Gëzim Llojdia: “Koha e radhëve…”

Një kohë ku jeta ecte ngadalë, me hapa të vegjël, duke u ndalur para sporteleve dhe dyerve të mbyllura. Në ato radhë u konsumuan vite. U plakën njerëz. U shuan ëndrra të vogla dhe u mësua durimi si fat. Sot, radhët nuk janë më po ato, por kujtimi i tyre mbetet. Sepse kush ka jetuar në kohën e radhëve, e di se pritja nuk ishte thjesht një gjendje e përkohshme. Ajo ishte mënyrë jetese.

1.Dikur ishte koha e radhëve. Një kohë kur jeta nuk ecte përpara, por rridhte ngadalë. Ecte si ujë që përplaset mbi gurë të mëdhenj. Nuk matej me ditë e net. Dhe as me javë, por me orë të gjata në këmbë. Dhe me shikime të ngulura drejt sporteleve të mbyllura, por njerëzia endej në rradhë. Dhe me shpresë që shuhej para se të lindnin. Radhët u bënë “gjuha e përditshme” e njerëzve.Ai ishte vendi ku mësohej durimi. Ishte vendi ku heshtja vlente më shumë se fjala dhe ku njeriu prishej dhe ringrihej çdo ditë. Aty nuk pritej thjesht për bukë,vajgur, qumësht rroba aty pritej për një copë të vogël shprese. Dhe për një shenjë se ekzistonte ende, se nuk ishte harruar. Ishte një kohë e varfër në gjëra. Një kohë e pasur në pritje dhe në ëndrrat e fshehura midis trupave të lodhur. Një kohë që na mësoi se durimi dhe heshtja mund të jenë më të forta se çdo pasuri. Dhe se çdo radhe, çdo pritje, ruante brenda vetes një pjesë të botës që nuk duhej humbur.


2.Aso kohe, jeta nuk matej me ditë. Ajo matej me radhë. Radhë të gjata, të heshtura, që zgjateshin si hije . Radhë që të mësonin durimin pa shpresë. Dhe pritjen pa pyetje, dhe heshtjen si virtyt të detyruar.Ishte moda e radhëve, por një modë e zymtë, pa ngjyra, pa zgjedhje.

Sigal

Radhë për qumësht.

Radhë për gjizë.

Radhë për bukë.

Radhë për vajgur.

Radhë për copat turke . Radhë të pafundme, ku njerëzit rrinin në këmbë me orë të tëra, me sytë ngulur te sporteli, sikur aty të ishte fati i tyre.

Radhë për vezë.

Radhë për një pako gjalpë.

Radhë për njëqind gramë sallam.

  1. Por më të tmerrshmet ishin radhët e Vitit të Ri.

Radhë për një kilogram mish derri.

Një kilogram mish kau.

Një kilogram mollë e portokalle.

Festa niste me pritje dhe mbaronte me lodhje. Gëzimi shtyhej për nesër, ndërsa sot duhej duruar.

Njerëzit zinin radhën që në agim. Pleqtë ngryseshin aty dhe gdhiheshin po aty, me këmbët e mpira dhe shpinën e përkulur.Tregohej shpesh historia e Arshiut. Në radhën e Vitit të Ri, ai e la gruan në pritje dhe u nis për në Vlorë, në këmbë. Katër orë vajtje, katër orë kthim. Bleu vezë dhe u kthye i lodhur, me frymën e rënduar. Kur mbërriti, e gjeti ende në radhë.

-Hajde, dil, -i tha, se i bleva vezët.

Por ajo ishte ende aty. Radha nuk kishte lëvizur. Koha kishte kaluar, por jeta kishte mbetur në vend, sikur të ishte ngurosur bashkë me njerëzit.Në këto radhë përhapej gjithçka. Thashethemet, shpresat e vogla, barcaletat që qeshnin me frikë. Aty lindnin fjalë që nuk duhej të lindnin.

Sekrete të supozuara nga mbledhjet e Byrosë Politike, të pëshpëritura me zë të ulët, me kujdes, me paralajmërimin e përhershëm: “Këtë s’duhet ta marrë vesh njeri.”Por fjala kishte këmbë. Për një natë, përshkonte vendin, nga një fermë e humbur deri në Kukësin e largët, duke dëshmuar se edhe në pritje, edhe në heshtje, njerëzit gjenin mënyra për të kaluar kohën.

4.Radhët ishin gjithçka. Aty njerëzit flisnin, sepse nuk kishin ku të shkonin.

Prisnin, sepse nuk kishin çfarë të bënin tjetër. Aty qeshnin, ziheshin, thinjeshin. Aty mësonin të jetonin duke pritur, duke e marrë pritjen si një mësim të pashkruar. Kjo ishte jeta në fermat bujqësore të krijuara pas çlirimit dhe në nëpër qytete.Një jetë e varfër, e ngadaltë, e rëndë, që ecte me hapa të vegjël dhe ndalej shpesh. Një jetë ku njerëzit nuk shkonin përpara, por rrinin në radhë, me sytë nga sporteli dhe mendimet larg. Dhe pritja, ditë pas dite, nuk ishte më thjesht pritje. Ajo bëhej mënyrë jetese. Dhe plagë e heshtur, që nuk dukej, por dhembte. Ajo kohë e humbur nëpër rradhë ishte një fat i përbashkët, që i mbante njerëzit të lidhur pas njëri-tjetrit, jo nga shpresa, por nga mungesa.


5.Radhët për copat turke nuk ishin thjesht pritje për një mall të rrallë. Ato ishin provë durimi.Dhe ushtrim nënshtrimi dhe, mbi të gjitha, përpjekje për të ruajtur dinjitetin në një jetë që e kishte bërë të varfër edhe shpresën. Njerëzit mblidheshin që në errësirë, para se dita të merrte frymë.

Gratë rrinin të shtrënguara fort pas njëra-tjetrës, sikur brenda vetes të kishin fshehur ëndrra të vogla prej cope.Vajzat qëndronin pak më mënjanë, të heshtur, duke hedhur vështrime nga dera që nuk hapej kurrë në kohë. Askush nuk pyeste sa copa kishin ardhur. Qëndronin në këmbë për orë të tëra. Këmbët mpiheshin, shpinat kërruseshin, fytyrat zbardheshin nga lodhja dhe të ftohtit. Por askush nuk largohej. Sepse copat turke nuk ishin vetëm pëlhurë. Ato ishin një fustan për vajzën që rritej shpejt, një shenjë se edhe ajo kishte të drejtë të dukej bukur, qoftë edhe për një ditë. Në radhë shihje fytyra të ngrira nga pritja dhe mendime që vraponin larg. Gra që përkëdhelnin me mend rrobat që ende nuk i kishin. Vajza të reja që shikonin fshehurazi njëra-tjetrën, duke matur gjatësinë e trupit, duke imagjinuar veten ndryshe, qoftë edhe për një mbrëmje të vetme. Fjalët qarkullonin me kujdes. Dikush thoshte se copat ishin të mira, dikush tjetër se ishin të holla, por “të paktën mbanin”. Thashethemet përziheshin me psherëtima dhe me shpresa që nuk guxonin të thuheshin me zë. Dikush qeshte shkurt, dikush shante fatin nën zë. Askush nuk guxonte të zemërohej hapur. Kur më në fund sporteli hapej, radha shtrëngohej. Njerëzia afroheshin një nga një, me frikën se mos u vinte radha dhe malli kishte mbaruar. Ca largoheshin me copën e mbështjellë fort në krahë. Të tjerat ktheheshin me duar bosh, me sytë nga toka, duke mos guxuar të shikonin askënd. Ata që mbeteshin pa copë nuk ankoheshin. Dhe shitsja që u thoshte :Do vijnë muajin tjetër…

Në ato radhë, njerëzit nuk prisnin vetëm për rroba. Prisnin për një shenjë se nuk ishin harruar, për një dëshmi të vogël se dikush, diku, i kishte ende parasysh. Prisnin për një grimë normaliteti, për një copëz jete që dukej se u ishte mohuar. Dhe shpesh, pritja ishte më e gjatë se vetë shpresa, dhe më e lodhshme se varfëria. Ata që nuk e kapnin radhën nuk ankoheshin.Thjesht ktheheshin mbrapsht më të heshtur se sa kishin ardhur, me hapa të rëndë dhe shikimin ulur.. Në ato radhë, njerëzit nuk prisnin vetëm për rroba. Prisnin për të ndier, qoftë edhe për një çast të vetëm, se ishin ende pjesë e botës, se nuk kishin mbetur jashtë saj. Dhe shpesh, ajo pritje zgjaste më shumë se vetë jeta, duke u kthyer në kujtim, në zakon, në fat. Një fat që u mësoi të jetonin duke pritur. Koha e radhëve nuk ishte vetëm një kohë mungesash. Ishte një kohë që na mësoi të prisnim edhe kur nuk kishte më çfarë të vinte. Një kohë ku jeta ecte ngadalë, me hapa të vegjël, duke u ndalur para sporteleve dhe dyerve të mbyllura. Në ato radhë u konsumuan vite.U plakën njerëz. U shuan ëndrra të vogla dhe u mësua durimi si fat. Sot, radhët nuk janë më po ato, por kujtimi i tyre mbetet. Sepse kush ka jetuar në kohën e radhëve, e di se pritja nuk ishte thjesht një gjendje e përkohshme. Ajo ishte mënyrë jetese. Dhe ndonjëherë, edhe sot, pa e kuptuar, vazhdojmë të presim…