Frank Shkreli: Prapë bien kambanat në Kishën e Currajve t’Epërm

131
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

 

Nuk jam i sigurt se kush prej lexuesve — përveç atyre që vijnë nga Tropoja me rrethinë ose nga krahina që njihet si Malësia e Gjakovës – mund të kenë dëgjuar për fshatin Currrajt t’Epërm – që konsiderohet si njëri prej fshatërave më të izoluar të Shqipërisë, rajonit dhe ndoshta në Evropë.  I izoluar nga natyra ndoshta, por jo i pa dëgjuar, as i harruar nga historia.  Banorët e asaj ane dhe Kisha e tyre — Kisha e Shna Ndout në atë fshat — kanë bërë historinë e vet. Historia e kësaj kishe përshkruhet më posht, shkurtimisht,  nga At Bernardin Llupi – një françeskan i cili së bashku me 3 martirë të tjerë nga Shqipëria (Marie Shllaku, Kolë Parubi dhe Gjergj Martini) është dënuar me vdekje nga një gjykatë sllavo-komuniste në Prizren dhe janë pushkatuar natën e zezë të 24-25 Nëntorit të vitit 1946.

Kisha në Curraj i Epërm

Sidoqoftë, vrasja e këtyre martirëve të Atdheut, është një subjekt dhe kapitull tjetër i dhimbëshëm i historisë së Kombit shqiptar e sidomos të atyre anëve, shekullin e kalar, por le të sjellim historinë e shkurtër të kësaj Kishe në Curraj të Epërm – që u ruajt nga banorët gjatë komunizmit edhe kur regjimi barbar i Enver Hoxhës e kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë. Një kishë kjo që është rinovua kohët e fundit. Bazuar në fjalët e At Bernardin Llupit – një përshkrim ashtu siç pasqyrohet në faqen personale elektronike të Ambasadorit Flamur Gashi.  Ambasador Gashi – i cili deri kohët e fundit ishte në stafin e Presidencës së Republikës së Shqipërisë — mori pjesë në inaugurimin e kishës në Curraj t’Epërm në fillim të këtij muaji dhe është njëri prej donatorëve që kontriboi për ringritjen e këtij simboli historik të qendresës fetare dhe atdhetare të popullit të asaj zone kundër hordhive serbo-malazeze, në mbrojtje të “Besimit në Zotin, në Mbrojtje të Atdheut dhe tokës së të parëve, Dashurisë, Besës, Urtësisë dhe Unitetit Kombëtar” – me frymën se, “Në kishё hyjmë për të dashur Zotin, prej këtu dalim për të dashur të afërmin”, siç u shpreh Radio Vatikani në kronikën e saj me këtë rast.

“Kumbonat” – dhuratë për Kishën “Shna Ndou” në Curraj t’Epërm, nga Ambasador Flamur Gashi (në foto) dhe nipi i tij Milazim Ademi

Sa ipërket historisë, bazuar në faqën (facebook) të Ambasador Flamur Gashit:  August 7 at 2:05 PM  —  (At Bernardin Llupin), ka shënuar se, “Kisha e Currajve t’Epërm ka shkruar historinë e saj, ka hyrë në historinë e kombit shqiptar, me ngjarjen historike të së dieles të 4 korrikut 1915, kur një komando ushtarake malazeze, arriti deri në qendër të Currajve t’Epërm, e për siguri u ngujua brenda në Kishë.  Banorët e fshatit, si besimtarë te zellshëm që ishin, nuk pranonin të gjuanin plumba mbi derën dhe as mbi dritaret dhe muret e Kishës.

Në ketë situatë të pazakontë, famullitari i Kishës së Currajve t’Epërm, At Leonard Shajakaj ka dalë jashte Kishës e ka folë me përfaqesuesit e popullit të Currajve t’Epërm, të cilët kanë refuzuar me indinjatë kërkesat e ushtarëve serbo-malazezë.  Në vazhdim të kësaj bisede, paria e Currajve t’Epërm, ka kërkuar ndihmën dhe shpjegimin fetar të famullitarit të tyre për të nxjerrë pushtuesit serbo-malazez jashtë nga Kisha…Në bisedë e sipër, famullitari At Leonard Shajakaj, sipas dokumentave historike e kishtare por edhe tregimeve në breza të burrave të Currajve, u ka thenë burrave të Currajve: “A po ndieni burra! Në këtë rast nuk âshtë mëkat me qitë pushkë kundra kishës…, pse meshtar aty s’ké, por ká hî aty ai që kjofte tretë (shejtani), pse këta s’janë tjetër veçse të mallkuar, e prandej duhet qitë jashta kishe”.  Pas fjalës së famullitarit, nderkohë që malazezet nuk u dorëzuan vullnetarisht, ka krisë pushka, ka nisë lufta, aq sa edhe sot në gurët dhe mureve të kishës, duken shenja të plumbave të asaj beteje…” ka shkruar (At Bernardin Llupi).

Natyrisht, dhe për fat të keq, ajo kohë dhe sidomos periudha e komunizmit që pasoi, ishin kohë të tjera dhe shumë të vështira që urojmë të mos këthehen më. Por, sot me ndihmën e bijve të tyre në diasporë dhe kontribuesve dhe donatorëve vendas, si ish-Ambasadoriit të Shqipërisë në Bosnjë-Hercegovinë, Z. Flamur Gashi nga Kosova dhe kushëririt të tij, Milazim Ademi, dhe biznesmenit e humanistit, Skënder Thaçi, Kisha historike e “Shna Ndout e Currajve t’Epërm është rindërtuar me njё dashuri birnore e vëllazërore, me ndihmё financiare e materiale, me njё pёrkushtim tё veçantё pёr tё nderuar Zotin, tё parёt, traditёn, kulturёn e pёr tё hapur shtigje tё reja premtuese”, thuhet në kronikën e Radio Vatikanit shqip, me atë rast, me qëllim që, “Ajo të kthehej sërish në një vend takimi vëllazëror dhe lutjeje, ku i thuren lavde Zotit të Gjithpushtetshëm, Atit tonë të përbashkët.”

”Kryqat” – dhuratë për Kishën Shna Ndou në Curraj t’Epërm, nga Skender Thaçi, i biri i Imer Imerit nga Fleti i Pukës.

Është kjo histori pra, që u kujtua por që edhe u përjetësua me 6 gusht, 2022, kur pas shumë dekadash, përsëri, ranë kambanat e Kishës së rindërtuar në Curraj të Epërm dhe tingujt e tyre u dëgjuan përsëri anë e mbanë asaj zone. Sipas një kronike nga Radio Vatikani në gjuhën shqipe, ceremonia e bekimit të kishës u kryesua nga Ipeshkvi i Sapës, imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me meshtarë të tjerë, në praninë e besimtarëve e qytetarëve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e diaspora. E pranishme ishte edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari, përfaqësuese e qeverisë së Prishtinës në këtë ceremoni, si dhe autoritete të tjera.  Nuk u vihet faj përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës të Tiranës për mungesën, pasi Currajt e Epërm – një fshat ndër më të izoluarit por me një histori domethënse për Kombin – siç duket është më afër Prishtinës se Tiranës.

Kisha në Curraj t’Epërm

Në këtë botën tonë shqiptare konfliktuale dhe frymës dhe atmosferës negative politike, shoqërore dhe ekonomike dhe pothuaj në çdo fushë tjetër të aktivitetit të shoqërsisë shqiptare, unë e ndjejë si detyrë njerëzore, morale dhe atdhetare që nga koha në kohë, të ve në dukje vepra – anë e mbanë trojeve tona dhe në diasporë — si kjo e rindërtimit të Kishës së Shna Ndout në Curraj t’Epërm. Për të thekësuar dhe rikujtuar se me gjithë problemet, hallet dhe grindjet politike ndër shqiptarë, në këto kohëra të pasigurta në radhët e shqiptarëve sot, shqiptaria ka ende burra dhe gra që veprojnë dhe bashkpunojnë, bazuar në “Besën e Lidhur dhe në Fjalën e Mbajtur”.  Burra si Ambasador Flamur Gashi me shokë, miq e bashkpuntorë si Skendër Thaçi, Skënder Përpepaj e Milazim Ademi, si dhe Shoqata “Nikaj-Mërtur”, që ishin protagonistët kryesorë të realizimit të kësaj vepre. Të gjithë këta filiza të shëndosh të Kombit na japin shpresë se në këtë botën e turbullt shqiptare sot, ende ka shqiptarë që mendojnë dhe punojnë për të mirën e përbashkët — në mbrojtje të identitetit dhe të interesave kombëtare, në përgjithësi!  Nuk mund të gjejë fjalë më të përshtatëshme për ta mbyllur këtë shënim modest, me këtë rast, se sa deklarata e njërit prej kontribuesve, Z. Skendër Përpepaj për Radio Vatikanin shqip, i cili pasi falënderoi, “të gjithë ata që kanë kontribuar për restaurimin e Kishës dhe në veçanti mikun tim dhe mikun e të gjithë Currajve, Ambasadorin Flamur Gashin i cili së bashku me nipin e tij i bën dhuratë dy KUMBONA për Kishën tonë si dhe materiale të tjera të nevojshme për Kishën. Gjithashtu një falënderim edhe për mikun tonë tjetër Skënder Thaçi i cili bëri dhuratë disa kryqa për Kishën e sapo restauruar”, theksoi ai.  “Edhe ky rast tregojë me vepra se shqiptarët janë vëllezër të gjakut dhe të kombit dhe nuk i ndanë asgjë për të mirën e të gjithëve”, është shprehur Skendër Përpepaj. Nuk më mbetet tjetër veç të them: Amen, ashtu qoftë gjithmonë ndër shqiptarë, pa dallim feje as krahine! Ju lumtë burrave të Dheut!

Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli me pjesëmarrës të tjerë në bekimin e Kishës së Currjave t’Epërm.