Frank Shkreli: Karl Gurakuqi, mjeshtër i shqipes, mik dhe bashkpuntor i Avni Rustemit

139
Sigal

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Profesor Karl Gurakuqi
24 mars,1895 – 6 dhjetor,1971

Profesor Karl Gurakuqi ka ndërruar jetë më 6 dhjetor, 1971, jashtë Atdheut dhe larg Shkodrës së tij të dashur, ashtu siç ishte dhe është gjithnjë fati i të mërguarve shqiptarë anti-komunistë, sepse Atdheu i tyre i lindjes nuk i donte brenda gjatë regjimit komunist, ashtu të klasifikuar si tradhëtarë dhe armiq të vendit e të popullit të vet. Por siç duket as sot, 30-vjet më vonë, në të ashtuquajturin tranzicion “post-komunist”, shkrimtarë e letrarë si Karl Gurakuqi, nuk janë të mirëpritur. Emrat, veprat dhe kontributet e tyre, vazhdojnë të jenë edhe sot, jo të ndaluara krejtësisht, por të harruara dhe të anashkaluara, ashtu siç ishin  sa ishin gjallë dhe në kulmin e veprimtarisë së tyre. Ma merr mendja se po të pyeten studentët shqiptarë në Tiranë ose Prishtinë sot, se kush ishte Karl Gurakuqi, njëri prej këtyre të intelektualëve shkodranë të harruar, kam drojë se nuk do çonte kush dorën. Po kush ishte ky “ashik” shkodran, i dashuruar pas gjuhës shqipe dhe cilat ishin kontributet e tij gjuhësore dhe jo vetëm? Kush ishte Karl Gurakuqi?

NOA

Duke pasur si burim revistën “Shëjzat” të Ernest Koliqit, (“Shëjzat”-10-12, 1971), njëri prej bashkthemeluesve dhe bashkpuntor i të cilës ishte vet Karl Gurakuqi qysh prej vitit të parë të botimit të kësaj reviste të famshme, njëri prej tre shtyllave kryesore të “Shejzave (së bashku me Ernest Koliqin dhe Martin Camajn) dhe bashkpuntor pa ndërprerje i mikut të tij të ngushtë dhe botuesit Ernest Koliqi, jo vetëm në mbajtjen gjallë të kësaj reviste ndër vite, por Karl Gurakuqi ishte më shumë se kaq. Megjithë hipokrizinë dhe pandershmërinë intelektuale nga qarqet akademike dhe universitare shqiptare, që ushtrohet sot ndaj tij dhe shumë të tjerëve si ai, në përvjetorin e vdekjes së tij (më 6 dhjetor, 1971), po sjellim, modestësisht, disa të dhëna informative për jetën dhe veprimtarinë e Karl Gurakuqit me qëllim për të hedhur sadopak dritë mbi kontributin e këtij mjeshtri të madh të gjuhës shqipe, ndonëse i mërguar për dekada.

I ndjeri Prof. Karl Gurakuqi duke folur në nji ndër kuvendet e Qendrës  Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare në Palermo. Nga e majta në këmbë para mikrofonit: Karl Gurakuqi, Ndenjur: At Zef Valentini, Prof. Ernest Koliqi, dhe Profesori i njohur arbëresh, Dr. Rozolin Petrotta.

Karl Gurakuqi ka lindur në Shkodër me 24 mars 1895. Ka ndjekur mësimet fillore e të shkollave të mesme po në atë qytet ndër Etërit Françeskanë. Maturën klasike e ka kryer në Salzburg të Austrisë, ndërsa studimet filozofike ka bërë në Graz. Me të kthyer në Shqipëri pas studimeve, Karl Gurakuqi shërbeu vazhdimisht në fushën e arsimit  kombëtar ç’prej vjetit 1917 e deri me 1944. Ngjarjet e njohura e detyruan Gurakuqin që pas Luftës së II Botërore të merrte rrugët e mërgimit, si shumë bashkombas të tij intelektual të Shqipërisë, të cilët kundërshtuan regjimin e imponuar sllavo-aziatik komunist të merrte rrugët e mërgimit. Pas disa endjeve në vende të ndryshme, u thirr e gjet mikpritje në Palermë nga intelektuali i njohur arbëresh i asaj kohe, i ndjeri Rozolin Petrotta; një Arbëresh ky zemërmadh, që gjatë jetës së vet u përpoq me mend e me shpirt pér lartësimin e vlerave të shqiptarizmit. Në Universitetin e kryeqytetit të Sicilisë, fillimisht, krahas me Papa Gàetan Petrotta-n e mandej me albanologun e famshëm At Zef Valentinin, Karl Gurakqi vazhdoi në atë universitet punën gjuhësore dhe kulturore shqipe. “Arsimi kombëtar i detyrohet shumë  kétij Lavruesi të palodhshëm të gjuhës shqipe dhe me arsye mund të njihet njëri ndër themeluesit kryesorë të aparatit shkollor në Shqipëri  dhe një prej ndër atyre veprimtarëve të mëdhej që në pak vjet e ngjiten  popullin shqiptar  në një shkallë të pamenduar arsimore, prej një gjëndjeje mesjetare, në të cilën e kishin plandosur fatkeqësitë historike”, -ka shënuar miku i tij i ngushtë, Ernest Koliqi me rastin e kalimit në amshim të Karl Guraluqit në dhjetor të vitit 1971.

Në biografinë e botuar me atë rast në revistën Shëjzat, thuhet se veprimtaria e Karl Gurakuqit si shkrimtar është zhvilluar gjërësisht, në shumë degë diturie. Shkrimtar tërheqës, përkthyes i qartë e i përpikët nga latinishtja, gjermanishtja e italishtja.  Drejtor i së përkohshmes (Agimi, 1920-22, Revista Pedagogjike 1925-27, Mësuesi 1928, Shkolla Kombëtare 1938), e tjera. Bashkëpuntor i çmuar i revistave më të njohura të kohës, në Shqipërinë e para komunizmit. Gurakuqi është shquar gjatë jetës së tij, sipas biografisë së tij zyrtare botuar në revistën ‘Shëjzat’, sidomos në shtjellim të argumentave gjuhësorë e letrarë. Të shumta janë botimet e tija shkollore që u përdorën gjatë 20- e sa viteve ndër shkollat shqiptare të kohës. Aty thuhet se Karl Gurakuqi- “mund të njihet me të drejtë si një ndër themeluesit e të së përkohshmes s’onë, “Shèjzat”, shtyllat e së cilës ai i pasuroi me syzime të vlefshme. Përveç botimeve sa ishte në kulmin e veprimtarisë së tij letrare dhe akademike, Karl Gurakuqi,- thuhet se, ka lënë shkrime të pabotuara, ndër të tjera: një ditar me radhitje ngjarjesh të dobishme për historinë kulturore e shoqërore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, si dhe studime gjuhësore të ndryshme. Por vepra kryesore; gati për botim mbetet, sipas biografisë zyrtare, “Fjalori” ku ai derdhi, tërë jetën, mundìn hulumtues e shoshitës në shumë fushë leksikore e frazeologjike. (Burimi: “Shëjzat” -10-12, 1971).

Për hollësi të tjera mbi jetën dhe veprimtarinë e Karl Gurakuqit mund të lexoni shënimin nga Profesor Arkiva Digjitale Shqiptare Karl Gurakuqi (Shkodër, 24 mars 1895 – Bressanone 6 dhjetor 1971). Arkiva Digjitale Shqiptare (adsh.al), ku ndër të tjera thuhet se Karl Gurakuqi ka qenë mik dhe bashkpuntor i Avni Rrustemit dhe shoqërive demokratike të kohës. Në vitin 1921, sipas Profesor Romeo Gurakuqit, Karl Gurakuqi ka qenë bashkthemelues me Avni Rrustemin dhe të tjerë i Federatës “Atdheu” në Vlorë, në të cilën Karl Gurakuqi ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i saj.

Atë ditë të 6 dhjetori, 1971, zhdukja e Mjeshtrit të shqipës, Karl Gurakuqit, miku dhe bashkpuntori i tij i ngusht Ernest Koliqi do të shkruante se me humbjen e Karl Gurakuqit: “Na të Shêjzave me vdekjen e Karlit mbesim pa nji Bashkëpun-tuer dorës parë, besnik të patundun. Gjuha shqipe humbi nji lavrues që ia zbuloi asaj fuqinë e hirin shprehës. Bota shqiptare vorfnohet nga zhdukja e nji qytetari, që e nderonte me sjellje fisnike, e pasunonte dhe e urtësonte me nji përvojë të gjatë kombtare edhe e edukonte mâ tepër se me fjalë, me prirje të butë të natyrshme, e cila ndikonte gjithmonë e gjithëkund, frymë harmonizimi shoqnuer e vëllaznije kombtare…Në kuvendim me tê, kishte njeriu përshtypjen që Ai mendonte se për kurrnji send në botë s’ia vlen barra qirân, m’u trazue. Vetëm nji gjâ për të ishte absolutisht serjoze: gjuha shqipe. Hoka mbi gjuhë shqipe nuk bârte”, Karl Gurakuqi, sipas Ernest Koliqit. “Shqipja për Të ishte gjâ e shêjtë. Karli qe Ashik i shqipes. Shqipen e adhuronte, e dashunonte me përkëdhelje si t’ishte nji Vashë e bukur. Asaj ia kushtoi jetën. Ajo qe pësimi e gëzimi i Tij. Ajo ka me ia ruejtë emnin deri vonë në mote t’ardhëshme”, ka përfunduar Ernest Koliqi komentin e tij me rastin e kalimit në amshim të mikut të tij besnik, Karl Gurakuqit me 6 dhjetor, 1971.

Fjalët e Ernest Koliqit për Karl Gurakuqin, se shqipja, “ka me ia ruejtë atij emnin deri vonë në mote t’ardhëshme”, mund të kenë qenë tepër pozitive e plot shpresë, por edhe ekzagjeruese, po të marrim parasysh se si trajtohet sot 30-vjet tranzicion “post-komunizëm, jo vetëm Karl Gurakuqi, por edhe vet Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe një numër shumë i madh shkrimtarësh e poetësh të Kombit të dalë nga Shkodra; zyrtarisht, të ndaluar e të anashkaluar nga atdheu i tyre për të cilin punuan e munduan  gjithë jetën e tyre, jo vetëm për një gjysëm shekulli komunizëm, por edhe sot në “post-komunizëm”, në Shqipërinë “pluraliste” e “demokratike”, anëtare e Aleancës Perëndimore NATO, me shpresë për t’u bërë edhe anëtare e Bashkimit Evropian. Përjashtimi i këtyre kolosave të historisë, të gjuhës dhe kulturës shqiptare, si Karl Gurakuqi në një vend si Shqipëria; tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, ku kultura e pluralizmit do duhej të mbretëronte dhe ku gjithëpërfshirja në edukimin e brezave të rinj, pa dallime politike, ose të mendimeve ndryshe do duhej të ishte siguruar me kohë në një vend anëtar të NATO-s dhe me pretendime për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian, siç është Shqipëria. Pluralizmi kulturor dhe gjuhësor si dhe ai politik, që do duhej të përfshinte personalitete të gjuhës dhe të kulturës shqiptare deri tani të përjashtuara, qoftë nga ish-regjimi komunist, qoftë nga nostalgjikët e komunizmit sot. Kur do ta kuptojnë këta njerëz se Karl Gurakuqi me shokë kanë qenë dhe janë një pasuri kombëtare në shërbim dhe në forcimin e identitetit të vërtetë kombëtar të shqiptarëve. Prandaj, synimi duhej të ishte që me gjith përfshirjen pluraliste në jetën e përditshme kulturore dhe akademike, sidomos në arsim, të këtyre kolosëve të Kombit, të krijohen mundësitë për një Shqipëri të një hapësire educative, e cila përafrohet më tepër me atë evropiane, e cila përqafon gjithë vlerat, parimet dhe idealet e Evropës së Bashkuar”, sipas qëllimit edhe të një konference që u mbajt në Tiranë të mërkurën, me 6 dhjetor: Kisha Katolike në Shqipëri: “Kultura e pluralizmit dhe gjithëpërfshirjes në edukim”.

Përjashtimi i këtyre kolosëve të Kombit nga historia, letërsia dhe kultura shqiptare sot, le një zbrazëti të madhe në historinë kombëtare. Për këta individë vendimarrës në Tiranë dhe deri diku edhe në Prishtinë, që sot marrin vendime të tilla përjashtimi ose anashkalimi i këtyre burrave, që pasqyrojnë vlerat më të zgjedhura të gjakut iliro-arbëroro-shqiptar, a mund të thuhet se këta, si përfaqësues dhe mbrojtës sot të kulturës shqiptare, vërtetë, kanë në zemër dhe mendje interesat dhe idealet afatgjata të Kombit shqiptar!?