Nga Hyqmet Zane
Rezolutat antigenocid – përmbajtja e një qeverisje fasadë antishqiptare
Në rrethet intelektuale shqiptare, që kanë ndjeshmëri për çështjen kombëtare, shprehet shqetësimi për një heshtje dhe harresë për kauzën e Çamërisë. Është një shqetësim i ligjshëm që rrjedh nga fakti se shqiptarët e Çamërisë u shpërngulën nga vendi i tyre pas vrasjeve dhe genocidit grek mbi popullatën vendase. Akuza greke e pavërtetuar për bashkëpunimin me gjermanët, është hedhur poshtë me fakte. Hipokrizia greke është dënuar nga historiografia. Njëherazi është provuar e kundërta me shkrime e figurë se çfarë bashkëpunimi të shkëlqyer kanë pasur qarqet qeveritare greke me pushtuesit fashistë dhe ata nazistë. Fakti që kjo popullatë e shqiptarëve të Çamërisë ka 78 vjet që jeton në Shqipëri si shqiptarë me gjak, me gjuhë dhe me flamur, ka bërë që nga gjyshërit dhe prindërit, që erdhën pas rreth 3 mijë vrasjeve dhe humbjes së jetëve të rreth 3 mijë të tjerëve, që janë momerializuar në Kllogjër, janë një dëshmi e një genocidi tipik antishqiptar nga grekët.
Është bërë edhe një Rezolutë para 18 vjetësh që më shumë u bë me sherr se sa shërbeu për kauzën e Çamërisë. Dhe për më shumë nuk dihet se në cilin sirtar të Parlamentit ka përfunduar si në kalendat greke. Akoma më shumë heshtja dhe harresa e kësaj Rezolute nga vetë strukturat e Shoqatës Çamëria dhe veçanërisht nga PDIU, që pretendon se mbron çështjen çame, flet për një qëllim dashakeqës, për të mos thënë për një lloj armiqësie ndaj një kauze kombëtare.
Si për ironi të fatit dhe për të më vërtetuar idenë se kjo qeverisje e rilindjes së zezë është kundër çështjes kombëtare bashkë me atë të mënxyrshmen Open Ballkan, u panë me entuziazëm të shkëlqyer nga deputetët ePS në momentin kur votonin kundër Rezolutës, e cila dënonte krimet e llahtarshme dhe genocidin në Srebrenicë.
E prisja, por nuk e mendoja deri në këtë pikë, por e di që për hatër të Serbisë dhe Greqisë dhe aleatët e tyre antishqiptarë, kjo qeverisje i bën të gjitha dhe pajtohet me antishqiptarizmin. Më shumë se sa kjo qeverisje është për të thënë se gjendja në të cilën është sot dhe ndodhet Shoqata Çamëria pa kryetar dhe pa zgjedhje, pa dëshirë aktiviteti dhe pa funksionim, të lë të kuptosh se është në sinkron me këtë sjellje diplomatike që vetëm shqiptarëve nuk u shërben. Shumë herë më keq kur dimë dhe jemi dëshmitarë që ka një përfaqësim politik nga ata që pretendojnë ose kanë origjinë nga Çamëria – tre në PS dhe tre të tjerë në PDIU dhe heshtja dhe harresa për problemin çam po komentohet si një e keqe si ajo e vrasjeve , që bëri Greqia përmes bandave të Napoleon Zervës. Them vrastare, sepse po bëhet brenda Shqipërisë dhe nga qeverisja dhe pretenduesit si çamë se po vritet shpresa për të menduar se për kauzën e Çamërisë ka zgjidhje. Po shohim se çështja çame po kalon në folklorizëm që na duhet se na argëton, por që nuk shërben dhe nuk zgjidh problemin. Ndërkohë që po kalohet në mesazhin fatal se çështja çame është shitur tek grekët që kanë blerë me para pikërisht ata që mendohej se mund të bënin diçka.
Di dhe jam dëshmitar që Presidenca shqiptare ka mbajtur qëndrimet e veta zyrtare pro çështjes çame dhe për këtë flasin faktet. Por nuk mbaj mend dhe nuk di të ketë një qëndrim zyrtar nga qeveria shqiptare pro këtij problemi apo ndonjë diplomaci kombëtare. Retorikë në foltoren e Parlamentit ka pasur, por nuk ka program, nuk është respektuar Traktati dypalësh i Miqësisë Shqipëri-Greqi 1996, nga qeveritë e njëpasnjëshme dhe nuk i është kthyer asnjëherë përgjigje zyrtarëve grekë kur kanë ardhur në Shqipëri dhe kanë akuzuar me të padrejtë popullatën shqiptare të Çamërisë dhe nuk u është thënë një herë të vetme“mjaft me gënjeshtra”, përjashto këtu kryeminstrin Aleksandër Meksi që ia tha në sy në dialog kryeministrit Grek Micotaqis kur erdhi në Tiranë më 1993. Po ashtu, edhe drejtuesit e Komitetit të Veteranëve të Luftës Antifashiste nuk kanë thënë një herë “boll me gënjeshtra se ne (veteranët) i kemi pasur shokë dhe drejtues të brigadave të luftës antifashiste djem dhe vajza nga Çamëria, në një kohë që pjesëtarë të komunitetit çam kanë qenë të internuar në kampet e shfarosjes në masë në Gjermani, mes tyre edhe im atë Nuri Emin Zane, dekoruar nga Presidenti Alfred Moisiu. Ku janë të drejtat e tyre legjitime ?
Nëse nga ana e Presidentit Sali Berisha më 1994 u vendos 27 qershori si “dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek” dhe Presidenti Nishani pati një pritje zyrtare në ditën e fitores mbi nazifashizmin më 2016 apo Presidenti Ilir Meta ka pasur qëndrime pro çështjes çame, kryeministri aktual Edi Rama si fasadë foli bukur edhe në TV Skai në Athinë, por duket që mori në dorëzim kërkesën greke që të hiqet fjala “Çamëri” nga tekstet shkollore dhe të mos flitet për historinë e Çamërisë apo të mos futen autorë shqiptarë çamë në tekstet e letërsisë.
Të gjitha këto janë realitete të asaj fasade se përmbajtja e një qeverisje është fasadë antishqiptare që u reflektua edhe në votimin anti Rezolutë të enjten e fundit në seancën plenare. Çamëria dhe kauza e drejtë e saj janë një amanet kombëtar për të ardhmen përballë heshtjes vrastare, që bëjnë ata mjeranë që për interesat private e sollën ecurinë e Shoqatës Çamëria në pikën zero të zhvillimeve dhe injorimin e çdo zëri intelektual, që flet dhe trajton çështjen çame, kushdo qofshin ata – trashëgimtarë të brezave të gjyshërve dhe baballarëve, por edhe shmangien e zërave të historianëve dhe profesorëve, që duan problemin çam dhe kanë kontribute reale në këtë drejtim.
Nëse ekzistojnë çamët me gjak e me shpirt, çdo kush duhet të mos harrojë se çdo ditë e jetës për ata është edhe një frymëmarrje Çamërie se është një amanet.
Unë e di që Greqia ka platformën e vet të Mega-Idesë, ndërsa ne çamët vetëm kemi premtimet me studio avokatie që nuk u bënë asnjëherë avokatë të çështjes, kemi dosje që na u tha se kanë shkuar në Hagë dhe që është një gënjeshtër. Kemi Rezolutë që nuk u përmend asnjëherë që duhet të shkojë në Parlamentin Europian dhe në Kongresin Amerikan. Kemi retorikë me fjalë të thëna e stërthëna, si një shirit i vjetëruar dhe në fund kemi ca njerëz që i thonë vetës çamë në Parlament, por që nuk u dëgjohet zëri dhe nuk u shihet fytyra se janë zhytur në karriget e interesave të tyre meskine dhe që kanë marrë damkën e tradhëtisë së kauzës së Çamërisë.
Në Asamblenë zyrtare të OKB në 2019, presidenti Donald Tramt ka folur për vlerat e kombeve dhe ku ndër të tjera është shprehur se “E ardhmja i përket kombeve sovrane dhe të pavarura të cilët mbrojnë qytetarët e tyre, respektojnë fqinjët e tyre dhe nderojnë dallimet që e bëjnë çdo vend të veçantë dhe unik”. Në shqiptarët e Çamërisë i duam vlerat tona kombëtare, ashtu siç grekët duan të tyret, por nuk mendojmë se të kërkosh këto vlera është nacionalizëm, por është drejtësi dhe sovranitet, që sanksionohen nga e drejta ndërkobëtare e popujve.