Frank Shkreli: Profesor Dr. Gëzim Alpion sjellë Nënë Terezen në federatën gjithë-shqiptare vatra në Nju Jork

387
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Disa fjalë të një natyre jo formale…shënime me rastin e promovimit të librit, “Nënë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, i autorit Prof. Dr. Gëzim Alpion, i Universitetit Birmingham të Anglisë.

Nuk kisha përgatitur ndonjë vlerësim zyrtar si të thuash, sepse e di se shumë prej jush i kini lexuar mendimet e mia modeste në lidhje me këtë libër – pasi jam munduar të pasqyroj me disa shkrime, zhvillimet, reagimet dhe vlerësimet ndaj librit të Profesor Alpionit, ç’prej botimit e këtej.


Njoftimi nga Universiteti Birmingham në Angli për prezantimin e Prof dr. Gëzim Alpion në Federatën Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork

Turneu i promovimit të librit për Nënë Terezën, e çoi autorin Gëzim Alpion, në dy universitete ndër më të njohura amerikane dhe botërore, Universiteti Georgetown në Washington dhe Universiteti Harvard në Boston dhe në Federatën Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork, por edhe tek  Zëri i Amerikës për një intervistë -për të cilat kam bërë një shkrim paraprak javën që kaloi – Frank Shkreli: Nënë Tereza në Amerikë | Gazeta Telegraf. Vizita e Profesorit Alpion në Shtetet e Bashkuara ka tërhequr edhe vëmendjen e njerës prej gazetave të mëdha të Indisë, “Telegraf-India”online–e cila botoi të shtunën: ditën që Profesor Alpion foli për veprën e tij në kryeqendrën e Vatrës – këtë njoftim për lexuesit e vet anglisht-folës duke theksuar rëndësinë e promovimit të librit të Dr. Alpion në Shtetet e Bashkuara:

Profesor Dr. Gëzim Alpion i Universitetit Birmingham

Different images –”Something struck me about Mother Teresa during her beatification ceremony in Rome in 2003. St Peter’s Square, I remember, was packed with thousands of her folloëers from all over the world. I thought of her as belonging to India. She was ‘Mother Teresa of Calcutta’, after all. But others claimed her as the most important figure in the Catholic Church after the Pope. And it is the Catholic side of her life that Gëzim Alpion is exploring in a lecture tour that is taking him to New York and the universities of Harvard and Georgetown. “The two Teresas are not contradictory,” he told me before leaving for America. Alpion, who is an academic at Birmingham University in the UK and of Albanian origin, has written several scholarly books on Mother Teresa, including one revealing her “dark night of the soul” in Mother Teresa: The Saint and Her Nation…” –(Telegraph-India online, April, 30, 2022.)

Ç’prej botimit të librit “Mother Teresa, “The Saint and her Nation”, kam ndjekur dhe jam munduar të pasqyroj zhvillimet në lidhje me librin e Dr. Gëzim Alpion në artikuj që janë botuar, edhe në gazetën Dielli të Vatrës dhe në disa portale e gazeta, anë e mbanë trojeve tona në Ballkanin Perëndimor. E kam bërë këtë se ia di vlerën dhe rëndësinë kësaj vepre, sidomos për lexuesit anglisht folës të botës. Kam pasur kënaqësinë që t’ua shpërndaj kontakteve të mia amerikane edhe njoftimet në anglisht nga Universiteti Birmingham dhe nga shtëpia botuese “Bloomsbury Publishing”, me rastin e botimit të librit ose kur Dr. Alpion bënte promovime para grupeve të ndryshme akademike të tjera. Të njëjtën metodë kam përdorur edhe me vlerësimet në anglisht, që janë bërë për librin, nga India, në Angli e deri këtu në Amerikë. Shumica e vlerësimeve të librit kanë qenë shumë positive, qoftë nga bota akademike, qoftë edhe nga personalitete kishtare botërore, të paktën nga ato që kam lexuar unë, të cilat Profesori i nderuar m’i ka përcjellur vazhdimisht e për çka e falënderoj nga zemra. E kam bërë këtë, jo për të ndihmuar Profesorin e nderuar, se për fat të mirë nuk ka nevojë për ne – megjithëse e meriton mbështjetjen e gjithë neve – por sepse kam qenë dhe jam i bindur se ky libër ka një rëndësi të veçantë për historinë e jetës dhe të veprimtarisë së Nënë Terezës, por mbi të gjitha, është një burim i vyer në anglisht që të huajt të mësojnë për “Themelet Iliriane të Qytetërimit Perëndimor”.

Autori me Profesorin Gëzim Alpion në hyrje të Vatrës,

Në të vërtetë, është një libër që po të mos ekzistonte, do duhej të çpikej. Por për fat të mirë është shkruar nga Prof. Alpion dhe si të thuash tani, për këtë libër, nami ka marrë dhenë. Bota anglisht-folëse, më në fund, falë këtij libri po mëson se Nënë Tereza ishte shqiptare, jetoi, veproi dhe ndërroi jetë si e tillë dhe që origjina e saj të mos vihej më në pyetje.

Personalisht, e kam pritur mirë librin e Profesorit Alpion në gjuhën anglisht, “Mother Teresa: “The Saint and her Nation”, botuar nga Bloomsbury Publishing, sepse shumë herët në të vërtetë pothuaj para 45-50-viteve të pakën unë dhe shumë të tjerë si unë e kemi ndier nevojën për një libër të tillë në anglisht, që të  fliste për origjinën dhe rrënjët shqiptare të Nënës Terezë. Ne shqiptarët, natyrisht e kemi ditur se Nënë Tereza ishte shqiptare, por jo të tjerët. Gjatë disa dekadave në Washington, duke filluar nga të 70 e 80-tat, si pjesë e punës time atje, shpesh ndodhte që me amerikanë dhe të huaj flitej për Nënë Terezën dhe origjinën e saj.

Me Kryetarin e Vatrës, Z. Elmi Berisha

Por, siç dihet propaganda serbe, por edhe ajo maqedonase e asaj kohe, ishin, vendosmërisht, kundër origjinës shqiptare të Nënë Terezës dhe propaganda e tyre, ishte aq e përhapur sa që bota anglisht-folëse e konsideronte atë: bazuar në shkrimet falso të propagandës së tyre, si murgeshë bamirëse me origjinë sllave, serbe ose maqedonase, ose jugosllave, por kurrë si shqiptare. Nëqoftëse ka ende sot anglisht folës, që nuk dinë se nga vjen Nënë Tereza unë u them: Lexoni librin e professor Alpioni: “Mother Teresa: The Saint and her Nation”., (Nënë Teresa: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj).

Prandaj unë besoj se ky libër, i Profesorit Alpion do duhej të ishte shkruar nja 50-vjetë më parë për të luftuar dhe korrektuar propagandën e atëhershme anti-shqiptare kundër Nënë Terezës dhe origjinës së saj. Në atë kohë nuk kishte burime në anglisht për Nënë Terezën, siç është sot libri i Profesorit Alpion.

Redaktori i Gazetës Dielli, Z. Sokol Paja duke paraqitur mysafirin e nderuar nga Anglia

Një kujtesë të shkurtër nga qershori i vitit 1985 – Presidenti Reagan kishte ftuar Nënë Terezën në Shtëpinë e Bardhë për t’i dekoruar asaj “Medaljen Presidenciale të Lirisë”, që është çmimi më i lartë që Presidenti amerikan u akordon personave (kryesisht amerikanë) me merita dhe kontribute të jashtëzakonshme ndaj sigurimit dhe interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara, ndaj paqës në botë dhe për arritje të veçanta në fushën e veprimtarisë publike ose private. Në fjalimin e rastit në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës së Medaljes Presidenciale të Lirisë Nënë Terezën, Presidenti Regan e ka karakterizuar murgeshën me origjinë shqiptare, si “Heroinën e kohëve tona”. Ai ka thënë me atë rast, se ndonëse kjo medalje, tradicionalisht, u jepet shtetasve amerikanë, Z. Reagan ka shpjeguar me atë rast se në shenjë nderimi dhe admirimi të thellë për punën e saj, nënë Terezës, po i akordohej kjo dekoratë, pasi sipas vlerësimit të tij, “Shpirtmirësia në zemrat e disa individëve i kapërcen të gjithë kufijtë kombëtarë dhe tejkalon të gjitha konsideratat e vogla nacionaliste”, është shprehur ish-presidenti amerikan Ronald Reagan, duke folur për veprimtarinë dhe jetën e Nënë Terezës.

Por, në motivacionin e dekoratës së Shtëpisë së Bardhë, Nënë Tereza ishte identifikuar si “jugosllave”dhe më kujtohet fakti se me atë rast iu dërgua një letër Shtëpisë së Bardhë me të cilën u tërhiqej vëmendja se ishin të gabuar në konstatimin e tyre, se Nënë Tereza ishte shqiptare me origjinë dhe jo sllave ose “jugosllave”. Përgjigja e Shtëpisë së Bardhë ndaj kësaj letre ka qenë, po ne nuk gjetëm asnjë burim në anglisht që përcaktonte origjinën e Nënë Terezës si shqiptare.

Një foto përkujtimore me Profesor Dr. Gëzim Alpion, me disa prej pjesëmarrësve që kishin ardhur për të nderuar Profesorin Alpion dhe veprën e tij kushtuar Nënë Terezës, -“Nënë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj” – një vepër kjo që lidh përjetësisht Nënë Terezën me identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Ky shembëll pasqyron rëndësinë e librit në anglisht të Profesor Gëzim Alpion, megjithëse sot bota anglisht-folëse, falë punës së vyer akademike të Profesorit tonë të nderuar, besoj se bota, kryesisht, tani e di se Nënë Tereza ishte dhe mbetet shqiptare.

Për të huajt, sidomos për anglisht folësit në botë, libri i autorit Dr Gëzim Alpion promovon anë e mbanë botës murgeshën shqiptare, duke e lidhur, përjetësisht, Nënë Terezën me identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Më në fund, në një shënim personal e falënderoj Profesorin Gëzim Alpion për kontributin e tij në këtë fushë, por edhe për durimin dhe fisnikërinë që ka treguar ndaj meje në shkëmbimet që kemi patur gjatë viteve…Urimet e mia më të përzemërta për suksesin që libri, “Nënë Tereza: Shënjëtorja dhe Kombi i Saj” po shënon anë e mbanë botës anglisht folëse, me urimin për suksese të tjera në fushën akademike për Profesorin tonë të nderuar: lartë e më lartë!

*Këto shënime po botohen me rastin e promovimit të librit: Nënë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, të autorit Prof. Dr. Gëzim Alpion – në Federatën Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork me datën 30- prill, 2022.

*Fotot janë nga gazetari i njohur shqiptaro-amerikan Beqir Sina