Frank Shkreli*: Suzanna Shkreli, dy javë para zgjedhjeve në Kongresin Amerikan

562
Sigal

 Po ngushtohet hendeku në fushatën
për Kongres në lagjën elektorale numër 8 të shtetit Miçigan ku po bën garë
shqiptaro-amerikania, Suzana Shkreli. 
Kështu shkruan Gazeta Detroit News, e cila thekson se Kongresisti i
mandatit të parë nga zonë elektorale e shtetit Michigan, Mike Bishopi Partisë
Republikane –i cili konsiderohej se kësaj radhe do të fitonte lehtë mandatin e
dytë për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara –tashti dy javë para zgjedhje vetë
8 nëntorit, përballet me një sfidë agresive nga një politikane e re në fushatën
për në Kongresin Amerikan, Kandidatja e Partisë Demokrate, 29-vjeçarja Suzanna
Shkreli, prokurore në lagjen “Macomb”. Gazeta thotë se ajo ka mbledhur më shumë
fonde dhe është duke shpenzuar më shumë se kundërshtari i saj, ç’prej kohës që
njoftoi kandidaturën e saj në korrik. 
Por kongresisti republikan Bishop, shton gazeta e Detroitit,
konsiderohet ende në avantazh me një sasi më të madhe fondesh në përgjithësi.
Në një takim javën që kaloi në New York, Suzanna Shkreli tha se kishte filluar
transmetimin e reklamave politike në televizion, ndërsa gazeta Detroit News
njoftoi të premten se kandidatja demokrate po transmeton një seri reklamash
politike duke e lidhur kundërshtarin e saj Mike Bishop me kontribute nga
koorporata të ndryshme si dhe me komentet e vitit 2005 jo të hijshme për femrat,
të kandidatit republikan për president, Donald Trump. Sipas analistëve ka
mundësi që problemet me të cilat përballet fushata e Trumpit për president të
ndikojnë negativisht anë e mbanë vendit, jo vetëm në fushatën presidenciale, por
edhe në fushatën e kandidatëve republikanë për Senatin dhe Dhomën e
Përfaqësuesve, duke shkaktuar humbjen e tyre ditën e zgjedhjeve në një numër më
të madh se ç’pritej, duke humbur kështu shumicën që tani gëzojnë republikanët
në të dy dhomat e Kongresit.
Gazeta shkruan se
megjithëse kandidati republikan Bishop se në një përpjekje për t’u distancuar
nga Trump, u ka thënë votuesve se, “është i zhgënjyer nga komentet agresive
seksuale” që Trumpi ka bërë rreth femrave në vitin 2005, po ai, shton gazeta,
nuk e ka tërhequr mbështetjen e tij ndaj kandidatit republikan për president,
duke thënë se ai dëshiron të përqendrohet në çështjet ekonomike. Ndërsa
kandidatja e Partisë Demokrate, Shkreli është shprehur, sipas gazetës, se
kritikat ndaj mbështetjes së kundërshtarit të saj për Donald Trump për
president janë me vend. “Votuesit duan të dinë”, ka thënë Shkreli, “nëse
kundërshtari i saj do të vazhdojë të mbështesë kandidatin republikan për
president, i cili ka denigruar një hero të luftës dhe është tallur me një gazetar
me aftësi të kufizuara, a do të vazhdojë të përkrahë njeriun që ka fyer
familjen e një ushtari të rënë në luftë dhe që tani tallet me sulmet seksuale
sikur të mos ishin asgjë”. Megjithëse shqiptaro-amerikania Suzanna Shkreli merr
pjesë për herë të parë në një fushatë politike dhe megjithëse ajo ka filluar
vonë fushatën vonë, pas tërheqjes për arsye shëndetësore së kandidates së parë
të nominuar nga Partia Demokrate “Cook Political Report” një organizatë e
pa-anshme e cila analizon fushatat dhe zgjedhjet anë e mbanë Amerikës, njoftoi
se demokratët po tregojnë një entuziazëm të papritur dhe të dukshëm ndaj
kandidaturës së Suzanna Shkrelit për të përfaqësuar zonën elektorale numër 8 të
shtetit Miçigan, në KongresinAmerikan. “Cook Political Report” cilëson se
hendeku i përkrahjes për të dy kandidatët po ngushtohet në këtë zonë elektorale
që përfshinë lagjen demokrate Lansing, por përfshinë gjithashtu edhe shumë
republikanë të edukuar të cilët mund të jenë të zhgënjyer për faktin se
kundërshtari republikani Suzana Shkrelit përbën një pengesë për kandidatin
republikan Mike Bishop, i cili vazhdon të mbështesë Donald Trumpin për
president dhe si rrjedhim, thuhet se kjo mund të shkojë në favor të kandidates
demokrate Suzana Shkreli.  Redaktori dhe
botuesi i Rothenberg&Gonzales Political Report, Nathan Gonzales citohet të
ketë thënë se, “Në përgjithsi, demokratët besojnë se kësaj radhe do ta mundin
republikanin Bishop” dhe se deklaratat e Donald Trumpit mund të ndihmojnë për
ta mundur Mike Bishop. Suzana Shkreli shkruan në faqen e saj facebook se
komentet e fundit të Doland Trump janë më tepër se ofenduese dhe se kongresisti
Bishop duhet t’i denoncojë ato menjëherë dhe të tërheqë mbështetjen e tij për kandidatin
republikan për president. Ndërsa zyrtarët e fushatës së kongresistit Bishop
thonë se janë të sigurt se kandidati i tyre do të fitoj përsëri në zonën
elektorale ku ai fitoi me mbi 12 përqind të votave në krahasim me kundërshtarin
e tij demokrat në vitin 2014. E vërteta është se sipas disa shenjave, fushata
në këtë zonë elektorale për në Kongresin Amerikan po zhvillohet në një mënyrë
që ka tërhequr vëmendjen e udhëheqësve më të lartë të dy partive kryesore,
Partisë Demokrate dhe Partisë Republikane. Pak kohë më parë në atë zonë ishte
ftuar të bënte fushatë në mbështetje të kongresistit republikan Bishop,
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, Paul Ryan. Ndërsa ditët e
fundit, duke parë ngushtimin e hendekut të mbështetjes për Suzanna Shkrelin, në
zonën elektorale numër 8 të Kongresit, në Miçigan kishin vajtur për të bërë
fushatë me Suzanna Shkrelin, tre senatorë demokratë të njohur të Shteteve të
Bashkuara,Senatori Gary Peters, Senatoria Debbie Stabenow, të dy këta nga shteti
i Miçiganit dhe Senatori Cory Booker i shtetit Nju Xhersi, gjatë një mitingu elektoral
në Universitetin e shtetit Miçigan, javën që kaloi.

Suzanna Shkreli
ka siguruar mbështetjen e Senatorit Peters, Senatores Stabenow, të dy nganshteti
i Miçiganit dhe Senatorit Booker i shtetit Nju Xhersi, gjatë një mitingu
elektoral në Univerisitetin e shtetit Miçigan, javën që kaloi.

 

Në një nga
komentet në facebook të kandidates demokrate, një komentues shkruan se Suzanna
Shkreli më në fund e detyroi kongresistin Bishop që të mësojë se si të
shqiptojë mbiemrin Shkreli, duke sugjeruar, se edhe kandidati republikan po e
merrte për seriozisht kandidaturën e shqiptaro-amerikanes për në Kongres.
Sidoqoftë, Suzanna Shkreli është duke zhvilluar një fushatë të fortë dhe
dinjitoze, pa fyerje dhe inate, por duke u përqendruar në zgjidhjen e
problemeve dhe të sfidave me të cilat përballen qytetarët amerikanë të zonës 8
elektorale të Kongresit.  Gjatë një
takimi me ‘të javën që kaloi në New York, Suzanna Shkreli u zotua se nuk do të
pushojë së bëri fushatë deri në momentin e fundit të kësaj gare me qëllim që gjatë
dy javëve të fundit të kësaj fushate, të informojë bashkëqytetarët e saj mbi planet
dhe programet që ajo ka në plan të sjellë në Washington, plane dhe programe për
përmirësimin e jetës së tyre të përditshme, në përgjithësi. Tani është në dorë
të votuesve të kësaj zone elektorale që të vendosin më 8 nëntor, nëse do të
dërgojnë një fytyrë të re në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në personin e
shqiptaro-amerikanes Suzanna Shkreli duke bërë kështu dy herë histori.  Në qoftë se ndodh një gjë e tillë, Suzanna
Shkreli, jo vetëm që do të ishte e para femër shqiptaro-amerikane e zgjedhur në
Kongresin Amerikan, por do të ishte edhe femra në moshën më të re në historinë
e Amerikës që ka shërbyer ndonjëherë në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të
Bashkuara.