Frank SHKRELI/ Të bashkuar kundër agresionit Rus!

614
Sigal

 Të hënën, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama u takua në Hagë me udhëheqësit e grupit G-7 të vendeve më të industrializuara të botës. Udhëheqësit e  Kanadasë, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara , si dhe Presidenti i Këshillit të Europës dhe Presidenti i Komisionit Europian lëshuan të ashtuquajturën, “Deklaratë e Hagë”, me të cilën shprehën qëndrimin e përbashkët në mbështetje të sovranitetit, integritetit territorial dhe të pavarësisë së Ukrainës dhe njëkohësisht dënuan agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës. Si ndëshkim ndaj Moskës, ata njoftuan, gjithashtu, edhe përjashtimin e Rusisë nga G-8 me arsyetimin se, “ky grup ishte formuar për shkak të vlerave, qëndrimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta”, duke thënë se, veprimet e Rusisë javët e fundit ndaj Ukrainës, nuk janë në përputhje me këto vlera. Udhëheqësit e G-8 njoftuan, gjithashtu, mospjesëmarrjen e tyre në takimin e nivelit të lartë të G-8 që ishte në plan të mbahej në qytetin rus Soçi, duke thënë se, do të anulojnë pjesëmarrjen në formatin e G-8 dhe në vend të saj do të takohen si G-7 në Qershor, në Bruksel. Në deklaratën e tyre, udhëheqësit e 7 vendeve më të industrializuara të botës thanë se, ligji ndërkombëtar ndalon grabitjen me forcë të territorit të një shteti dhe dënuan përpjekjet ilegale të Rusisë për aneksimin e Krimesë, si një masë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe me detyrimet ndërkombëtare. Në deklaratën e tyre ata theksuan qëndrimin e përbashkët se, masat e Rusisë do të kenë pasoja të rënda, duke thënë se, si shtete individë dhe si grup kolektiv, ata kanë vendosur një seri sanksionesh kundër Rusisë, personave dhe entiteteve që janë përgjegjës për situatën e krijuar në Ukrainë. Udhëheqësit e G-7 thanë gjithashtu, në deklaratën e tyre, se ata janë të gatshëm të shtojnë masat ndëshkuese ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksionet që do të prekin sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, në qoftë se Moska nuk fillon të qetësojë gjendjen, duke përdorur kanalet diplomatike, që sipas tyre, mbeten të hapura për bisedime. Ata nënvizuan se: “Rusia ka një alternativë të qartë…Rusia duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe njëkohësisht të fillojë bisedimet me qeverinë e atij vendi dhe të jetë e hapur dhe e gatshme për ndërmjetësim ndërkombëtar për zgjidhjen e shqetësimeve legjitime që ajo mund të ketë”. Grupi G-8, njëherazi ritheksoi qëndrimin e tyre të vendosur, në mbështetje të popullit ukrainas, i cili po përpiqet të rivendosë unitetin, demokracinë, stabilitetin politik dhe prosperitetin ekonomik të vendit”. Pyetja është nëse kjo deklaratë e udhëheqësve të vendeve më të industrializuara, G-7, e bërë të hënën në Hagë është e mjaftueshme ose jo për të ndryshuar masat që Vladimir Putini ka ndërmarrë deri tani dhe nëse do të mund të parandalojë zbatimin e planeve të mëtejshme të tij, për të grabitur territore të tjera të Ukrainës, ose ndonjë vendi tjetër në periferi të Rusisë. Dhe nëse sanksionet e njoftuara deri tani nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Europian (BE), do të kenë ndonjë efekt negativ në ekonominë ruse, apo janë vetëm simbolike? Paul Ivan, një analist i Qendrës Europiane për Politikë në Bruksel tha për BBC-në, se: “Rusia mund të humbasë shumë nga sanksionet. Rusët janë më të varur nga ekonomia europiane se sa varemi ne nga ekonomia e tyre”. Ai nënvizoi se, më shumë se gjysma e buxhetit të Rusisë vjen nga gazi dhe nafta që ajo shet në Europë dhe se, sanksionet perëndimore ndaj këtij sektori të ekonomisë ruse mund të jenë më shumë se simbolike. Për më tepër, Bashkimi Europian ka njoftuar se është duke marrë masa për të qenë më pak i varur nga burimet energjetike të Rusisë, megjithëse sipas burimeve nga kjo organizatë, vetëm 25% e gazit që përdorin vendet e BE-së importohet nga Federata Ruse. Ndërsa, vërejtës të tjerë mendojnë se, historikisht, sanksionet nuk janë aq të efektshme. Një ndër ‘ta është ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, i cili thotë për REL se: “Këtu kemi të bëjmë me të ardhmen e Ukrainës dhe se gjëja më me rëndësi tani është që të ndihmohet Ukraina, ekonomikisht dhe politikisht, që demokracia e re në atë vend të dalë me sukses”. “Çdo ndihmë për Ukrainën”, sipas kryediplomatit suedez, “është një shkop për Moskën”. Ndërkaq, edhe nga kjo anë e Atlantikut, Senati amerikan zhvilloi dy ditë më parë një debat, duke avancuar një projektligj me 78 vota në favor dhe 17 kundër, për të imponuar sanksione amerikane kundër Rusisë dhe për të ndihmuar Ukrainën ekonomikisht dhe politikisht, si dhe për të promovuar demokracinë dhe sigurimin në atë vend. Shtëpia e Bardhë e mirëpriti masën e ndërmarrë nga Senati Amerikan, duke thënë se është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të luajnë rolin kryesor për të ndihmuar Ukrainën. Por ka edhe zëra të tjera, kryesisht kritikë ndaj politikës së administratës së Presidentit Obama karshi gjendjes së krijuar në Ukrainë, si edhe për zhvillimin e marrëdhënieve amerikano-ruse, në përgjithësi. Një ndër analistët e njohur amerikan Çarlës Krauthamer – komentet e të cilit lexohen anë e mbanë Amerikës – tha për rrjet televizionit “Fox” se, Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë Vladimir Putinin të mendojë mirë mbi koston e agresioneve të tjera, duke sugjeruar se, Shtetet e Bashkuara duhet t’i ishin përgjigjur pozitivisht asaj që thuhet se ishte një kërkesë nga Ukraina për furnizim me armë.  Komentatori amerikan shtoi se, Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë asnjë masë konkrete që ta bëjnë Putinin të mendojë mirë se çfarë mund të ndodhë, në qoftë se ai ndërmerr ndonjë agresion tjetër kundër sovranitetit territorial të vendeve në periferi të Rusisë, dhe kjo sipas tij, në vetvete është një skandal. Ndërsa profesori Timothy Snyder pranë Universitetit Yale, në Shtetet e Bashkuara, në një kryeartikull për CNN thotë se, në qoftë se Rusia lejohet të kapërdij Ukrainën, atëherë sistemi europian ka marrë fund. Ai shkruan se, kriza në Ukrainë po i detyron europianët të mendojnë përsëri për periudhën e hidhët të viteve 30-të të shekullit të kaluar, si dhe mbi origjinën dhe shkaqet e Luftës së Dytë Botërore. Profesori amerikan Timothy Snyder shkruan se, ashtu siç justifikon sot Putini agresionin e tij në Ukrainë, për të mbrojtur pakicën ruse atje, edhe Hitleri më 1938 në Austri pretendonte të mbronte pakicat etnike gjermane. Me rënien e Austrisë, shkruan ai, udhëheqësit europianë tradhtuan Çekosllovakinë dhe pjesa tjetër është histori. Profesori Snyder përfundon duke nënvizuar se, grabitja e Krimesë nga Rusia putiniste kishte për qëllim të paraqitej si një sfidë ndaj Europës, për të provuar se vlerat Europiane nuk mund të mbrojnë as vetveten. Ky është një moment historik, sidomos për Europën, por edhe për botën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet të mbështesin paqen në Europë nëpërmjet një politike dhe masash të forta, për të kundërshtuar agresionin e Rusisë putiniste në Ukrainë dhe më gjerë. Së bashku, duhet t’ia bëjnë të qartë Moskës se, ata nuk do të injorojnë faktet e historisë, për të cilat flet më lartë profesori amerikan Timothy Snyder dhe as nuk do të injorojnë politikën agresive të një udhëheqësi të çmendur që dëshiron të rikrijojë atë që Presidenti amerikan, Ronald Reagan ka quajtur “perandoria e së keqes”. Kjo është një luftë midis të mirës dhe të keqes, e cila duhet të fitohet nga forcat e paqes në Europë dhe të stabilitetit në botë.

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë