Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*
Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, (BE) Kati Schneeberger, e ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, për qasjen ndaj Kosovës, njofton Koha. Net, dhe disa portale të tjera. Sipas këtyre burimeve mediatike, Kati Schneeberger ka akuzuar Josep Borrellin se po përpiqet që të sanksionojë një shtet nga i cili janë kidnapuar tre policë nga njësitë policore të Serbisë, ndërsa, këtë të fundit, e përkëdhel derisa kryen krime jashtë territorit të saj. Zyrtarja e Bashkimit Evropian nga Gjermania, Kati Schneeberger ka bërë kërkesën e fortë që Borrell-i të japë dorëheqjen menjëherë, nga detyra e lartë, si Përfaqsues i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme. Sa për kujtesë, dhe informacion për lexuesin, Josep Borrel është një politikan i Spanjës, anëtar i Partisë Socialiste të Punës të atij vendi. Spanja është një ndër vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Edhe Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfshirë të ashtuquajturin “dialog” Beograd-Prishtinë, vjen nga Sllovakia, një vend tjetër i BE-së që nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës. Çfarë kredibiliteti kanë këta dy zyrtarë të lartë të BE-së, që vijnë nga dy shtete, që nuk njohin zyrtarisht, si shtet të pavarur, në “dialogun”, midis Serbisë dhe Republikës së Kosovës?

Tre vite më parë kisha parashikuar se emërimi i Josep Borrell (Përfaqësues i BE-së për Punët e Jashtme) dhe Miroslav Lajçak (Përfaqësues i BE-s për Ballkanin Perëndimor, përfshirë “dialogun” Prishtinë-Beograd), nuk ishin aspak lajm i mirë për Republikën e Kosovës dhe për interesat legjitime të shqiptarëve në përgjithësi, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor.
Frank Shkreli: Kush është Josep Borrell për shqiptarët? | Gazeta Telegraf
Në këtë ndërkohë, zyrtarja e BE-s Kati Schneeberger i ka bërë thirrje Evropës që të qëndrojë me Kosovën dhe i ka kërkuar Joesp Borrell-it që të japë dorëheqjen: “Dorëhiqu para se të bësh më shumë dëme. Ti je një rrezik për demokracinë dhe paqen në Evropë. Na duhen njerëz që e mbrojnë demokracinë tonë, jo që forcojnë autokratët”, citohet të ketë shkruar ajo në rrjetet sociale.

Sa për informacion për lexuesit, Këshilltarja vendore e BE-së, Kati Schneeberger ishte e para që ndërmori përsipër – Majin e vitit 2022 – organizimin e peticionit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e mbështetur në atë kohë edhe nga Reporterja e Bashkimit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek. Rezultati përfundimtar është se qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza, anë e mbanë zonës Shengen, duke filluar nga 1 janari i vitit që vjen (2024).




















