Një javë e ca më parë, gazeta britanike “Guardian” dhe gazeta amerikane “Uashington Post” botuan informacione për programin e fshehtë të qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara për përgjimin e miliona telefonatave dhe komunikimeve në internet. Personi që nxori në publik informacionet e fshehta, ishte i riu 29-vjeçar, amerikani Eduard Snouden, një ish-nëpunës me kontratë i Agjencisë super Sekrete të Sigurimit Kombëtar.
Ndërsa Uashingtoni zyrtar po vlerëson dëmet e shkaktuara nga publikimi i pa-autorizuar i programeve të fshehta dhe ndërkohë që, komisione të ndryshme të Kongresit Amerikan kanë njoftuar mbajtjen e seancave dëgjimore në lidhje me këtë çështje, zëdhënës të qeverisë amerikane, para Kongresit dhe në media- janë duke mbrojtur programin e mbledhjes në masë të informacioneve mbi tabulatet telefonike -duke thënë se, ky veprim u ndërmor në bazë të një urdhri të fshehtë të një gjykate që miratonte mbledhjen e informacionit nga Agjencia e Sigurimit Kombëtar. Qeveria amerikane dhe mbështetësit e këtij programi thonë se, përdorimi i kësaj praktike është me rëndësi për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga sulmet dhe kërcënimet për sulme terroriste, pasi ky program ndihmon në identifikimin e personave ose grupe personash që mund të kenë kontakte me terroristë, të cilët duan të dëmtojnë këtë vend, siç ka ndodhur në të kaluarën, duke filluar nga 11 Shtatori i vitit 2001. Qeveria amerikane gjithashtu, shpjegon në deklaratat e saja, se këto përgjime u ndërmorën bazuar në nenin 215 të ligjit federal mbi përgjimet brenda vendit, e që njihet si “Akti Patriot”, i miratuar gjatë administratës së Presidentit Xhorxh W. Bush, pas sulmeve të Al Kaidës. Qëllimi i këtij Akti është për t’u dhënë kompetenca më të mëdha agjencive të fshehta për të përgjuar komunikimet elektronike për parandalimin e ndonjë sulmi terrorist. Presidenti Barak Obama ka nënshkruar zgjatjen e afatit të këtij ligji edhe për katër vjet të tjera. Më herët këtë javë, ai e mbrojti programin e përgjimeve telefonike duke thënë se: “Vlerësimi im dhe i ekipit tim është se këto praktika na ndihmojnë të parandalojmë sulmet terroriste. Ndonjë shkelje modeste e privatësisë që ndodh kur kontrollohen tabulatet, por pa dëgjuar përmbajtjen e bisedave telefonike-krahasuar me përfitimin- ia ka vlejtur”,- tha Presidenti Obama.
Gjithashtu, në mbrojtje të këtij programi, Drejtori i Agjencisë për Sigurimin Kombëtar, gjenerali Keith Alexander i tha dje një seance të Kongresit se të dhënat nga programi i përgjimeve kanë mundësuar parandalimin e dyzina sulmesh dhe komplotesh terroriste, duke shtuar se praktika të tilla janë jetike për mbrojtjen e atdheut. Ai i tha gjithashtu Kongresit se dëshiron të informojë popullin amerikan se, “ne po përpiqemi të jemi transparent, të mbrojmë të drejtat dhe liritë civile si dhe privatësinë, por në të njëjtën kohë, edhe sigurinë e këtij vendi”, tha gjenerali Alexander.
Ky ligj, siç pretendojnë zyrtarët, mund të lehtësojë punën e agjencive të fshehta amerikane për të mbledhur informacione mbi sulme të mundshme terroriste, por praktikat që lejon ky ligj në këtë angazhim, janë kritikuar dhe kundërshtuar ashpër nga individë dhe organizata që mbrojnë të drejtat civile dhe privatësinë individuale, duke thënë se agjencive të fshehta dhe të rendit publik u janë dhënë kompetenca tepër të mëdha, sidomos në kryerjen e përgjimeve të vazhdueshme elektronike. Madje, madje, në lidhje me këtë, janë njoftuar tanimë, një numër padish kundër qeverisë federale, duke filluar nga Bashkimi Amerikan i Lirive Civile, (e njohur me inicialet anglisht ACLU), organizatë e cila e ka quajtur praktikën e grumbullimit të informacionit si tepër alarmuese. Duke njoftuar dje padinë kundër qeverisë federale, organizata ACLU tha se programi i fshehtë i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar shkel seriozisht të drejtat e amerikanëve.
Ish-nëpunësi me kontratë i Agjencisë së Sigurimit Kombëtar, Eduard Snoudwn, personi që pa autorizim nxori në dritë programin e fshehtë për përgjimin e telefonatave, gjendet tani në Hong Kong. Lajmet bëjnë të ditur se Ministria Amerikane e Drejtësisë është duke marrë në shqyrtim padinë kundër tij për ta ekstraduar dhe për ta hedhur atë në gjyq nën akuza kriminale. Në Hong Kong, Eduard Snoudwn i dha një intervistë gazetës kineze në anglisht, “South China Morning Star”, gjatë së cilës ai u shpreh se nuk ka në mend të kthehet në Amerikë dhe shtoi se fatin e tij ua ka lënë në dorë gjykatave dhe popullit të Hong Kongut.
Këtu në Shtetet e Bashkuara, publikimi i njoftimeve mbi programin e përgjimit të telefonatave dhe burimeve të tjera të internetit, ka shkaktuar një debat të ashpër në media dhe në të gjitha nivelet e shoqërisë, qoftë mbi njoftimin e këtyre sekreteve, qoftë edhe mbi personin, Eduard Snoudwn, i cili pa autorizim informoi botën për ekzistencën e këtij programi të fshehtë përgjimi. Nga një anë, një numër individësh dhe organizatash, si të majta ashtu edhe të djathta, kanë shprehur zemërimin e tyre në lidhje me ekzistencën e këtij programi përgjimesh të fshehta, ndërsa disa anëtarë të Kongresit Amerikan thonë se kanë qenë në dijeni të këtij programi dhe se e mbështesin atë si një mjet për të parandaluar sulmet terroriste kundër popullit amerikan, siç tha kryetarja Komisionit të Senatit për Zbulimin, Senatorja demokrate Dajanë Fainstain. Ndërsa Senatori republikan Lindsi Graham tha se, ai nuk i shikon veprat e Eduard Snoudwn si vepra patriotike por i konsideron ato si akte kriminale dhe se si të tilla, ai: “Shpreson se do ta ndjekim z. Snoudwn deri në fund të dynjasë me qëllim që ai të përballet me drejtësinë.”
Vet, Eduard Snoudwn i tha gazetës kineze “South China Morning Star”, e cila botoi disa citime nga intervista në uebsajtin e saj, se ai nuk e konsideronte veten, “as tradhtar dhe as hero, por thjeshtë një amerikan”, duke shtuar se ai gjendej në Hong Kong, jo për të ikur nga drejtësia, por siç tha ai, “jam këtu për të zbuluar një kriminalitet”.
Nëse Eduard Snoudwn është hero apo tradhtar është ende herët të thuhet, me shpresë që njoftimet e tija pa leje, të mos kenë dëmtuar sigurimin kombëtar të këtij vendi dhe që njoftimi i këtij programi të fshehtë të mos përfundojë në humbje jete. Por në mos asgjë tjetër, -nxjerrja në shesh dhe njoftimi për ekzistencën e programit të fshehtë të përgjimit nga ana e qeverisë amerikane të miliona telefonave të amerikanëve,- ka nxitur një debat të ashpër, por të domosdoshëm, siç tha edhe vet Presidenti Obama, mbi nevojën për të pasur një program të tillë të fshehtë përgjimi për parandalimin e sulmeve terroriste dhe që njëkohësisht të mbrojë të drejtat civile dhe privatësinë e shtetasve amerikanë, të garantuara nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
*Ish- Drejtor i VOA-s për Euroazinë



















