Flet Socialogu Gëzim Tushi për Telegraf.al
– Në këto tri dekada janë larguar përmes valëve të emigracionit të rregullt apo klandestin më shumë se një milion njerëz.
–Nga njëra anë ulet mosha e forcës aktive të punës në ekonomi dhe nga ana tjetër, rriten shpenzimet e të moshuarve për sigurimet e tyre shëndetësore e shoqërore.
– Për të mbajtur konstant këtë numër të popullsisë që kemi, do të duhej të kishim 2.1 fëmijë për grua.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Emigracioni po rritet në masa galopante kryesisht te të rinjtë. Fshatrat po boshatisen dhe në bujqësi dhe blegotori nuk ka fuqi punëtore. Sipas statistikave popullsia e Shqipërisë po shkon drejt plakjes, kjo e ndikuar nga emigrimi. Vendi është prekur nga rritja graduale e moshës së popullsisë, e cila po ndryshon strukturën demografike të vendit. Sipas INSTAT, mosha mesatare e popullsisë së BE-së arriti në 44.5 vjeç në 1 janar 2023. Kjo do të thotë se gjysma e popullsisë së BE-së ishte më e vjetër se 44.5 vjeç, ndërsa gjysma tjetër ishte më e re. Mosha mesatare e popullsisë së BE-së është rritur me 2.3 vjet që nga viti 2013, kur ishte 42.2 vjeç, ndërsa popullsia e Shqipërisë për të njëjtën periudhë është plakur me 4.5 vite ritme dy herë më të lartë se mesatarja e Europës. Më 1 janar 2023, në të gjithë anëtarët e BE-së, mosha mesatare varionte midis 38.4 vjeç në Qipro dhe 48.4 vjeç në Itali. Midis 2013 dhe 2023, mosha mesatare u rrit në të gjithë anëtarët e BE-së, përveç Maltës dhe Suedisë, ku u ul (përkatësisht -0,4 dhe -0,1 vjeç), dhe Gjermanisë, ku mosha mesatare mbeti e pandryshuar. Në pesë vende të BE-së, mosha mesatare e popullsisë u rrit me 4 vjet ose më shumë. Mosha mesatare në Portugali u rrit me 4.4 vjet, më së shumti ndër vendet e BE-së. Pasuan Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Italia, duke shënuar rritje prej 4.0 vitesh dhe Shqipëria me 4.5 vite. Vendi Europian me popullsinë më të re në moshë është Kosova me moshe mediane 31.1 vite me 2022, Azerbajxhani me 33.8 vite, Islanda me 36.7 vite dhe Shqipëria me 38.2 vite në të njëjtin nivel më Gjeorgjinë. Në krahun tjetër Italia është shteti me popullsinë më të plakur të Europës me moshë mendiane 48 vite, më tej si shteti më i plakur i Europës vjen Portugalia me 48.8 vite, Greqia me 46.1 vite, Gjermania me 45.8 vite. Ikja e popullsisë në emigracion, kryesisht në moshë të re dhe rënia e lindjeve po sjellin një rritje të moshës mediane, që është mosha që e ndan popullsinë përgjysmë. Sipas INSTAT, Në 1 janar 2023 mosha medianë e popullsisë rezulton 38,8 vjeç nga 38,2 që ishte më 1 janar 2022. Në 1 janar 2023 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2022: nga 24,0% në 23,8%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 23,1% në 24,4% gjatë të njëjtës periudhë. Për këto problem do na japë disa përgjigje socialogu Gëzim Tushi…

-Flitet shumë për plakjen e popullsisë në Shqipëri. Kjo plakje po sjell shumë probleme në ekonomi, por edhe në perspektivën e zhvillimit të vendit. Faktori kryesor sipas analistëve e kësaj plakjeje është emigrimi masiv i të rinjve. Ata për një jetë më të mirë, po i drejtohen vendeve të BE kryesisht Anglisë dhe Gjermanisë. Po ju lexoj edhe shifrat sipas INSTAT. Çfarë do të ndodhë nëse plakja dhe emigrimi do vazhdojë me këto ritme? Si do t’i komentonit ju këto shifra? Cilat janë shkaqet e këtyre fenomeneve?
Po, e drejtë. Sipas INSTAT që ju cituat, në 1 janar 2023 mosha medianë e popullsisë rezulton 38,8 vjeç nga 38,2 që ishte më 1 janar 2022. Në 1 janar 2023 raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2022: nga 24,0% në 23,8%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 23,1% në 24,4% gjatë të njëjtës periudhë. Sigurisht plakja e popullsisë dhe emigrimi janë të lidhura me njëra-tjetrën. Janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Nëse ikin të rinjtë, në emigracion detyrimisht popullsia do të plaket. Fenomeni i plakjes së popullsisë është një dukuri globale, e cila është kthyer në një “epidemi demografike”, që ka përfshirë të gjithë vendet. Sidomos ato të zhvilluara, europiane dhe më gjerë. Plakja me ritme të shpejta e popullsisë në Shqipëri nuk është vetëm një shqetësim demografik, por është me pasoja edhe në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Sepse, nga njëra anë ulet mosha e forcës aktive të punës në ekonomi dhe nga ana tjetër, rriten shpenzimet që duhen për të përballuar nevojat dhe kostot e shtresës së të moshuarve për sigurimet e tyre shëndetësore e shoqërore. Plakja e popullsisë është një dukuri, që ka shkaqet e saj. Tashmë është prezent edhe në Shqipëri, e cila nëse dikur ishte vendi europian me moshën më të re, rreth 27 vjeç, sot ka arritur mesataren e moshës 35 vjeç. Edhe pse nga pikëpamja e moshës mesatare nuk jemi ndër listën e vendeve me popullsi me moshë të plakur, shqetësues është ritmi i lartë i procesit të plakjes, që është nga më të lartit në Europë. Kjo sepse shpejtësia e plakjes së popullsisë shqiptare është akseleruar dhe shfaqet me dinamikë të lartë. Mjafton të themi se nëse në vitin 2006 mosha mesatare ishte 31.8 vjeç, tani e ka kaluar moshën 37.2 vjeç. Shkaqet janë të shumta, me natyrë materiale dhe kulturore, që lidhen me ndryshimin e konceptit për jetën, ndryshimin e tipologjisë së martesës, strukturës së familjes, kontrollin e lindjeve, etj. Së pari, një nga shkaqet evidente është ulja drastike e lindshmërisë. Të dhënat flasin për një ulje të ndjeshme të saj. Kjo ka bërë që nga 5 fëmijë për grua që kishte shoqëria jonë në vitin 1970, sot ajo ka zbritur në 1.67. Ndërkohë që për të mbajtur konstant këtë numër të popullsisë që kemi, do të duhej të kishim 2.1 fëmijë për grua. Pra, kemi kaluar në një situatë kur ndodhemi nën normën e zëvendësimit aritmetik të popullsisë. Së dyti, zgjatja e jetës është një tjetër tregues që dëshmon për plakjen e popullsisë dhe prishjen e raporteve midis moshës së re aktive dhe të moshuarve. Së treti, emigracioni është një nga shkaqet me peshë që akseleron treguesit mekanikë të plakjes së popullsisë. Sepse në këto tri dekada janë larguar përmes valëve të emigracionit të rregullt apo klandestin më shumë se një milion njerëz. Një fenomen që po vazhdon edhe kohët e fundit, duke u shfaqur si një lloj “emigracioni i vonuar”. Kjo dukuri, (emigracioni), ka bërë që nga Shqipëria të largohen kryesisht mosha rinore dhe njerëz të aftë për punë, duke ndikuar në prishjen e raporteve midis popullsisë së re në moshë dhe njerëzve të moshuar. Ndikimi i emigracionit në plakjen e popullsisë duhet vlerësuar në të gjithë aspektet, sepse pasojat janë komplekse dhe afatgjata, demografike, ekonomike, sociale e financiare.
-Emigracioni tashmë duket si një fenomen i pandalshëm. Madje po shtohen dhe bashkimet familjare dhe zonat rurale thuajse janë të boshatisura. Të ardhmes nuk i dihet ende. Kur do ndihen më shumë problemet e emigracionit të të rinjve dhe fenomeni i largimit të profesionistëve?
Largimi i të rinjve dhe profesionistëve ka filluar të ndihet ndjeshëm. Kudo shihen afishe ku kërkohen punëtorë të profesioneve të ndryshme. Largimi i njerëzve nga vendi, zgjerimi emigracionit, ulja e natalitetit ka filluar të shfaqë patologji sociale, të cilat nesër mund të agravohen dhe pasojat mund të kenë kosto më të mëdha demografike, sociale, ekonomike e financiare. Që tani kanë filluar të ndihen mungesa në tregun e punës për fuqi punëtore të kualifikuar, apo “bruto”. Po pakësohet numuri i të rinjve, që janë të gatshëm të hyjnë në tregun e punës. Po prishet raporti midis atyre, që futen në tregun e punës me ata që dalin në pension, në favor të kësaj kategorie. Nëse ecet në këtë rrugë atëhere do të duhet të “importojmë” nga jashtë brezin e ri, për të plotësuar nevojat e tregut të punës. Tejet shqetësues është fenomeni i largimit të profesionistëve, njerëzve të shkolluar e profesionistë të nivelit elitar, të cilët po krijojnë vakume të ndjeshme në fusha të tilla sikurse janë mjekësia, bujqësia, bota akademike e universitetet, etj. Largimi i njerëzve që këtu kanë status social të garantuar, nivele page relativisht të qëndrueshëm, është një dukuri që duhet ta bëjë klasën politike dhe në përgjithësi ata që janë në bordin e shoqërisë që të mendohen mirë dhe me përgjegjësi politike e patriotike, të mendojnë për të gjetur zgjidhjet për ta përballuar dhe demotivuar këtë dukuri retrograde. Sepse sido që të jetë plakja e popullsië, në mënyrë të pashmangshme nëse ecën me këto ritme, do të ketë pasoja serioze edhe mbi nivelin aktual të jetesës në Shqipëri. Aq më tepër kur niveli i zhvillimit ekonomik, nuk garanton se rritja dhe nevojat ekonomike do mund të përballohen me rritjen e rendimentit të prodhimit. Politika duhet të tregohet e kujdesshme, sidomos më e aftë dhe vigjilente për të lexuar dhe parashikuar të ardhmen në mënyrë që të shmangë krizat e mundshme të së ardhmes.




















