-rrëfenjë e përjetuar dhe pa zbukurim-
Këta të dy ministrat “tanë” që na premtuan punë, “punuan”. Punuan ‘fort’ që të bënin shtet. Atë shtetin që na premtuan.Atë shtetin që duam ne që ua japim votën. Po ku është shteti? Tani, njëri syresh dhe tjetri gati, një atje më tej, e njëra më lart, -hyjnë e dalin nga SPAK-u të shoqëruar me polic dhe mbulojnë prangat me xhaketë. Nuk duhet të kënaqemi kur dikush shkon në burg. Por unë dhe bashkëshortja ime, në fakt, jemi të kënaqur.

Nuk rri dot pa e thënë këtë që më ka ndodhur mua. Por jam i sigurt se u ka ndodhur kështu si mua edhe qindra të tjerëve. Edhe ju që po më lexoni. Sepse kjo është një dukuri shoqërore tashmë e gjërë. Por ju lutem merrni parasysh edhe diçka të vogël: po shkruaj unë që ju kam “vjedhur ju me ligj!”Në shtator të vitit 2012 dola nga puna se më nxorrën e jo se doja unë. Shkaku ishte “ligjor”. Diku në një nen të pa shkruar të tij thuhej: “…kështu duam ne, ne që jemi në pushtet; ti nuk na duhesh më, dil në rrugë, se po na pengon shumë…”Për fat të keq, në maj 2013, pra pas nëntë muajsh, e larguan edhe bashkëshorten time nga puna. Drejtori i institucionit ku ajo punonte, aderonte në Partinë për drejtësi,integrim e unitet, e cila ishte në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike. Ishte koha kur po shkohej drejt zgjedhjeve të qershorit 2013. E ndjenin, fundin e tyre. E dinin se do iknin nga karriget dollarësjellëse dhe ndaj po zbatonin atë formulën e mirënjohur “kap ç’të kapësh; vidh ç’të vjedhësh; merr çfarë të marrësh”. Po bënin si ua thoshte koka e trubullt.
Pas shumë përpjekjesh, me miq e me shokë për ta takuar këtë drejtorin e institucionit ku kish qenë në punë bashkëshortja ime.Mbas ditë-netësh gjithë ankth, arrita të flas me të. Biseda në atë zyrë ishte sa komike aq dramatike. Të dyja këto i përjetoja unë më shumë se sa ai. Por ai, drejtori, ishte’ kaluar’. Unë isha ‘në këmbë’. Ja se si më tha ai: “Tani unë e bëra këtë proçkë. E pushova gruan tënde nga puna.A e di pse?” Dhe pa pritur përgjigje vijoi qetë-qetë: “ sepse doja që të fusja në punë një njeriun tim. Më kupton? Njeriun tim! Kështu do bëje edhe ti po të ishe në vendin tim! Apo jo?” Dhe pa pritur që të flisja unë, vazhdoi:”Hidhmë në gjyq! Mua nuk më bëhet vonë. Gjyqin do ta fitosh ti. Atëherë përse vjen tek unë e ankohesh kur e ke të sigurt se gjyqin do ta fitosh? Ëëëë? Prandaj nuk ke përse të ankohesh!? “ Po dëgjoja i llahtarisur! Ishin fjali që kurrë nuk i pata as imagjinuar e as menduar, ndaj edhe nuk i besova atij lloj drejtori. Po ai, ama ishte tejet i qeshur, ‘i përzemërt’ dhe i sigurtë në ato që thosh. U largova, sepse ai e mbylli kapakun e bisedës. Çfarë të bëja? Çfarë t’i thosha?

Më lindi një shpresë pas 13 qershorit kur ata që më hoqën gruan nga puna humbën pushtetin; dhe këta të palës tjetër, më të moderuarit në vjedhje, fituan kolltukët. Me shumë naivitet, me shumë shpresë nisa të lëviz e të kërkoja drejtësi. Në hollin e zyrave të Partisë Socialiste takuam ministrin e gjatë e të plotë Ilir Beqja. Ai nuk kishte kohë, por në ecje e sipër, me “edukatë”, na dëgjoi kur ne ishim duke i qarë hallin e madh se jemi të dy pa punë, dhe triumfalisht na tha:“Këtë urdhrin e largimit nga puna do na e sillni sapo të formohet Qeveria. Do vemë drejtësi! Pa diskutim!”M’u kujtua mësuesi dhe komisari me Mazllëmin tek filmi shqiptar aq bukur i realizuar “I teti në Bronx” kur thuhen afërsisht këto fjalë: “Merre këtë letër, kur të çlirohet Shqipëria; hajde e na tako e të të japim hakun.” Kështu i thanë Mazllëmit, për kripën e tij që ata, partizanët, pasi ia konfiskuan, ua shpërndanë grave të fshatit pa lekë. Mos do më ndodhë edhe mua kështu -thashë me vete, por nuk i bëzajta bashkëshortes se asaj i ka ardhur shpirti në majë të hundës.
U formua qeveria dhe nisi të nxjerrë urdhra, vendime e akte normative…U gëzova se shpresoja që do të kemi drejtësi. Nuk më pati vajtur mendja tek ajo thënia profetike e njeriut tonë të madh Dritëro Agolli :”vetëm të shpresosh do të thotë të ngrohesh me dritën e yjeve!”Ne kërkonim ende drejtësi zyrë më zyrë të partisë ‘sonë’ që erdhi në pushtet!
Ministër i asaj fushe ku përfshihej kërkesa jonë që të nisnim punë në ndonjë sektor të mundshëm, u bë ai ‘nëntëdhjetenëndshi’ , që siç thoshin ato ditë se ‘dikur kishte shitur fiq!’
Kërkesat tona për takim me njerëzit e administratës merrnin vetëm një përgjigje: ka shumë punë dhe s’e takoni dot. Vendosëm që të shkelnim ligjin, do t’i zinim rrugën ministrit; pikërisht atë copëz rrugë që i mbetej atij të çapiste nga vetura luksoze gjer te dera e zyrës. E ku nuk të shpie halli?! Një ditë me mjegull, i zumë rrugën në hyrje të një institucioni ku ai po shkonte të ndante supë për të moshuarit. Vetëm atje mundëm ta kapnim, sepse ai çoku edhe pozonte dhe lëvizte në këmbë, me autobus.etj. Kështu e ashtu i thamë duke ia qarë hallin. Na dëgjoi sa kokëulur e aq veshmprehur dhe më në fund ia plasi:”Keni shumë të drejtë!” Mori frymë dhe vijoi:”Por na prisni ca. T’i marrim me radhë. Do bëjmë apo nuk do bëjmë shtet?!”“Po mirë!”- thamë ne. Dhe pritëm. Por pritja po zgjaste, nuk kishim ç’të hanim. Dhe ikëm. Ikëm në emigrim. Në emigracion unë nisa punën si ndihmës bojaxhi brenda javës kurse ime shoqe, me arsim të lartë (si dhe unë) mezi u rregullua fshesaxhije në një pulari.
Një natë duke biseduar pyetëm vetveten: po pse nuk vajtëm tek deputeti që na mbulon ne si lagje? Ah, ta dish ti se si i zgjidh ai hallet e popullit, do habitesh. Ja: një ditë kur kthehej nga seanca plenare, ‘i lodhur e i dërmuar’në një kthinë trotuari i zuri syri shokun e tij të fëmijërisë që po shiste libra. E takoi me bujari dhe e befasoi:”po pse, more maskarenjtë e djathtë këtu të paskan katandisur?” dhe vijoi për t’i dhënë kurajo mikut të vet:”Mos u mërzit, Loni, sa të vijmë ne të majtët në pushtet, ti do të kesh vendin tënd në ministri. Erdhën në pushtet. Loni rrojti, shiti libra dhe u harrua. Deputeti ‘rruajti’, jetoi nëpër resorte dhe nuk e pa kurrë më Lonin. Gruaja më tha: “mos ia pafshim sytë! I harxhoftë spitaleve ato që vodhi!”
Këta të dy ministrat “tanë” që na premtuan punë, “punuan”. Punuan ‘fort’ që të bënin shtet. Atë shtetin që na premtuan. Atë shtetin që duam ne që ua japim votën.Po ku është shteti?
Tani, njëri syresh dhe tjetri gati, një atje më tej, e njëra më lart,-hyjnë e dalin nga SPAK-u të shoqëruar me polic dhe mbulojnë prangat me xhaketë …Nuk duhet të kënaqemi kur dikush shkon në burg. Por unë dhe bashkëshortja ime, në fakt, jemi të kënaqur.
Më falni se për pak harrova: E hodhëm në gjyq institucionin që pushoi bashkëshorten nga puna. Zgjati ca, gjashtë vjet e tetë muaj, dhe,( për fat,për meritë, apo për hesap të dikujt) e fituam gjyqin. Ato ditë që endeshim nëpër dyer të gjykatës takuam atë drejtorin që aderonte në partinë për drejtësi, integrim e unitet (që në fakt duhet lexuar: padrejtësi, përjashtim dhe përçarje). Atë e kishin pushuar nga puna ata që erdhën në pushtet pas qershorit 2013. Dhe ai kërkonte tani drejtësi e po endej dyerve të fitonte gjyqin. Jeta është dollap,-thonë në Shkodër.Siç na i bëri ne, e pësoi për vete. Nuk mund të mos e takoja. Në jemi bashkëkombas e jo armiq. Në fakt zemra më thosh që ta ofendoja, por arsyea nuk më lejoi. ‘Nuk të mbaj mend’ -më tha kur i dhashë dorën për ta takuar. “S’ ka problem”,- i thamë.” Ti nuk mban mend, por ne nuk të harrojmë”. Ai me mburrjen si gjeli në majë të plehut, me një maskë hipokrizije tepër cinike u rrëfye:”Nuk kam problem lekët , se unë jam profesor në një Universitet privat . Por nuk ishte e drejtë që më pushuan nga puna!?!“Mbase gjen ndonjë mik dhe e fiton gjyqin,”-i thamë ne. I dashur lexues, të kujtoj që për ato lekë që mori bashkëshortja ime dhe ato që (patjetër) do të ketë marrë ai drejtori pa integritet, keni paguar dhe paguani, ju të gjithë.Edhe unë.






















