Humbja e identitetit politik të PD dhe pasojat

684
Filip GURAZIU
Faktor thelbësor për fatet e një partie është varësia që ekziston ndërmjet humbjes së identitetit politik dhe demobilizimit të elektoratit përkatës. 
As edhe një herë të vetme në mitingjet e fushatës nuk u përmend programi politik i PD ndaj kësaj shtrese, nuk u bë autokritikë për përkujdesjen e paktë që qeveria e PD aplikoi në periudhën që ishte në pushtet dhe nuk u shpall asnjë premtim që do të jepte shpresë për të ardhmen.
Rezultati i zgjedhjeve të 25 Qershorit në Shqipëri u shoqërua me një mori diskutimesh publike e mediatike që tentuan të përcaktojnë shkaqet që sollën këtë situatë pothuaj të harruar tashmë në politikën shqiptare, ku një parti e vetme fiton maxhorancën parlamentare dhe fatet e një populli varen vetëm nga “aftësia” e njëshit; timonierit të PS. Pra, ç’ndodhi në politikën shqiptare dhe si kuptohet tkurrja e elektoratit të djathtë ? Faktorët ndikues të rezultatit zgjedhor të PD janë të shumtë dhe tepër kompleksë, duke filluar nga kryesorja, ajo e blerjes së votës e duke vazhduar te mungesa e transparencës së marrëveshjes Rama-Basha, përzgjedhja jo optimale e kandidatëve për deputetë në lista, sabotimi i fushatës nga të pakënaqurit që nuk u përfshinë në listat e deputetëve të PD, mungesa e impenjimit dhe e organizimit të fushatës elektorale nga partitë aleate, kryetarët e të cilave zunë vende fituese në listat e PD etj, gjëra që qëndrojnë dhe po deklarohen nga të gjithë analistët dhe për këtë arsye nuk përbëjnë më lajm, por po harrohet të trajtohet (me përjashtim të shkrimeve të Z. Nebil Çikës), një faktor tjetër që për mendimin tim është thelbësor për fatet e një partie është varësia që ekziston ndërmjet humbjes së identitetit politik dhe demobilizimit të elektoratit përkatës. 

Besoj se bashkohemi në një mendim që PD në themelimin e saj mishëronte shprehjen e revoltës mbarëpopullore kundër diktaturës komuniste duke bashkuar sipas parimit të gjithë përfshirjes shqiptarët pa dallim partiak, por të etur për liri dhe demokraci dhe se në këtë gjithë përfshirje popullore, shtresa e të përndjekurve politikë dhe e pronarëve përbënte mbështetjen kryesore dhe vendimtare të PD dhe fitoreve të saj. “ Bastionet” besnike të kësaj shtrese të motivuara moralisht nga stër vuajta dhe poshtërimi i ‘luftës imorale të klasave’ qenë gjithnjë garancia fituese e PD edhe në momentet e saj më të vështira; kjo është historia, ky është realiteti. Është në nderin tonë të kujtojmë se, në katër vitet e para të qeverisjes së PD, ndaj shtresave të mësipërme u aplikua një politikë për t’u lavdëruar në drejtim të përkrahjes sociale, morale dhe financiare. Gjë që në vitet e mëvonshme filloi të zbehej duke u harruar pothuaj plotësisht vitet e fundit! Sjellje kjo, që do të mund të interpretohej duke konsideruar ndikimin psikologjik të “magjisë ” së pushtetit (mbi dhjetëvjeçar) dhe i modelit autokratik të drejtimit ndaj “ udhëheqësve të lartë” të PD. Ndoshta gradualisht dhe si pa kuptuar ‘disave’ iu krijua psikoza se “Qiellorët” i paskan ndarë detyrat: Në ata që drejtojnë dhe në ata që shërbejnë’. 

Demokracia dhe autokracia nuk mund të bashkëjetojnë. 
Demokracia është sistemi ku maxhoranca respekton të drejtat e qytetarëve dhe ‘shtresave në nevojë’ (në këtë kontekst; pronarët dhe të përndjekurit) dhe përkujdeset për to, kurse autokracia respekton dhe përkujdeset vetëm për një rreth të ngushtë oligarkësh duke harruar të margjinalizuarit! Edhe pse në vitet e fundit shtresa e të përndjekurve politikë dhe e pronarëve u gjend e mos trajtuar si duhet nga politika e PD, kjo shtresë i qëndroi gjithnjë pranë dhe bashkëjetoi me PD si në simbiozë duke respektuar parimin e lartë moral ‘Jo përkrahje dhe kurrë vota për përsekutorët’, për sa më sipër, faktet dhe vepra flasin vetë. Pikërisht në atë atmosferë politike të ndezur të fushatës zgjedhore ku në lojë ishte e ardhmja e shqiptarëve, si për çudi, politika e PD e harroi fare ‘bazën politike të saj’; shtresën e të persekutuarve politikë dhe të pronarëve. As edhe një herë të vetme në mitingjet e fushatës nuk u përmend programi politik i PD ndaj kësaj shtrese, nuk u bë autokritikë për përkujdesjen e paktë që qeveria e PD aplikoi në periudhën që ishte në pushtet dhe nuk u shpall asnjë premtim që do të jepte shpresë për të ardhmen. Ende nuk kuptohet se përse ndodhi që për herë të parë në këto 27 vite, politika e PD “asgjësoi” deri në zero bazën e saj historike, mbështetjen e saj, pasi e defaktorizoi, sikur nuk ekziston! Jetojmë në një moment aq sa tragjik edhe historik për të ardhmen e PD, e cila sot (me vetëdashje?) e ka humbur identitetin dhe është në kërkim të një identiteti te ri… cili do të jetë? Një parti që lind e djathtë, dhe rrugës ndërron identitet, ku e çon mushka? A do mund ta gjejë më veten ‘baza’ (e përndjekur dhe pronare) pranë një PD me identitet të tjetërsuar?! Le t’ia lejmë kohës përgjigjen. Është e kuptueshme se situata e treguar më sipër ka ndikuar shumë negativisht në motivacionin dhe përkushtimin e shtresës së të përsekutuarve politikë dhe pronarëve, të cilët me të drejtë, duke mos parë më realizimin e idealeve dhe interesave të tyre në programin e PD, janë demotivuar dhe demoralizuar. Rezultati? Jo votë persekutorëve, por mospjesëmarrje në votim! Personalisht kam njohje me shumë përfaqësues të këtyre shtresave në Shkodër dhe më gjerë, që nuk kanë votuar duke qenë të demoralizuar nga politika jo shpresëdhënëse dhe përjashtuese e PD dhe ky faktor, për mendimin tim, ka qenë esencial për rezultatin e zgjedhjeve të 25 Qershorit. Në të ardhmen një gjë mbetet për t’u verifikuar; sjellja e PD ndaj bazës së saj të djathtë ishte e qëllimshme apo lajthitje? Sido që të jetë, një gjë është e provuar: Humbja e identitetit të një partie politike të shoqëron në rrugën e vetasgjësimit! 
Sigal