Frank Shkreli: Roli i diasporës shqiptaro – amerikane dhe bashkimi i Kombit, ëndrra që nuk shuhet

159
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë


Në muajin e Nëntorit – Nëntorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Ribotim i një fjalimi të mbajtur nga autori në darkën e shtruar nga Federata Pan-Shqiptare Vatra me rastin e 28 Nëntorit, 2009, në Nju Jork. Po e ndaj me lexuesit 13 vjetë më vonë në frymën e Ditës së Pavarësisë të 28 Nëntorit, 2022. Tema ishte “Bashkimi”, realizimi i të cilit, fatkeqësisht, mbetet ende një ëndërr e parealizuar në të gjitha nivelet kombëtare për shqiptarët, por një ëndërr që nuk shuhet kurrë dhe, nga e cila nuk duhet hequr dorë.


“…E ndjej veten fatlum dhe pushtohem nga një ndjesi e veçantë tërheqëse që gjëndem sonte këtu në mesin tuaj. Sonte, ne të gjithë jemi pjesëmarrës në një aktivitet të bashkimit kombëtar, të lidhur shpirtërisht me kryeqendrat më të mëdha shqiptare në Ballkan, me Tiranën, Prishtinën e Shkupin, për të celebruar festën e madhe pan-shqiptare: 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë.

Jo se organizatave të tjera u mungon pritja, por besoj se askund jashtë trojeve tona nuk ndihet fryma e atdheut, si ndihet sonte në këtë mes. Është shumë domethënës fakti që qendrat fetare dhe organizatat politike e kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan bashkohen sonte këtu për të festuar Përvjetorin e ngritjes së Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë.

Bashkimi është një ëndërr që na fton – e nuk duhet të heqim dorë prej kësaj endërre.

Vatra e Fan Nolit dhe e Faik Konicës vazhdon të jetë një pohim dhe simbol i shqiptarizmës së vërtetë. Gjatë një shekull histori, ajo i tregoi botës se mbi kufij arbitrarë politikë, mbi përpjekjet përdhunuese 50-vjeçare të komunizmit shqiptar e ndërkombëtar mbi kombin tonë – rreh fryma unjisuese e zanafillës së njejtë, si edhe vetëdija se në vlerat tradicionale arbërore të shqiptarit qëndron fisnikëria e kombit tonë.

Më lejoni pra të propozoj që sonte – në kete përvjetor të Pavarësisë dhe lirisë kombëtare – të kujtojmë me respekt ata burra dhe gra që patën guximin, karakterin, nderin e burrëninë të themelonin VATRËN -në mergim – por në shërbim të Atdheut. VATRËN dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, e cila bëri që emri shqiptar të gjëmonte nëpër Kancelaritë, Kongreset dhe Parlamentet e botës, atëherë kur dielli nuk bënte dritë për Kombin shqiptar, duke çuar më në fund në njohjen e të drejtave të shqiptarëve. VATRËN e Nolit, e cila ndezi zemrat e gjithë shqiptarëve për liri e demokraci… në falënderim ua dedikojmë këtë natë.

Megjithëse është natë festimi, nuk mund të durohem pa vënë në dukje se kohët e fundit janë dëgjuar zëra nga Shqipëria, që denigronin udhëheqjen e Vatrës, dhe të gjithë veprimtarinë e saj dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi: komunitet ky që bëri aq shume për Shqipërinë e Kosovën, duke mos kursyer asgjë për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve në trojet e veta. Vatra dhe organizata të komunitetit shqiptaro-amerikan të pranishme sonte këtu – në të kaluarën dhe sot – terrorit dhe vuajtjeve të bashkëkombasve në Shqipëri, Kosovë e gjetiu, u janë përgjigjur gjithmonë, njëzëri:
“Mbahu nëno mos ki frikë
Se ke djemt në Amerikë.”

Si çdo president i Amerikës në të kaluarën ashtu edhe sot, Presidenti amerikan Barack Obama në deklaratën që ka bërë këtë javë me rastin e 28 Nëntorit, i bën homazh komunitetit shqiptaro-amerikan duke thënë se: “Këtu në Amerikë, ata që prejardhjen e kanë nga Shqipëria, përbëjnë një pjesë të rëndësishme të këtij Kombi.”

Në ketë ditë të shenjtë, të gjithë ne kujtojmë me mall atdheun, trimëritë e heronjtë kombëtarë, fuqinë, guximin dhe ndjenjat e atdheut. Siç vërtetojnë edhe këngët e arbëreshëve, që në kohët më të lashta, Shqipënia formonte nje tërësi në mëndje dhe në zemër e nuk ndahej në fise, siç e paraqitnin armiqtë e saj. Sot, këto ndjenja janë edhe më të thella në radhët e shqiptarëve kudo, por posaçërisht për ne shqiptarët e Amerikës. Sot, si asnjë ditë tjetër, ne jemi më afër Atdheut dhe flamurit të Arbërit.
Në Amerikën e Washingtonit, Jeffersonit  dhe Lincolnit, djepit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, ne e kujtojmë këtë ditë kaq të shënuar të kombit tonë, i cili për shekuj me radhë, “jetoi me armë në dorë dhe me dorë në armë”, vetëm e vetëm për të qenë zot në truallin e vet.

Si për shqiptarët kudo, ashtu edhe për në këtu në Amerikë, 28 Nëntori ndez një zjarr dashurie, ngjall shpresë dhe në jehonën e kësaj dite, secili shpalos kujtimet e luftëtarëve shqiptarë. Sot, patriotët e vërtetë, duke lënë mënjanë bindjet e ndryshme dhe ndasitë politike, të gjithë e ndjejmë veten se bëjmë pjesë në një sofër kombëtare: duke festuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Pasi shpallja e Pavarësisë u bë nga përfaqësues të gjitha trevave shqiptare, ajo u shpall për të gjithë shqiptarët, prandaj sonte, ne kujtojmë Gjergj Kastriotin në Lezhë, Abdyl Frashërin në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlorë të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Isa Boletinit, e të tjerëve. Në veshët tonë, jehon sonte kushtrimi i Bajram Currit, Ded Gjo Lulit, Mihal Gramenos e i Çerciz Topullit.

Ne, si shtetas amerikanë, kjo ditë na sjell gjithashtu në mend, përpjekjet e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe udhëheqësve të tij në periudha të ndryshme, në mbrojtje të interesave kombëtare. Por na kujton gjithashtu edhe përpjekjet e ish-presidentit amerikan Ëoodroë Ëilson, i cili kishte në zemër fatin dhe interesin e kombeve të vegjël – në një kohë kur ato ishin në planet përçarëse të fuqive të mëdha të asaj kohe.

Interesimi dhe përkrahja e Presidentit Wilson për pavarësinë e Shqipërisë është vënë në dukje shpeshherë dhe tashti është bërë pjesë e historisë. Por dua të përmend vetëm përvojën e një shqiptaro-amerikani të dalluar, dmth. të Fan Nolit, sipas të cilit gjatë një takimi me të, ai i bëri thirrje Presidentit Wilson që të shpëtonte racën heroike shqiptare. Sipas Nolit, Wilsoni iu përgjigj:“Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe këtë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë”.

Sa herë është përsëritur kjo skenë takimesh midis përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me presidentë dhe kongresistë amerikanë gjatë shekullit të kaluar e deri më sot. Në kohet moderne, ishte Presidenti Bill Clinton ai që në fund të shekullit të kaluar bindi dhe udhëhoqi botën që të vërsulej kundër forcave armike serbe duke shpëtuar kështu shqiptarët e Kosovës nga mizoritë më të egra dhe nga shfarosja, duke u siguruar atyre lirinë e mohuar për nje kohë aq të gjatë.

Më kujtohet mirë takimi i përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me Presidentin demokrat Bill Clinton dhe këshilltarët e tij të sigurimit kombëtar, me 31 mars, 1999. Në këtë takim, në të cilin merrnin pjesë antarë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, ndër ta edhe kryetari i Vatrës Zoti Agim Karagjozi  iu bë thirrje qeverisë amerikane që bombardimet kundër Serbisë te vazhdonin derisa forcat e Millosheviçit të tërhiqeshin nga Kosova dhe që qindra mijëra shqiptarë të Kosovës të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Dhe pak vite më vonë, ishte një president tjetër amerikan, Presidenti republikan George Ë. Bush, ai i cili nga Tirana i bëri thirrje botës, që më në fund, të njihej Pavarësia e Kosovës. “Mjaft është Mjaft, -tha Zoti Bush dhe vazhdoi duke thënë se “Kosova do të jetë e pavarur. Ky është qëndrimi im – Kosova duhet ta dijë se ky është një qëndrim i prerë dhe i fortë”, ka thënë presidenti Bush. Dhe kështu u bë. Sot, Kosova është shteti më i ri i botës, falë përkrahjes së patundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Komuniteti shqiptaro-amerikan duhet të jetë shumë krenar për arritjet në favor të kombit dhe, në të njejtën kohë, mos të harrojmë se ishte flamuri amerikan, përkrah atij kombëtar i cili solli lirinë për shqiptarët. Ishte flamuri amerikan ai që u bëri të mundur shqiptarëve që përsëri të jetojnë të lirë e me dinjitet në trojet e tyre mijevjeçare.

Dhe mos të harrojmë se perkrahja e Shteteve të Bashkuara për shqiptarët gjatë historisë me përjashtim të periudhës së zezë komuniste ishte dhe është përcaktuese për arritjen e sukseseve tona kombëtare.

Ishte i ndjeri President Ibrahim Rugova, ai i cili e kishte kuptuar këtë më mirë se çdokush tjetër. Më kujtohet se në çdo takim e bisedë zyrtare dhe jo zyrtare me amerikanë, gjithmonë, bënte thirrje -e jo më kot – “per miqësi të përhershme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Vetë Presidenti Bill Clinton gjatë vizitës së tij muajin e kaluar në Kosovë, ku mori pjesë në për urimin e statujës së tij në Prishtinë, tha se e ndiente veten krenar se kishte pasur një mik të posaçëm dhe shumë të çmueshëm: Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, i cili sipas Zotit Clinton, ia kishte shpjeguar atij, si askush më parë, realitetin e shqiptarëve në Ballkan.

Ky 28 Nëntor është gjithashtu një ditë për të festuar, ndër të tjera, arritjet e përmasave kombëtare: pavarësinë e Kosovës sigurisht, por edhe anëtarësimin e Shqipërise në NATO, gjë që realizoi ëndrrën euroatlantike të shqiptarëve, si dhe ndërtimin e autostradës kombëtare. Jam i sigurt se të gjithë ne jemi krenarë për këto fitore, ndërsa përgëzojmë qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha për këto arritje historike të kombit.

Shpresojmë që në 28 Nëntorin e ardhshëm, këtyre sukseseve t’u shtohet edhe festimi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 28 Nëntori është gjithashtu një rast i mirë për të reflektuar se si kemi ardhur deri këtu dhe cila duhet të jetë e ardhmja e Shqipërisë, e Kosovës dhe e gjithë shqiptarëve në Ballkan.

Brezi i sotëm i politikanëve shqiptarë ka një rast si kurrë me parë, por edhe përgjegjësi të lartë para kombit dhe historisë që të jetë i vetëdijshëm se situata e sotme e favorshme e shqiptarëve në Ballkan ka kushtuar shumë  sakrifica dhe sakrifikime si familja e Adem Jasharit, e të tjera anë e mbanë Kosovës – mundime të papërshkrueshme, djersë e gjak të breznive ç’prej Gjergj Kastriotit Skënderbe e deri më sot.

Për të shtuar dhe fuqizuar ndjenjat e atdhedashurisë dhe të mirës së përbashkët kombëtare, politikanët e sotëm shqiptarë kudo, por sidomos në Shqipëri e Kosovë, duhet të kenë gjithmonë parasysh përpjekjet e atyre që me urtësi të mendjes dhe me trimëri luftarake, siguruan emrin e ndershëm që kombi ynë gëzon sot në radhët e kombeve perëndimore – e t’u kushtojnë me pak vemendje interesave të përkohëshme personale e partiake.

Është pra, një gjë e denjë dhe e drejtë që në këtë ditë, të përkujtojmë dëshmorët të cilët me sakrificën, virtytin dhe meritën e tyre shpëtuan kombin dhe na sollën si kurrë më parë në histori, në prag të realizimit të ëndrrave tona shekullore, për të ndërtuar – të lirë -të ardhmen e Kombit shqiptar, të bashkuar në trojet arbërore mijëvjeçare, ku të parët tanë kanë jetuar gjatë gjithë historisë.

Dua të përfundoj duke bërë thirrje që sot, institucionet shtetërore në Shqipëri e Kosovë, partitë politike dhe shoqëria shqiptare, në përgjithësi si dhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, të zotohen dhe të angazhohen që të jetojnë në lartësitë e flamurit kombëtar, për konsolidimin e shtetit modern, për bashkëpunim të të gjitha forcave politike për të mirën e kombit, për dialog – dhe jo bojkotim – në reformat madhore që do të bëjnë të mundur arritje edhe më të mëdha të kombit, në vitet e ardhshëm.

“Të lidhim besa besën, të lëftojmë për të drejtat e për nderin e Shqipërisë dhe t’u rrëfejmë të huajve se rrojmë e duam të rrojmë me nder në vendin tonë.” Kështu porosiste Faik Konica. Dhe një bashkë-kohas i Konicës, At Pjetër Mëshkalla ka thënë: “Prej të Parëve, pritëm nji Shqipëni të lirë—Nipat tonë presin prej nesh nji Shqipëni të lumtun”.

Gjithmonë me besimin dhe shpresën se drita e agimeve të reja po shëndritë mbi bashkimin e shqiptarëve dhe bashkë me të edhe rrezja e bekimit të Madhit Zot.

Urime mbarëkombëtare për këtë ditë të shenjtë.

Ju falem nderit.

Frank Shkreli
New York
11/28/09