edukonte, kaliste dhe përgatiste kuadro të mesëm 486 nxënës. Drejtor ishte Muharrem Abazi për gati një çerek shekulli. Ishin 28 mësues për të tre ciklet, për  nxënësit e ditës dhe të mbrëmjes. Sot është vetëm godina trekatëshe. Pa nxënës. Pa mësues. Pa oborr. Pa bazë materiale mësimore. Pa hyrje. Pa fole dallëndyshesh nën strehë. Tek porta e saj e dikurshme është ende pllaka e mermertë, vendosur nga Kryesia e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Çepani”, ku thuhet se kjo shkollë në Çepan u themelua në vitin 1913 me porosi të Ismail Qemalit. Dhe  në fshat tani punojnë duke pleqëruar me çapat e tyre të ngadalta drejt varrezave vetëm 29 plaka e 27 pleq. Kështu si në këtë fshat është gjëndja edhe në  mbi 80% të fshatrave të të gjithë vendit tonë që dikur , në periudhën 1945-1990 gumëzhinin nga zërat e fëmijëve, uturimat e traktorëve e makinave korrëse dhe nga aktivitetet  sportive e kulturore. Dikur thuhej:  “Shkolla pa disiplinë është si mulliri pa ujë”. Tani na mbetet për të thënë: Ç’e do shkollën ç’e do gjënë, kur s’ke fëmijë për të nxënë!?” Të krijohet përshtypja sikur qeveritë postkomuniste, posaçërisht kjo e Edi Ramës, arsimimin, edukimin dhe popullimin e Shqipërisë po e shpien në zgrip të ekzistencës kombëtare. A ka tradhti më të rëndë se kaq ndaj popullit që të ka dhënë votëbesimin?

Sigal