Frank Shkreli: Inaugurohet ndërtesa e re e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Washington ndërsa në Prishtinë shënohej dita e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova

56
Sigal

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Në portalin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti lexova lajmin për inuagurimin, dy ditë më parë, të objektit të ri të Ambasadës së Kosovës në Washington, që, sipas Z. Kurti, objekti, “tash është pronë e Kosovës dhe shtëpi e përhershme e Republikës sonë atje”.  Nuk jam i sigurt nëse ishte ose jo e rastit, por inaugurimi i objektit të ri të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Washington të Shteteve të Bashkuara ndodhi në ditën që në Prishtinë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, me disa veprimtari të saja në Prishtinë shënoi Ditën e Presidentit, kushtuar Presidentit të parë historik të Kosovës dardane, Dr. Ibrahim Rugovës.

Por, sidoqoftë, e rastit ose jo, më duken si dy veprimtari që janë krejtsisht me vend dhe në përputhje me njëra tjetrën: Që qeveria Kurti inauguron objektin e blerë nga qeveria e Kosovës si Ambasadë të saj – “si një shtëpi e përhershme” e Kosovës, në Washington, siç e cilësoi Kryeministri Kurti në portalin e tij – pikërisht në Ditën e Presidenti, kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës, i cili predikoi me krenari për sa ishte gjallë, “miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara”.

Sipas njoftimit të Z. Kurti, Ambasada e re e Prishtinës në Washington është “Me një arkitekturë moderne, karshi Katedrales Kombëtare të Washington-it, të stilit neo-gotik anglez. Ndërtesën e ambasadës sonë tani e gjeni në rrugën e Massachusetts, apo siç njihet ndryshe “Rruga e Ambasadave”, shkruan Kryeministri Kurti.  Ai e cilësoi inaugurimin e Ambasadës së re të Kosovës në Washington, si, “Përurimi të saj në objektin e ri, mes miqsh, në prag të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, se është simbolikë e thellë dhe dëshmi e fortë dhe festë për aleancën tonë ”, shënon Kryeministri Kurti në njoftimin e tij për objektin e ri të Ambasadës së vendit të tij në Washington.

Dita e Presidentit në Republikën e Kosovës, 24 Maj, 2024 – Presidentja Vjosa Osmani bën nderimet e rastit para monumentit të Presidentit të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ndërsa në Washington përurohej objekti i ri i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Washington, si një simbol i vizionit të kahershëm të Presidentit Rugova, “Të një miqëise të përherëshme me Shtetet e Bashkuara”, midis dy kombeve tona.

Pikërisht, aty në Washington, ku Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, nga viti 1989 kur përherë të parë kishte vizituar Washingtonin dhe deri në vitin 2006 kur shkoi në amshim – kishte kaluar shumë ditë e netë që as nuk mund të numërohen – në përpjekjet tija për të bindur Shtetet e Bashkuara dhe botën se Kosova dhe shqiptarët kishin nevojë për ndihmën e tyre, në luftën kundër terrorizmit serb, me qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta shekullore.  Ibrahim Rugova fliste pak. Nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por theksonte ide e vizione të qarta para të huajve, për një të ardhme më të mirë për Kombin e vet, duke i dhënë kështu një emër të nderuar dhe të respektuar gjakut shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare.  Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar, pas komunizmit, dhe për aleancat e tij me Perëndimin. Si asnjë tjetër udhëheqës tjetër shqiptar, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar në shekullin e XXI, me qëllim për t’u radhitë, ndershmërisht, me kombet e përparuara të botës perendimore demokratike. Ai ishte i bindur në përkrahjen e Perëndimit drejt kësaj rruge e sidomos ishte me plot besim për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës — drejt rrugës së bashkimit dhe integrimit euro-atlantik të Kombit shqiptar.  “Në Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ishte deklarata  e preferuar e Ibrahim Rugovës kur fliste për marrëdhëniet midis dy kombeve tona.

Kryeministri Albin Kurti: objekti, “tash është pronë e Kosovës dhe shtëpi e përhershme e Republikës sonë atje”. Ambasada e re e Republikës së Kosovës në Washington –fotot nga portali i Kryeministrit të Kosovës, Z. Albin Kurti

Sa krenar do të ishte sot Presidenti Rugova me inaugurimin e objektit të ri të Ambasadës së përhershme të Republikës së Kosovës, aty mu në qendër të Washingtonit, në “Rrugën e Ambasadave” të vendeve më të mëdha të botës, që “tash është pronë e Kosovës dhe shtëpi e përhershme e Republikës sonë atje”, sipas fjalëve të Kryeministrit Kurti.
Ndërkaq, ndërsa në Washington po përurohej objekti i Ambasadës së re të Kosovës, në Prishtinë po kujtohej, Dr. Ibrahim Rugova — në Ditën e Presidentit – Arkitetit të shtetit të Kosovës dhe i miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Ditën e Presidentit, në rezidencën e Presidentit dr.Ibrahim Rugova, Presidentja e Republikës së Kosovës kujtoi “lavdinë e arkitektit të pavarësisë së Kosovës”. Në një takim me familjen e Presidentit Rugova, Zonja Osmani e cilësoi bashkshorten e Ibrahim Rugovës, Zonjën Fanë, si një “bashkudhëtare, ndaj mesazhi i saj për kujdesin ndaj miqësisë me aleatët, posaçërisht me SHBA-të, është testamenti i Presidentit Rugova”.

Guri kristal nga miniera e Trepçës, kujtim autorit nga Presidenti historik i  Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, 2005 – Prishtinë

Gjithmonë duke u mbështetur në dashurinë për kombin e vet dhe në përputhje me mbrojtj interesat kombëtare, një mesazh ky shumë i përshtatshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën sot dhe për klasën aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare.