Shkodranët thonë “I miri rron sa don i ligu”
Tregohet se kur pyetën një njeri me filozofi të lartë në mendje se si mund të shpëtohet një popull që ka probleme të mëdha në jetën e tij për shkak të veseve të këqija, ai u përgjigj duke thënë se “litari i anijes këputet kur hollohet, kurse zullumi këputet kur zmadhohet”. Duket se ky fenomen i problemeve zullumqare ka kaluar popullin tonë që nga maja e deri në bazë dhe qeverisjet nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë rritur zullumet. Dhe më të kënaqurit nga ky fenomen janë zullumqarrët, ata qeverisësit me padrejtësi dhe më ligësi, po aq sa edhe me hipokrizi dhe mashtrime. Kemi hyrë në një vit me një trashëgimi të hidhur të vitit paraardhës si në pandeminë, ashtu edhe në ekonomi, në politikë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Jo se nuk kemi një trashëgimi të keqe për një rilindje tË zezë që iu tha këtij populli në këto 8 vite të shkuara të qeverisjes. Flasim për situatën në Shqipëri, se kemi qenë mësuar që të thinjemi për punët e të tjerëve, ndërsa punët tona i kemi zi e më zi.

Kur erdhi për herë të parë në Shqipëri, pasi kishim dalë nga sistemi monopartiak, rreth vitit 1993 apo 1994 eurodeputetja gjermane Doris Pack, në një intervistë të dhënë për gazetën opozitare të asaj kohe “Koha Jonë”, u shpreh se “këtu (në këtë vend) nuk ke nga t’ia nisësh më përpara”. Në atë kohë vërtet ishte kështu, sepse kishim dalë nga një pushtet diktatorial dhe që kishin mbetur pas shumë probleme që nuk ishin për shtetet e tjera të Europës Lindore postdiktatoriale. Ne kishim gjithçka që duhet t’ia nisnim nga e para në të gjitha sektorët e jetës shoqërore, kur politika e majtë kishte nisur agresivitetin pas rënies së stalinizmit. Pas më shumë se 25 vjetësh nga ajo thënie e zonjës eurodeputete, jemi edhe më keq se atëherë ku edhe ato sektorë jetikë që mund të themi se ishin vënë në vijë, tanimë janë fundosur. Mbi të gjitha është fundosur shpresa për të ardhmen dhe largimi në masë e të rinjëve me devizën e moskthimit kurrë. Ironikisht apo hipokrizisht kryebashkiaku i Tiranës e ka shpallur vitin 2022 si “viti i rinisë” në një kohë që këtë vit që ka nisur kemi një ulje të ndjeshme të rinisë në vend dhe një ikje nga sytë këmbët nga shtëpia e tyre si një protestë ndaj qeverisjes që ka vrarë shpresën e rinisë.

Nga një anë kemi një situatë emergjente të shtrenjtimit galopant të jetesës së shqiptarëve dhe nga ana tjetër kemi një nivel pagash nga më të ultat të pakrahasueshme me asnjë vend në Europë. Por më keq akoma kemi një korrupsion grryrës të ekonomisë shqiptare dhe pastrim parash me investime në pallatet e pafundshme, që ngrihen si grataçiela në qendër të Tiranës dhe po aq më shumë edhe në periferi. Nuk dihet se kush i ngre, nuk ka tendencë nga SPAK sipas parimit “ndiq paranë”, por kemi një anashkalim të çdo shfaqjeje, që manifestohet me një drejtësi që ka nevojë për drejtësi. Ajo që po shikojmë sot me sytë tanë është se në këtë vend me mbështetjen e qeverisë dhe avokatinë e kryeministrit Edi Rama, çdo klient i kryeministrit di vetëm të vjedhë, të marrë paratë e taksapaguesve shqiptarë, të mos bëjnë investime, të merren me të gjithë ligësitë, që nuk sjellin asnjë zhvillim dhe nga ana tjetër kemi një ambasadë amerikane që e sheh dhe bën sikur nuk shikon a thua se gjithëçka në këtë vend po merr rrugën e së keqes sipas një fjale të urtë shkodrane se “i miri rron sa don i ligu”. Këtë postulat urtësie po e zbaton më së miri kjo qeverisje. Kur institucione të rëndësishme e të mirënjohura në Amerikë pohojnë keqpërdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë, flasin për rritjen e mosbesimit të shtetasve shqiptarë ndaj qeverisjes, si dhe degradimin e niveleve të jetës qytetare, ajo që nuk e dëgjon dhe nuk ka zë për të mbështetur këto institucione prestigjoze dhe me emër në arenën ndërkombëtare, është ambasadorja Yuri Kim që gjithçka di dhe nuk do që ta thotë të vërtetën në sy ose më keq akoma, me qëllim të caktuar mban qëndrime të njëanshme.
Praktika amerikane e ka të shkruar luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, vetëm ambasada e SHBA në Shqipëri nuk ka dalë me asnjë deklaratë kundër korrupsionit në çdo sektor qeverisje. Thotë një fjalë e urtë se “Mik është ai që në errësirën e problemeve të tua është në gjendje të ndezë llampën e shpresës”. E kemi mik dhe mbështetësin kryesor Amerikën si komb shqiptar, por nuk kuptojmë se kujt i bën shërbime me lënien në” “errësirë” të popullit shqiptar me mosdënimin e së keqes. Nuk dua të bëj kritizerin, por ne nuk mund të jemi peng si komb i një njeriu që ka emrin “i ligu’. Amerikania e nderuar Madalene Ollbrajt, ish-Sekretare e shtetit të SHBA thoshte se “Është fati i keq që shqiptarët kanë mbetur të fundit të fundit në Europë. Ata në fakt nuk e meritonin këtë lloj ndëshkimi”. Shumë e saktë dhe me sens miqësor, porse një fakt të tillë nuk po don ta pohojë pasardhësi i saj Blinken kur pret në zyrat e departamentit të Shtetit kryeministrin shqiptar Edi Rama me kostum të njollosur nga megakorrupsioni dhe nuk i thotë asnjë fjalë për realitetin në Shqipëri që po bën muuuuu.

Nëse vetingu në drejtësi po zgjatet në kohë si vazhdim i shërbimit që i bëjnë ndërkombëtarët qeverisjes së rilindjes së zezë të kryeministrit Edi Rama, nuk di se si duhen kuptuar që DASH ndëshkon ish-kryeministrin Sali Berisha me “non-grata” dhe ambasadorja Yri Kim i thotë Presidentit të Republikës Ilir Meta se “kemi ca gjëra edhe për ty”. Në emër të kujt foli ? Në emër të DASH apo të ndonjë Sorosi që ka nisur të bëjë qeverisjen në hijë të SHBA ? Kështu duhet mësuar ky popull që edhe në diktaturë dhe në demokraci të hajë bar ? Prandaj thuhet fjala se “Përsa kohë ke pranuar të jeshë këpucë në këmbët e të tjerëve, mos u anko për shkeljet e shumta”. Tregojnë se urtësia e një profeti ishte se diti të qëndronte me këmbë në tokë dhe të zbatonte hyjninë e Zotit. Kurse shqiptarët në këtë shekull dhe më keq akoma në këtë dekadën e fundit mendojnë se kryeministri i sotëm është një “profet” që, edhe pse nuk ka këmbë në tokë, harron që është i papranueshëm nga hyjnija e Zotit të gjithëfuqishëm. U mor vesh që Gjykata Kushtetuese ia “rrëzoi kalin” kryeministrit edhe pse në SHBA se Presidenti kishte të drejtë përballë zullumit të qeverisjes.




















