Historiani turk ngjante më tepër si oficer i zyrave të luftës speciale të shërbimeve të fshehta

1232
Kastriot MYFTARAJ
Historiani turk që fyeu Skënderbeun, Tahla Ugurluel, nga ç’ na u shfaq në video, nuk dukej aspak si një historian, njeri i katedrave universitare, por si oficer i zyrave të luftës speciale psikologjike, të shërbimeve të fshehta turke. Nuk është rastësi që ai erdhi në Shqipëri, në prill, në kohën që në vendin tonë ishte një delegacion me specialistë turq të Antiterrorit, të cilët do të merrnin pjesë në një ceremoni të trajnimit të oficerëve shqiptarë të Drejtorisë së Hetimit të Akteve Terroriste, një strukturë e re kjo e ngritur në 2014, me shumë bujë. Në ceremoni, në krah të Drejtorit të Drejtorisë së Hetimit të Akteve Terroriste, z. Gledis Nano ishte shefi i delegacionit policor turk, Çengiz Saglam, i cili tha se dy vendet, Turqia dhe Shqipëria kanë kulturë dhe histori të përbashkët. Duket qartë se oficeri turk kishte marrë porosi nga eprorët e tij që ta thoshte këtë gjë, e cila nuk kishte lidhje me qëllimin për të cilin ai kishte ardhur në Shqipëri. Z. Saglam ua tha sagllam kolegëve të tij shqiptarë se Shqipëria ka kulturë turke dhe është një zgjatim i historisë turke, sepse ai nuk deshi të thotë që Turqia ka kulturë shqiptare.




 Ky ishte një provokim i oficerit turk, të cilin kolegët e tij shqiptarë e kaluan pa u shqetësuar. Fjalimi i historianit turk në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ishte një shtjellim i asaj që tha në ceremoninë zyrtare policore, z. Saglam, se të dy vendet kanë kulturë dhe histori të përbashkët. Tezat e “historianit” Ugurluel i shtjelloi gjerësisht asistenti, miku dhe shoqëruesi i tij gjatë vizitës në Lezhë, Olsi Jazexhi, apo Yazeji, siç e shkruan emrin në turqisht. Olsi Jazexhi ka bërë një shkrim me titull “Skënderbeu si hero terrorist i shqiptarëve”. Në këtë shkrim Jazexhiu ka dashur të provokojë, por provokon si injorant. Ai thotë se për Skënderbeun “Po të kishte jetuar në ditët tona, ai do të ishte shpallur terrorist nga amerikanët dhe ndoshta do e kishin vrarë me drone, duke qenë se Turqia është një aleat me rëndësi i NATO-s, ai do të ishte shpallur terrorist nga Aleanca Perëndimore dhe vetë shteti turk do e kishte vrarë me avionët e tij amerikanë”. Këtu, së pari duhet thënë se është edhe për meritë të luftës së Skënderbeut që sot ekziston SHBA. Siç dihet SHBA u krijua nga emigrantët e shkuar nga Britania e Madhe e sotme dhe më pas edhe nga vende të tjera perëndimore. Në shekullin XV kur Skënderbeu luftoi kundër osmanëve, Anglia ishte e rraskapitur nga lufta 100-vjeçare me Francën, fill pas së cilës nisi lufta civile në Angli e quajtur e trëndafilave.

 Italia ishte gjithashtu në luftë civile për pjesën më të madhe të kohës kur Skënderbeu luftoi kundër osmanët. Nëse nuk do t’i kishte ndalur Skënderbeu osmanët, ata, duke përfituar nga situata në Europë, do të ishin shfaqur në brigjet angleze aq befasisht sa normanët në 1066 kur e morën ishullin nën kontroll me një betejë të vetme. Dhe pasi turqit të pushtonin Anglinë nuk do të kishte kolonizim anglez të Amerikës. Skënderbeu pati meritën që e nisi luftën kundër agresionit osman në një kohë që Europa ishte shumë e brishtë dhe e rraskapitur për shkak të luftërave të brendshme të stërzgjatura. Nëse Skënderbeu nuk do të kishte lindur në shekullin XV, por sot, ai do të ishte askushi, sepse do të kishte lindur në një Europë të sunduar nga osmanët, perandoria e të cilëve vështirë se do të ishte dëbuar nga Europa, pasi të kishte pushtuar pjesën më të madhe të saj. Nëse Skënderbeu do të jetonte sot, nuk do të kishte SHBA, nuk do të kishte drone, nuk do të kishte aeroplanë, sepse të gjitha këto u shpikën në Europën dhe në produktin e Europës që ishte SHBA (në vendet e zhvilluara aziatike këto shpikje u çuan nga europianët dhe amerikanët) dhe në vend të tyre Europa do të kishte lodrat osmane me karagjozë. Sipas Jazexhiut, Skënderbeu i përmbush kriteret moderne për t’ u klasifikuar si terrorist sepse ai u rebelua kundër shtetit të tij, Turqisë dhe vrau e grabiti civilë e zyrtarë osmanë. 

Jazexhiu, meqenëse sot paguhet nga Turqia, mendon se edhe në atë kohë ekzistonte shteti turk, kur në atë kohë ekzistonte Perandoria Osmane. Dhe Perandoria Osmane nuk ishte shteti i Skënderbeut, por ishte shteti që kishte pushtuar vendin e tij, Shqipërinë. Prandaj Skënderbeu kishte të drejtë të luftonte kundër pushtuesit. Këta civilët e zyrtarët osmanë për të cilët flet Jazexhiu nuk i kishte ftuar kush që të vinin në Shqipëri, ata kishin ardhur me kolonat ushtarake, si familjarë, shërbyes, punonjës etj. Edhe sipas rregullave të sotme të luftës, civilët që udhëtojnë me kolona ushtarake, nuk mund të jenë shkak që të mos goditen caqet ushtarake. Por ishin osmanët ata që bënë masakra të panumërta kundër popullsisë civile dhe këtë gjë e thonë me krenari kronikanët zyrtarë osmanë, të cilët shoqëronin ushtritë osmane në Shqipëri. Atë pjesë të popullsisë civile që nuk e vrisnin, osmanët e skllavëronin për ta shitur në tregjet e skllevërve. Prandaj popullsia civile detyrohej të fshihej nëpër male. Jazexhiu thotë se Skënderbeu ishte terrorist, sepse ai përdori dhunë të organizuar kundër osmanëve. 

Por osmanët si erdhën në Shqipëri? Në paqe, si turistë? Jo erdhën si hordhi të armatosura të dhunshme. Si agresorë. Dhe ndaj agresorit përdoret dhunë e organizuar, e cila quhet qëndresë. Jazexhiu bën dhe një paralelizëm të Skënderbeut me kreun e ISIS Abu Bakr al-Bagdadi, si dhe të luftës së tyre, kur shkruan: “Lufta që Skënderbeu bëri kundër shtetit osman, ideologjia e tij kristjane fondamentaliste, masakra kundër myslimanëve, besnikëria ndaj Papës së Romës, etj., nuk e ndryshojnë shumë luftën e Skënderbeut nga lufta e ISIS-it dhe e Abu Bakr al-Bagdadit. Sikur Abu Bakr al-Bagdadi, Skënderbeu, i cili mori titullin Atlet i Krishtit nga Papa, pretendonte se kishte një mision hyjnor në luftën që ai bënte. Nëse Abu Bakri al-Bagdadi i vret njerëzit në emër të Islamit dhe pretendon se është kampion i muhamedanizmit, Skënderbeu luftën e tij e justifikoi në emër të Krishtit. Nëse Abu Bakr al-Bagdadi dhe ISIS-i mbështetet nga vehabizmi ndërkombëtar, edhe Skënderbeu u mbështet nga fondamentalizmi katolik evropian i kohës. Taktikat e dhunshme të Skënderbeut, masakrat e civilëve dhe lufta kundër shtetit të kohës, i ngjajnë shumë taktikave që ISIS-i përdor sot kundër shtetit sirian. Sikur ISIS-i që përdor sulme vetëvrasëse, sulmon e fshihet etj, edhe Skënderbeu këtë bënte me kryqtarët e tij. Paralelet mes Skënderbeut dhe Abu Bakr al-Bagdadit janë pa fund dhe unë jam i gatshëm të sfidoj çdo historian serioz për këtë punë”. Në të vërtetë, Perandoria Osmane ishte ISIS i kohës, sepse kishte shpallur Xhihadin, luftën e shenjtë islamike për pushtimin e Europës. Sulltanët osmanë me të cilët luftoi Skënderbeu, ishin homologët e Abu Bakr al-Bagdadit. Sulltan Mehmeti II ishte betuar të hynte me kalë në Kishën e Shën Pjetrit në Romë. Skënderbeu, Papët, Europa ishin në vetëmbrojtje përballë agresionit osman. Meqenëse shqiptarët e kohës së Skënderbeut dhe europianët e tjerë, u sulmuan si të krishterë, nga osmanët islamikë, ata u mbrojtën si të krishterë. 

Skënderbeu në luftën e tij kombinoi taktikat e luftës frontale me ato të guerriljes. Sigurisht që taktikat e Skënderbeut do të ishin të dhunshme se ai ishte përballë një agresioni barbar. Perandoria Osmane e kohës së Skënderbeut, ishte krejt e ngjashme me ISIS sot, sepse luftonte për të marrë nën kontroll vendet e shenjta të botës islame në Gadishullin Arabik, Mekën dhe Medinën, të cilat nuk i takonin me trashëgimi familjes së Osmanit, për të pasur kujdestarinë mbi to. E megjithatë, osmanët, ashtu si ISIS, pushtuan Sirinë dhe Jordaninë e sotme dhe pastaj kaluan në Gadishullin Arabik ku morën nën kontroll Mekën dhe Medinën, që janë objektivi final i ISIS në Lindjen e Mesme. Familja e Osmanit uzurpoi vendet e shenjta islame, ashtu siç kërkon të bëjë ISIS sot. Nga këto që shkruan Jazexhiu, kuptohet se ai është një sharlatan islamik. Por një sharlatan i paguar nga shërbimet e fshehta turke. Është një tregues i joseriozitetit të disa drejtuesve të emisioneve në televizionet e rëndësishëm shqiptarë, që e ftojnë Jazexhiun në cilësinë e ekspertit për çështjet e Islamit, Lindjes së Mesme etj.
Sigal