Ilirian Ballaj: Fshatrat e Lumit të Vlorës vuajnë rrugët anësore që lidhen me 24 fshatrat

154
Sigal

-Mbase na vjen rruga automobilistike edhe ne këtej nga Smokthina, të jetojmë edhe ne si të tjerët!

– Në rrugën Varritavë-Ramicë rruga është plot rrezik buzë shkëmbijve, sheh një trase gurësh e balte, plot të thelluara e vija uji mes saj, plot gunga.

– Nuk kam qenë ndonjëherë në malet e Tora Borës, në Afganistan, por malet e Smokthinës me to më ngjajnë.

 

Erërat e marra të kohëve, që shfrynin  bulçijtë si Poseidone, e përplasën Smokthinën (zonë) për shkëmbi për ta thërmuar, por ajo, si shqiponja, nguli kthetrat e u mbërthye pas tij,  madje ngriti aty  folenë, hapi flatrat e iu lëshua luginës duke i qëndruar mbi krye. Kur donte freski ngjitej në Tartar e kur i pihej ujë zbriste në Shushicë, kur frynin erëra  hapte krahët e qëndronte pa lëvizur si për të thënë: jam këtu, do të “ha pak, që të kem” (HAPARCEA, mozaiku i saj), dhe këtu do të jem, me sot e me mot. Për nga shpellat pellazgjike një Tora Borë ekzotike, e për nga rrugët sot, një e tillë aktuale, copë-copë e të lëna në harresë.Me gjithë atë madhështia e saj e ha bukën aty.

Nuk kam qenë ndonjëherë në malet e Tora Borës, në Afganistan, por kam imazhet,  që përcillen për të,  me  malet që zotërojnë lartësitë, me shpellat natyrore dhe tunelet e bëra nga dora e njeriut, me njerëzit që përcjellin jetën e mundimshme, me  rrugët e vështira  trase guri të shtypur, ku  krrakllijnë mjetet, që lëvizin përtueshëm e lëkundshëm. Aty  janë njerëzit trima, që përballojnë luftëra në kushte të vështira terreni, moti dhe ekonomike, që më shpërfaqen në ekranet e televizorëve, dje shumë e sot aspak.

Këto ditë funddhjetori isha në Velçë. Ajo është pjesë e Smokthinës, 36 km larg Vlorës,  zonë plot resurse ekonomike e vlera njerëzore, plot kulturë të lashtë dhe të re. Parë nga konfiguracioni, Smokthina, e veças Velça, pjesë e saj, ka shumë ngjashmëri me Tora Borën afgane, kanë lartësitë,  që nisin nga 600 metra, kanë malet shkëmbore mbi kokë, kanë shpellat natyrore dhe tunelet e sistemit që shkoi, kanë erërat që fryjnë, kanë pak tokë  e klimë të ashpër, kanë rrugë transporti dheu  të vështira që dredhojnë buzë humnerave  e mbi të gjitha kanë njerëz të mirë, trima, punëtorë e të zgjuar, që rropaten me jetën,… të harruar.

Nga Vlora gjer në Varritavë ecëm në kushte rehatie, sepse lëvizëm në rrugën e re të Luginës, të ndërtuar së fundmi aq bukur. Por “Tora Bora” afgane nisi sa devijuam majtas,  në rrugën Varritavë-Ramicë. Aty niste mundimi dhe rreziku në kuptimin e plotë të fjalës, Lëvizëm në një rrugë malore buzë shkëmbijve,  një trasë gurësh e balte, plot të thelluara e vija uji mes saj, plot gunga,herë me zhavor e herë baltë e bardhë e lagur nga dimri, herë e anuar e herë malore thik, herë-herë me pjesë të vogla asfalti të mbetura  si copa xhamash të zinj të thyer, makina, që lëviznin plot frikë që u binin borieve që të mos përplaseshin,  për të thënë se po  vi unë e t’i gjej një copë hapësirë që të shkëmbehemi, nga                 që rruga ishte sa një rrip biçaku kanë pas thënë dikur.

Ajo zonë, e Smokthinës ose Shullëri, ka qenë dhe është një zonë vitale, që ka bërë për fatet e kombit, ata njerëz, bashkë me të tjerë në krahinë, bënë luftërat kundër invazionit turk, luftuan deri në Çamëri më 1854 për trojet shqiptare, bënë Meçovën, sprapsën karaiskaqët e grivët, i thyen  nën komandën e Mahmud bej Vlorës dhe birit Velçiot,Selam Hasan Velça, që ra aty “pa vatur në mes dite”, që sprapsën andartët grekë dhe e vendosën kufirin shqiptarë në Artë, bashkë me kryetrima të tjerë të asaj ane si  Cane Miftari, hoxhë Smokthina,  që e vunë në udut grekun dhe u këndua edhe kënga:

O djem të bëjmë yxhymnë!

Ta bëjmë bajramnë ndë Athinë.

E që qenë gati, që edhe Athinën ta merrnin, por që deri në Artë duhej, tek ishte kufiri, që vunë gurët  “te thana”.Ata burra e gra bënë luftën për pavarësinë 1908-1912, ngritën flamurin, bënë luftën e 1913 në Janinë, të 1920-s, Beuni i Velçës pati shtabin e luftës së ’20-ës, ata bënë luftën për liri, bënë ekonominë pas çlirimit, bënë shkollën, kulturën, mjekësinë. E të gjitha këto nuk ka si të harrohen e të lihen. Ajo zonë sot ishte një Tora Bora afgane në kuptimin e plotë, pa rrugë, pa rrjete tregëtie, pa shkollë, pa spitale, por me plot resurse, që rrinë e presin  në heshtjen e tyre. E sjell ndërmend prigramin ekonomik të së ardhnes në atë zonë kur Ismail Qemali aty premtoi se do të hapej një depo e madhe bimësh medicinale,  se kishte sjellë ingjinierë austriakë për naftë e mademe, se do të krijoheshin punishte të shajakut, se do të ngrihej një internat shkollë e konvikt që të mësonin “djelmuria shqipëtare”, se do të kishte qendra të mëdha për grumbullim leshi, bulmeti, lëkurësh. Por që nuk e la kush t’i bënte.

Një neglizhencë e tillë është edhe mosmirënjohje për atë zonë, për ata njerëz, është braktisje komplet e harresë, pa një politikë ekonomike zhvillimi, sociale, duke i përdorur vetëm si punishte votash. Natyrisht që është një bashki që e mbulon atë zonë, Selenica, janë deputetët që ka Vlora, të djathtë e të majtë, ka intelektualë,  është një shtet në krye, ka bisnesmenë që kanë fuqi ekonomike për t’i hedhur pesë lekë për atë rrugë. E vetmja punë që bëhej në atë rrugë ishte një mirëmbajtës që, pasi kishte hedhur nja katër lopata, ngrohej në diell anë rrugës.Anë rrugës as edhe një thes zhavorr apo çakëll.

Shkuam e erdhëm me vështirësi, me shumë merak se mos përfundonim në ndonjë humberë në atë rrugë lopësh a dhish, ku makina lëkundej si gondolat veneciane mes dallgëve.

Dhe m’u kujtua një dokument i vitit 1930, kur kryepleqësia e Mesaplikut, 11 kryepleq, i dërgonin lartmadhnisë së tij, mbretit August,  Zogu I,  një letër ku i kërkonin:

….3. “Të bëhet rruga Varritavë Ramicë, sepse është një zonë e tërë e izoluar, se ajo zonë ka bimë medicinale, ka mademe, ka kullota, ka bagëti shumë, ka edhe njerëz punëtorë. Duke na lidhur me kasabanë do vemi e do të vijmë për hallet që kemi”. Ajo rrugë më kujtoi edhe një diskutim që ishte bërë në Asamblenë Kombtare më 1921, ose parlamenti shqiptar, ku ishte bërë një debat për urën e lumit në Gjorm, dhe që nuk u bë nga shteti i kohës e që u bë më vonë nga Italia 1923. Ndërsa Rruga e Mesaplikut  ishte bërë pas çlirimit, rrugë zhavorri, por që ishte mirëmbajtur dhe i kishte shërbyer atij komuniteti ku lëviznin lehtë njerëz, kafshë e makina.

Edhe pse ishim në  Velçë në vdekjen e një gruaje, që ishte ndarë nga jeta te të 96-at e zakoni e donte që të mos bëhej politikë aty, fjala shkoi edhe për vështirësitë e jetës. Si e kaloni me jetën, – i pyeti një intelektual tiranas. “Shih e shkruaj- thanë njëzëri nja tre vetë. “Lule kripe- tha një tjetër- vetëm bombardime nuk kemi”. Unë përfytyrova: Tora Bora- e Afganistanit, a mbase edhe Kandaharin, dje të bombarduar e sot të braktisur nga bota.Edhe Velça e braktisur nga shteti sotëm.

“Mbahemi me lekët e fëmijëve në emigracion, na mbajnë ne  e mbetën pa shtëpi, pa katandi, pa gra, pa fëmijë”, -tha njëri aty. Bagëtia ka humbur- tha një tjetër- malet janë bosh, djemtë kanë ikur, edhe ata që janë këtu, nuk i duan as dhëntë, as dhitë, as lopët, shkolla është mbyllur, fëmijët venë në Ramicë. Është ndonjëri që ka ca lopë dhe aq.U tha se ujra kishin plot, por arat nuk kishte  kush t’i mbillte,  sepse pleqtë kishin mbetur më të prap (dmth pas).

Nëse do të kishte një politikë ekonomike sociale zhvillimi për atë zonë, do të zgjoheshin shumë vlera, që nga misri i Velçës, te fasulja e Velçës, te pemët e saj, te bimët mjekësore, te delja, dhija, lopa, te turizmi malor, speleologjik, etj.

Pse është e harruar ajo zonë me shumë resurse e me njerëz të punës dhe të mirë? Përsëri një përngjasim mes Velçës, që pashë e Tora Borës avgane që njoh virtualisht. Madje një paralele të madhe konfiguracioni, infrastrukture, hallesh, vështirësish, problemesh, pozicioni, lufte, pune, harrese…Ndjeva keqardhje për ata njerëz të mirë.

Le t’ia bëjë edhe njëherë forra qeveria, tha një plak, mbase na vjen rruga automobilistike edhe ne këtej nga Smokthina, të jetojmë edhe ne si të tjerët, si njerëz.

Shqiponja e ka ndërtuar folenë e vet, por ajo ka nevojë për erërat e ngrohta që të çelë zogj për më tej e të mos shuhet.E që të mos mbetet Mesapliku një Tora Borë a një Kandahar, i duhet edhe dora e qeverisë. E pashë se ajo dorëmungonte. T’ia japin.

Denoncimi qytetar:

Kryebashkiaku fuqiplot Dredha dhe fshatrat e braktisur të Vlorës

Kompetencat e kryebashkiakëve me ndarjen e re administrative, I detyrojnë këta të fundit që të teritorin dhe votuesit ,të mos i shikojë nga faqa e facebook apo nga kamerat e instaluara në bashki, por të shkojë zonë më zonë, fshat më fshat, shtëpi më shtëpi për tu njohur me hallet e banorëve, infrastrukturën e shkatërrruar rrugore, dritat,ujin, shkollat, pensionet, përkrahjen sociale, mbështetjen për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, turizmin  dhe gjithçka që ka të bëjë me jetën e qytetarëve. Por shprehja “hyp këtu dhe shiko Stambollin” i shkon më për shtat : “ Hypë në Kaninën që i grabitën pronat dhe të shohin, Kuvajtin e Ermali Dredhës”.