Frank Shkreli: Disa mendime të hedhura mbi vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë – Në kërkim të një shpjegimi racional!

34
Sigal

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

“U mundova gjithashtu të gjej fjalën demokraci në fjalimet e Sekretarit të Shtetit, por nuk e gjeta askund. Anashkalimi i fjalës “demokraci” dhe opozitë”, si dhe mos takimi me faktorë të tjerë politikë të shoqërisë shqiptare nga Z. Blinken gjatë vizitës në Tiranë nuk është një shenjë e mirë për zhvillimet demokratike në Shqipëri, as për marrëdhëniet midis dy vendeve.”

Ishte viti 1975. President këtu; në Amerikë ishte Gerald Ford, i cili si zëvendës president zuri vendin e ish presidentit Nikson që për arsye të skandalit Watergate është detyruar të jepte dorëheqjen.

Presidenti Ford ka mbajtur një fjalim atë vit me të cilin i ka mohuar qytetit të Nju Jorkut ndihmë financiare federale; megjithë thirrjet për ndihmë për të mënjanuar falimentimin financiar, me të cilin përballej qyteti. Ditën e nesërme gazeta e Nju Jorkut Daily News në faqen e parë kishte botuar artikullin: “Ford To City: Drop Dead.” Ford i thotë qytetit: Shko, vdis!

Në të vërtetë, presidenti Ford nuk i kishte shqiptuar këto fjalë në fjalimin e tij, por ky ishte interpretimi i gazetës Daily News i refuzimit të Fordit për të ndihmuar Nju Jorkun, financiarisht.

Presidenti Ford pranoi më vonë se këto fjalë botuar në gazetën e përditshme të Nju Jorkut megjithëse nuk i kishte thënë, i kushtuan atij presidencën, ndërkohë që Xhimi Carter u zgjodh president.

Ky rast m’u kujtua ndërkohë që po ndiqja vizitën 8 orëshe të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.

Mbeta i zhgënjyer nga mungesa e takimeve të Z. Blinken me përfaqësues të asaj, që ende quhet “opozitë” në Shqipëri , një subjekt në vetvete për gabimet e saja madhore,  u mundova gjithashtu të gjej fjalën demokraci në fjalimet e Sekretarit të Shtetit, por nuk e gjeta askund.

Që Sekretari i Shtetit, i vendit më demokratik në botë -Amerikës tonë të dashur – ku gëzojmë liri e demokraci të mos flasë për vlerat demokratike amerikane dhe universale në një vend si Shqipëria, është një sakrilegj. Sidomos gjatë një vizite miqësore në një Shqipëri, që është kaplluar nga një krizë grindjesh të brendshme politike dhe korrupsion në të gjitha nivelet, ndërkohë që vetë Departamenti i Shtetit dhe Freedom House, ndër të tjera ente ndërkombëtare, në raportet vjetore të Drejtave të Njeriut, vit pas viti, e kanë cilësuar Shqipërinë, si një vend pjesërisht i lirë – madje 34 vite pas shembjes së Murit të Berlinit. Shumica e shqiptarëve e kanë të vështirë të më kuptojnë se cili është realiteti i marrdhënieve shqiptaro-amerikane: Raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut, apo “Te Deum” që përfaqësuesit perëndimorë i akordojnë shpesh pushtetit aktual në Tiranë, ndërsa vendi zbrazet nga më të mirët dhe më të edukuarit e kombit.

M’u kujtua prap vizita e parë e një delegacioni amerikan në Tiranë në mars/prill 1991. Delegacioni kishte vendosur të takohej me të gjithë përfaqësuesit e shtresave të shoqërisë shqiptare. Kishim ftuar edhe përfaqësuesit e tre feve të posa dalur nga burgjet komuniste, në pritjen e parë në 50 vjet në të ashtuquajturin,“hotel” Dajti nga një delegacion amerikan në Shqipëri. Tre klerikët e shkretë ashtu të vuajtur nga burgu dhe me shëndet të dobët nuk i besonin vetes as rrethanat në të cilën gjendeshin atë natë: të ftuar në pritje nga delegacioni i parë amerikan në Shqipëri, ndërsa përfaqësuesit e regjimit të atëhershëm komunist, të cilët kundërshtuan që të ftoheshin klerikët dhe personalitete të tjerë, përveç autoriteteve komuniste, dukej se i thonin njeri tjetrit, çka na gjeti me këta amerikanët?!

Idea ishte që përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë shqiptare, jo vetëm autoritetet e larta, për herë të parë në 50 vjet, të takoheshin me njeri tjetrin në të njejtën sallë, të persekutuarit e komunizmit, disa të liruar vetëm disa ditë më parë, me disa prej persekutorëve që mbanin në fuqi atë regjim komunist kriminal.

“Deri më sot kam paralajmëruar se në Shqipëri “Demokracia nuk pret”. Duke parë zhvillimet e fundit politike më duket sikur ka skaduar ekperimenti me demokracinë në Shqipëri. Kam drojë se Demokracia e vërtetë në Shqipëri ka pësuar një goditje të rëndë vitet e fundit. Vendi është në prag të një monizmi autokrat, që i ngjan një vendi të botës së tretë në zhvillim se sa një vendi anëtar të NATO-s. Uroj që të mos kemi arritur në një gjendje që në vend që të festonim marrëdhëniet e mira shqiptaro-amerikane me rastin e vizitës së Sekretarit të Shtetit Blinken të ngushëllojmë njëri tjetrin për vdekjen e demokracisë shqiptare”

Vura re se kësaj here, Z. Blinken nuk kishte gjetur 2 minuta kohë për të përshëndetur madje as me klerikët shqiptarë, të cilët regjimi shpesh i përdor si pasqyrim të bashkjetesës fetare. Mos vallë ka pas droje se klerikët mund t’i kenë shprehur përfaqësuesit të lartë amerikan shqetësimet e tyre në lidhje me dukuritë komuniste të kohëve të fundit në Shqipëri, për të cilat Kisha Katolike Shqiptare bëri një deklaratë publike kohët e fundit. Pajtimi kombëtar midis shqiptarëve, Z. Blinken edhe aq i nevojshëm sot sa ç’ishte edhe më 1991.Vizita e Sekretarit te Shtetit Blinken në Tiranë kërkon një shpjegim racional, por unë nuk e gjej dot. Levdatat për një lider dhe një qeveri të tillë nga një kryediplomat amerikan, është vështirë t’i gjesh në komunikimet diplomatike midis dy vendeve, sidomos përballë, zhvillimeve të fundit në Washington të çështjes korruptive “Mcgonigal”.

Kjo mungesë, siç duket e qëllimshme, për të parë realitetin aktual politik shqiptar ashtu siç është, nuk i shërben marrdhënieve të mira shqiptaro-amerikane, as stabilitetit politik në Shqipëri, as paqes në rajon e proceseve demokratike në Shqipëri, jo se jo. Ndonëse nuk e tha ashtu me fjalë në Tiranë, disa analistë e cilësuan këtë mungesë, sikur Sekretari i Shtetit Blinken i tha “lamtumirë” demokracisë shqiptare, në favor të monizmit, të një partie-shtet dhe të “stabilokracisë”, ose në favor të ndonjë qëllimi tjetër të brendshëm ose të jashtëm. Krejt ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij demokratë e republikanë, që kanë vizituar Tiranën gjatë tre dekadave të fundit, e të cilët nuk kanë ngurruar aspak dhe asnjëherë të flasin në mbështetje të demokracisë, dhe të pajtimit e bashkpunimit aq i nevojshëm për shqiptarët e vuajtur nga komunizmi. Për demokracinë si një sistem i preferuar qeverisjeje, kundër korrupsionit, në favor të lirisë dhe barazisë, të drejtave të njeriut. Sidomos në mbështetje të lirisë së fjalës dhe shtypit të lirë, si baza e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera.

Për 2-3 dekada të tranzicionit pseudo- komunist në Shqipëri, jam munduar, modestësisht bazuar në përvojën time, të paralajmëroj shpeshherë se demokracia atje është në rrezik, se vlerat demokratike po shkeleshin haptas dhe qëllimimisht nga klasa politike shqiptare, se grindjet politike po i shkatonin vendit rreziqe të brendshme dhe të jashtme politike, qëllimi kryesor i të cilëve ishte dhe është ruajtja e pushtetit të tyre për më shumë se tre dekada tani. Se pa zgjedhje të lira dhe pa opozitë reale në Shqipëri nuk mund të kishte demokraci, as liri, as stabilitet në vend as në rajon dhe as ndarje “vlerash të përbashkëta”, as marrëdhënie “krah për krah” me Shtetet e Bashkuara, siç dëgjojmë shpesh nga persona të caktuar, nga të dy palët, të cilët e quajnë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Përfaqësuesit amerikanë duhet që të mbrojnë, kudo në botë, vlerat dhe demokracinë amerikane, si garanci për zbatimin e të drejtave universale në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.

“Vura re se kësaj here, Z. Blinken nuk kishte gjetur 2 minuta kohë për të përshëndetur madje as me klerikët shqiptarë, të cilët regjimi shpesh i përdor si pasqyrim të bashkjetesës fetare. Mos vallë ka pas droje se klerikët mund t’i kenë shprehur përfaqësuesit të lartë amerikan shqetësimet e tyre në lidhje me dukuritë komuniste të kohëve të fundit në Shqipëri, për të cilat Kisha Katolike Shqiptare bëri një deklaratë publike kohët e fundit.”

Anashkalimi i fjalës “demokraci” dhe opozitë”, si dhe mos takimi me faktorë të tjerë politikë të shoqërisë shqiptare nga Z. Blinken gjatë vizitës në Tiranë nuk është një shenjë e mirë për zhvillimet demokratike në Shqipëri, as për marrëdhëniet midis dy vendeve. Me simbolikat gjatë vizitës në Tiranë, sikur i dërgoi, mesazhin “Lamtumirë demokraci” për afër 50 për qind të votuesve shqiptarë, të anashkaluar dhe të përjashtuar gjatë tre dekadave të kaluara: “Drop dead”, ne jemi më të interesuar në stabilitet se për vlerat demokratike, të drejtat dhe liritë tuaja.

Sa për dijeni tuajën Z. Sekretar Shteti, pothuaj nuk ka familje shqiptare nga këta 50 për qind të shqiptarëve që të mos ketë dikë në Shtetet e Bashkuara. Shumë prej tyre e kanë pësuar keq nga komunizmi veçse përmendnin emrin e Amerikës gjatë komunizmit. Ju me të drejtë përmëndet Zërin e Amerikës si të vetmin kontakt me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë regjimit komunist. Shumë shqiptarë janë dënuar vetëm e vetëm se dëgjonin Zërin e Amerikës gjatë dekadave të komunizmit diktatorial. Rrënjët e shpresës, besimit dhe dashurisë për Amerikën janë të thella tek shqiptarët pa dallim, Z. Blinken. Mos t’i zhgënjejmë të shkretët më shumë se tre dekada pas shëmbjes së Murit të Berlinit.

Tirana zyrtare, Z. Blinken ende nuk ka dënuar krimet e komunizmit as nuk është distancuar nga regjimi barbar i Enver Hoxhës, siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste evropiane. Ne shqiptaro-amerikanëve, si shtetas të këtij vendi të bekuar, votues dhe taksa pagues të Amerikës tonë të dashur, na intereson shumë fati i familjeve tona atje, sepse me ta kemi gjakun e përzier Z. Blinken. Shumë prej tyre e kanë pësuar shumë keq nga komunizmi, vetëm e vetëm, se shumë nesh jetonim e vepronim në Amerikë. Për shumë shqiptarë, Z. Blinken, një mur i vogël i Berlinit ende ekziston. Prandaj, për mua dhe për shumë miq e kolegë të mi në Amerikë dhe në Shqipëri, vizita e juaj në Tiranë nevojit një shpjegim racional, por është e vështirë të shpjegohen deklaratat ose heshtjen ndaj disa çështjeve të tjera me rëndësi për atë vend dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
Megjithkëtë, kam thënë shpesh se marrëdhëniet amerikano-shqiptare ishin dhe duhet të mbeten popull me popull dhe jo të favorizojnë një person ose një parti politike. Kështu i duan shqiptarët marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara.

“Vizita e Sekretarit te Shtetit Blinken në Tiranë kërkon një shpjegim racional, por unë nuk e gjej dot. Levdatat për një lider dhe një qeveri të tillë nga një kryediplomat amerikan, është vështirë t’i gjesh në komunikimet diplomatike midis dy vendeve, sidomos përballë, zhvillimeve të fundit në Washington të çështjes korruptive “Mcgonigal”.

Për fat të keq, vizita e Sekretarit Blinken në Tiranë më la një shije të keqe se ndoshta në fakt dhe në realitet në sytë e Washingtonit zyrtar aktual, një krah politik, pasardhësit e familjeve komuniste në Shqipëri janë të preferuarit e politikës aktuale amerikane, disa të nënës e disa të njerkës. Vizita juaj Z. Blinken vetëm përforcoi këtë ndjenjë reale në radhët e shqiptarëve, në Shqipëri por edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Kjo është e dëmshme për marrëdhëniet mis dy kombeve tona.

Nuk është sekret se në Shqipëri flitet për të “favorizuarit” e Washingtonit. Nuk do të kishte gjë më të rrezikshme për marrëdhëniet e mira dypalëshe midis Washingtonit dhe Tiranës se mbështetja e njërës ose tjetrës palë politike shqiptare nga diplomacia amerikane. Shqiptarët kanë nevojë për pajtim dhe jo për nxitje të përçarjeve, si rezultat i animeve politike në favor të pushtetit në fuqi, ose personave të caktuar, nga diplomacitë perëndimore, sidomos nga Washingtoni zyrtar. Një gabim shumë i rëndë që është përsëritur dhe siç duket vazhdon të zbatohet nga miqtë e shqiptarëve perëndimorë, duke sjellur në atë vend rreziqe të brendshme të pa parashikueshme për stabilitetin e një jete politike normale në Shqipëri.

Deri më sot kam paralajmëruar se në Shqipëri “Demokracia nuk pret”. Duke parë zhvillimet e fundit politike në atë vend, përfshirë zhvillimet në parlament, me duket sikur ka skaduar ekperimenti me demokracinë në Shqipëri. Kam drojë se Demokracia e vërtetë në Shqipëri ka pësuar një goditje të rëndë vitet e fundit, me pasoja të pa parashikueshme për paqën dhe stabilitetin në atë vend dhe në rajon! Vendi është në prag të një monizmi autocrat, që i ngjan një vendi të botës së tretë në zhvillim se sa një vendi anëtar të NATO-s.

“Ndonëse nuk e tha ashtu me fjalë në Tiranë, disa analistë e cilësuan këtë mungesë, sikur Sekretari i Shtetit Blinken i tha “lamtumirë” demokracisë shqiptare, në favor të monizmit, të një partie-shtet dhe të “stabilokracisë”, ose në favor të ndonjë qëllimi tjetër të brendshëm ose të jashtëm.”

Uroj që të mos kemi arritur në një gjendje që në vend që të festonim marrëdhëniet e mira shqiptaro-amerikane me rastin e vizitës së Sekretarit të Shtetit Blinken të ngushëllojmë njëri tjetrin për vdekjen e demokracisë shqiptare, si përfundim i mos përkrahjes së vendeve perëndimore të proceseve demokratike në Shqipëri dhe si rrjedhim i ndërhyrjeve të tyre të pakëshillueshme në zhvillimet e brendshme politike të marrëdhënieve midis dhe brenda partive shqiptare. Shqipëria ka nevojë për pozitë dhe opozitë!

Megjithë shqetësimet serioze të mia dhe të tjerëve, unë vazhdoj të besoj se nuk ka asnjë parti as ndonjë individ sado i plotfuqishëm të jetë, që mund të largojë ose të distancojë shqiptarët e të gjitha rrymave politike nga dashuria për Amerikën dhe amerikanët. Këtë nuk e bëri as Enver Hoxha megjithë propagandën e tij anti-amerikane prej gjysëm shekulli. Miqësia 100 vjeçare shqiptaro-amerikane, popull me popull, do jetojë ndër shekuj! Politikanët dhe diplomatët aktualë, nga të dy palët, janë të përkohshëm, ndërsa dy popujt tanë dhe marrëdhëniet midis tyre janë të përhershme.

I Madhi Zot e bekoftë Amerikën tonë të dashur dhe Kombin shqiptar të vuajtur në ditë të mira dhe të vështira!