Hysni MULLALLI/ Veteranët e luftës dhe kakarisja e Grida Dumës

776
Sigal

      E djathta shqiptare e kryesuar nga PD, mban një qëndrim të ndryshëm nga fuqitë e mëdha Botërore ndaj Luftës Antifashiste dhe veteranëve të saj. Në 70-të vjetorin e zbarkimit të forcave aleate në Normandi, në datën 06.06.2014, bashkë me mbi 2000 veterane ishin dhe Presidenti i Amerikës, Presidenti i Rusisë, Presidenti i Francës, Kryeministri i Anglisë, Kancelarja  e Gjermanisë etj.. Presidenti amerikan Obama, duke u përkulur me respekt ju tha veteranëve: “Ne ju jemi përgjithmonë mirënjohës! Pohimet e Amerikës, angazhimi ynë ndaj lirisë, barazisë, dinjitetit të çdo qenieje njerëzore, janë shkruar me gjak në këto brigje dhe do të qëndrojnë të tilla në përjetësi. Zbarkimi në Normandi ishte manifestim i fuqishëm i përkushtimit të Amerikës për lirinë njerëzore, që vazhdon të jetoje në gjeneratën e re”. Sali Berisha, dje President/Kryeministër dhe sot një Facebook-ist “i talentuar”, në vend të respektit dhe mirënjohjes, sulmon luftën dhe shan heronjtë e gjallë të saj. Ky njeri që hynte në bllok dhe voziste fshehurazi me varkën e fëmijëve të Enverit, që pati suport maksimal për t’u shkolluar e bërë karrierë dhe që i shijoi një mijë herë më shumë se veteranët dhe ne pasardhësit e tyre të mirat e atij sistemi, vazhdon të shajë veteranët, të cilët nuk i kanë parë as në ëndërr privilegjet që ka patur Saliu në socializëm dhe luksin e tij tani në demokraci. Me daullen e vjetër të Saliut jemi mësuar, por është fatkeqësi që gjenerata e re e politikanëve të djathtë, nuk merr për model, respektin, vlerësimin dhe mirënjohjen që tregon Presidenti Obama dhe gjithë liderët e tjerë botërorë ndaj Luftës Antifashiste dhe veteranëve të saj, por vazhdojnë të sulmojnë dhe shajnë me gjuhën e helmuar dhe me gurmazin e vjetëruar të Saliut, duke i etiketuar prindërit tanë veteranë si satrapë, diktatorë, vrasës, nostalgjikë, shamikuq etj.. Në kuvendin e fundit të PD, flamurin e këtyre sharjeve e shpalosi Grida Duma, e cila në kulmin e ekzaltimit të saj shau publikisht veteranët  dhe ne bijtë e tyre pasardhës, vetëm për të rritur kreditet para Saliut dhe për të fituar besimin e Lulit. Kjo grua që do të bëjë karrierë duke sharë veteranët, na detyroi të reagojmë. “Profesoresha”, ka filluar të riformatojë, një steriotip të ri të gruas “demokrate”. Ajo, me “modesti” e vlerëson veten si “një figurë me vlera politike”; “superioriteti dhe oratoria” e saj nuk e lejojnë të merret me gratë, ndaj parapëlqen të bëjë sherr dhe debate kryesisht në panele burrash; kur del nëpër studio, podiume dhe në rrjetin social flet shumë, por nuk thotë asgjë; ajo pasi shan, i mbyll fjalimet e saj në mënyrë “spektakolare” dhe në fund të çdo ligjërimi bën një parashikim si fallxhore e vërtetë. Që të bindeni, kujtoni fjalimin e saj në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013, ku pasi foli dhe nuk tha gjë, në fund foli shumë me rrokullisjen e saj. Ajo si fallxhore, me atë rrokullisje parashikoi dhe paralajmëroi humbjen e PD dhe qeverisë së saj, në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013. Parashikimi i saj doli. Në takimin kuvendor të PD, në këtë fund shtatori 2014, ajo pasi foli disa minuta( pa thënë asgjë) nuk harroi të bënte sharjen, spektaklin dhe parashikimin e radhës. Kësaj here rrokullisjen e zëvendësoi me kakarisjen. Nga euforia, fluturoi si pulë dhe pa i zënë këmbët në tokë, ra me krahë hapur në “kopshtin” e prindërve tanë veteranë dhe kakarisi fort: – …bijtë e Majtë i kanë rrënjët në baballarët e tyre satrapë dhe diktatorë, në baballarët me shall te kuq etj.. Në këtë ligjërim të shkurtër kakarisës, Grida, shpalosiambicien për të qenë pula e parë në selinë e PD, pas gjelit Lul. Kakarisja “spektakolare” e saj, nënkupton dhe  ndërthur thirrjen me parashikimin karakteristik “Gridian”: – Më votoni mua, si specialiste e kakarisjes, sepse kësaj  radhe do të qëndrojmë gjatë në opozitë dhe do të na duhet të kakarisim shumë dhe fort!” Të shohim, a do të dalë parashikim i fallxhores Grida. Ne, bijve të veteranëve, nuk na intereson të dimë se ku i ka rrënjët Grida, cilët janë dhe si janë prindërit e saj. Sido që të jenë, ne i nderojmë dhe i respektojmë ata dhe familjen e saj. Pse jo, nëse i lëndojmë sadopak me këtë shkrim, ju kërkojmë edhe ndjesë (atyre jo Gridës). Ne e deklarojmë publikisht se e kemi për nder dhe jemi krenarë, për sakrificat e prindërve tanë, për luftën e tyre heroike, për plagët që kanë marrë dhe gjakun që kanë derdhur për lirinë e këtij vendi  ku jeton dhe Grida me kompani. Prindërit tanë, duke e ditur që dhe mund të vriteshin, dolën malit me besim dhe bindje se po luftonin për kombin, për ta parë të lirë dhe pa pushtues vendin e tyre. Ata luftuan me trimëri, guxim dhe heroizëm pa ditur asgjë për komunizmin dhe socializmin apo për  demokracinë e sotme të dështuar, që ka mbi 23 vjet që i ngjan një lehone të përgjakur që zvarritet dhe nuk po ngrihet dot në këmbë, për faj të këtyre politikanëve kopukë,të vjetër dhe të rinj. Vetëm kaq duhet të mjaftonte që Saliu dhe Grida me kompani të heshtin dhe të kenë më shumë respekt dhe mirënjohje për luftën dhe veteranët. Këto sharje, tingëllojnë shumë absurde, për Gridën “pedagoge”. A ka moral Grida të dalë, në datën 1 tetor para mbesave/nipërve të veteranëve dhe fëmijëve tanë studentë? A do të ketë kurajon t’u shpjegojë atyre, pse ju shan gjyshërit dhe prindërit, të cilët  paguajnë që Grida ta ketë auditorin dhe kuletën plot me lekë? Grida, kujdes se mos lekët tona janë të kuqe dhe larg qoftë të shkaktojnë ndonjë alergji! Në analizën tonë, na del se kakarisja e Gridës e ka burimin tek mënyra e promovimit të saj në politikë. Megjithëse na shau, ne po lobojmë për të, duke thënë se promovimi, ecuria dhe katapultimi i Gridës në politikë, është interesant dhe tepër tundues për brezin e ri dhe pak a shumë është bërë model  si djathtas dhe majtas politikës, për këtë arsye këtë dukuri të re, po e emërtojmë si “Fenomeni Grida”.

Ja cili është modeli i katapultimit, rrokullisjes dhe kakarisjes së saj: Hapi i parë: Grida në fillimet e saj politike u promovua si një vezë. Madje thonë se i pari i tyre mendonte se ajo kishte dy të verdha. Hapi i dytë: Si vezë e preferuar u ngroh shumë shpejt nën puplat e krahëve të vjetërsuar të Saliut. Hapi tretë: Me shpejtësi doli nga guaska dhe u bë një zog kanakar që “ledhatohej politikisht” në PD. Hapi i katërt: Pa ju forcuar mirë pendët e krahëve, Saliu e lëshoi atë në fluturim dhe ju duk vetja pulë e pjekur kur u bë zv/ministre. Hapi i pestë: Pas humbjes së PD-së në zgjedhje e kapi lakmia dhe ambicia për pushtet politik  dhe për të realizuar këtë objektiv, shfrytëzoi hapësirat e krijuara nga spostimi i mjaft grave me kontribute në PD. Tani, posti drejtues i Gridës është i garantuar, sepse në PD emërohesh dhe nuk zgjidhesh. Pas këtij vrulli fluturues dhe katapultues do t’i kërkohet të bëjë vezë, por rrezik që ato të thyhen ose të  dalin të prishura. “Fenomeni Grida” ose fenomeni  i  promovimit politik duke kaluar me shpejtësi të jashtëzakonshme nëpër të njëjtin segment: vezë-zog-pulë-vezë, sot është prezent në të dy krahët e politikës. Saliu, Luli, “profesoresha” dhe tabori që i ndjek nga pas edhe po të kakarisin të gjithë së bashku në kor, kundër luftës dhe veteranëve, nuk do të mundin të zbehin rolin e tyre historik, sepse ky rol është vulosur me gjakun e 28.000 dëshmorëve të rënë në çdo metër katror të këtij trualli. Po ashtu nuk do të mundin të rimbjellin përsëri, urrejtjen dhe ndasinë midis nesh dhe pasardhësve të ballisto-zogistëve. Ka ardhur koha (madje ka kaluar) që ky kotec gjelash dhe pulash kakaritëse, duhet të palosin krahët, të mbyllin sqepin dhe të zbresin me këmbë në tokë dhe do të shohin se realiteti shqiptar në këto 70 vjet lirie dhe demokracie të cunguar, është transformuar dhe është krejt ndryshe nga perceptimi i tyre. Pasardhësit, fëmijët, nipërit/mbesat e partizanëve, ballistëve dhe zogistëve, jetojnë në të njëjtin truall të bekuar nga zoti, mësojnë së bashku në auditorë të niveleve të ndryshme të arsimimit (dhe në auditorët e Gridës), punojnë bashkë në një vend pune, janë lindur dhe janë rritur në të njëjtin fshat, lagje apo qytet, janë miqësuar, dashuruar, martuar dhe kanë lindur fëmijë bashkërisht. Së paku, për respekt të këtyre çifteve dhe fëmijëve të tyre me prejardhje partizano-ballisto-zogiste, këta politikanë perversë, duhet të kafshojnë gjuhen, të heshtin dhe të mos fusin hundët në jetën dhe harmoninë e tyre. Ky kallëp politikanësh, që në Parlament ofendojnë, zihen dhe shajnë njëri-tjetrin me libër shtëpie, që në studio televizive gjatë debateve jo etike dalin jashtë kontrollit të moderatorëve, në vend që të merren me veteranët që janë protagonistët e lirisë së tyre dhe sot faktor stabiliteti, duhet të marrin shembull nga harmonia fetare, njerëzore dhe vëllazërore e popullit të thjeshtë, duhet të ulin “armët”, të rivendosin dialogun, mirëkuptimin, dhe të punojnë bashkërisht pozitë-opozitë për  forcimin e shtetit ligjor, për forcimin e demokracisë dhe për të shpejtuar ritmet e zhvillimin ekonomik dhe mirëqenies së popullit shqiptar.