Frank Shkreli: Atdhe e Fe!

159
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Sipas një idiome, një fotografi vlen sa një mijë fjalë. Edhe për këtë rast, fotografitë flasin vetë. Por kjo ngjarje flet shumë më shumë se vetëm për një takim, i pasqyruar në disa foto, që mund të shikoni më poshtë.

Të martën që kaloi, Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH), në një gjest njerëzor, atdhetar dhe fetar, vlerësoi Monsinjor Xhorxh Frendon – ish-kreun e KNFSH-së dhe ish Arkipeshkvin e Tiranë Durrësit, me Çmimin e “Mirënjohjes”, për vitin 2020. Anëtarët e Bordit të KNFSH-së u mblodhën këtë javë për t’i dhënë lamtumirën Mon Frendos me rastin e daljes në pension dhe largimin e tij nga Shqipëria, duke e vlerësuar atë dhe veprimtarinë e tij në shërbim të Kishës Katolike Shqiptare, të dialogut, harmonisë fetare dhe të shoqërisë në përgjithësi, me motivacionin: “Për kontributin e lartë në forcimin e frymës së dialogut ndërfetar ndër shqiptar gjatë shërbimit në Shqipëri dhe për rolin e rëndësishëm në promovimin e vlerave universale, bashkëjetesës, harmonisë dhe bashkëpunimit ndërfetar si Kryetar i Këshilli Ndërfetar të Shqipërisë gjatë vitit 2020.”

Në njoftimin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë me këtë rast, thuhet se Drejtuesit e komuniteteve fetare, sekretari i përgjithshëm dhe financierja e KNFSH-së kanë vlerësuar lart të gjithë kontributin e Mons. Xhorxh Frendos në detyrat e tij drejtuese, që ka mbajtur gjatë qëndrimit në Shqipëri, si dhe për kontributin dhe bashkëpunimin gjatë drejtimit të KNFSH-së në vitin 2020. Mons. Frendo ka shërbyer në Shqipëri 25 vjetët e fundit dhe së fundmi si kreu i Kishës Katolike në Shqipëri. Ndërkaq, me anë të një ceremonie solemne, Presidenti Ilir Meta çmoi muajin e kaluar, Arqipeshkvin Metropolitan Tiranë-Durrës, Imzot George Anthony Frendo O. P. me Dekoratën “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së vyer për ringjalljen e besimit shpirtëror e të shpresës për një të ardhme më të mirë, si dhe për pjesëmarrjen aktive në Këshillin

Ndër-Fetar e në shumë çështje sociale me rëndësi jetike. Me mirënjohje për konsolidimin e institucioneve të kultit e të besimit fetar, si dhe për forcimin, pasurimin e mëtejshëm dhe promovimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës ndër fetare të popullit shqiptar.

Për këtë harmoni e bashkëjetesë midis feve në Shqipëri reagoi edhe Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri – Kundër panairit te intolerancës – Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë (kish.al) – me rastin e inaugurimit të pasardhësit të Mons Xhorxh Frendos, Monsinjorit Arjan Dodaj në postin e Arkipeshkvit të ri të Tiranë-Durrësit. Siç duket, pjesëmarrja e përfaqësuesve politikë dhe të komuniteteve fetare të Shqipërisë në ceremoninë e inagurimit të udhëheqësit të ri të Arkipeshkvisë Tiranë-Durrës, Mons Arjan Dodajt ka lënë një përshtypje të pashlyeshme në kujtesën e diplomatit të OSBE-së në Tiranë. Në shkrimin e tij titulluar “Kundër Panairit të Intolerancës”, ai shkruan: “Kontributi që dëshiroj të jap në mënyrë sintetike – me një kokë të ftohtë – ka të bëjë me fuqinë e të pathënës dhe të imazheve. Përqafimi i qetë në foto mes Arqipeshkvit dhe përfaqësuesve të tjerë të lartë të komuniteteve fetare është për mua po aq i denjë sa predikimet, nëse jo më shumë. Nga njëra anë, kjo është një paraqitje e shkurtër e kulturës së Mons. Arjanit, për të qëndruar së bashku në diversitet, për të bashkëpunuar, për të ndjekur këtë të vërtetë që do që ne të jemi pjesë e të njëjtit mozaik njerëzor si vëllezër. Sepse asnjë njeri nuk është i plotë në vetvete. Dhe, me besim, njeriu ushqen krijimin, pa pritur reciprocitet.”  Në katedralën e Shën Palit në Tiranë, “ndjehej ngrohtësia e këtij populli të jashtëzakonshëm, ashtu si buqeta e hedhur në pikturën e Banskit në Betlehem… na kujtuan madhështinë e popullit shqiptar, i cili nuk sheh arsye për ndarje të thellë. Pyes veten nëse ky nuk është një tipar i natyrshëm shqiptar, para ndonjë dimensioni fetar…Është një shembull që meriton të lavdërohet me zë të lartë, pa e marrë kurrë si të mirëqenë”, është shprehur Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.

Në fjalën e tij shumë dashamirëse me këtë rast, Ambasadori Del Monaco pyet vetën nëse ky nuk është një tipar i natyrshëm shqiptar. I nderuar Z. Ambasador harmonia dhe bashkëjetesa ka qenë dhe është një tipar shqiptar. Ishte regjimi i Enver Hoxhës ai që zhduku tiparet më të mira të këtij Kombi të lashtë iliro-arbëror, duke lënë pas një trashëgimi urrejtjeje të vëllait me vëlla, duke themeluar një ambient e atmosferë mos-tolerancë midis shqiptarëve, madje edhe duke shpallë fenë dhe Zotin ilegal në Shqipërinë e tij komuniste. Është kjo mos-tolerancë

Politike, që po shkatërron vendin dhe kombin e të cilës jemi sot dëshmitarë në Shqipëri – trashëgimi e Enver Hoxhës – që edhe sot shumë veta, përfshirë ndërkombëtarët në atë vend, nuk e shohin si një problem kryesor dhe pasojë e konflikteve të pafund të klasës politike në atë vend. Shqipëria ka nevojë të distancohet një herë e mirë nga krimet dhe urrejtjet që regjimi komunist ka mbjellur thellë në atë vend: përfshirë urrejtjet kundër fesë dhe të Madhit Zot.

I nderuar Ambasador Del Monaco, në shkrimin tuaj dashamirës, ju pyesni nëse harmonia fetare ndër shqiptarë është tipike shqiptare. Nesër, dita e shtunë, 29 Janari, shënon 50-vjetorin e themelimit të Xhamisë Shqiptare në lagjen Bruklin të Nju Jorkut. Po e përmend këtë 50-vjetor (Janar 29, 1972) për të treguar se kishat dhe xhamitë, sidomos, këtu në Shtetet e Bashkuara janë blerë ose ndërtuar me ndihmën e të gjithë shqiptarëve të arratisur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pa dallim feje a krahine. Shqiptarët e arratisur nga komunizmi ishin të vetëdijshëm të këtyre tipareve historike. Me atë rast, ish-Kryetari i Këshillit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane, Rexhep Kumbarçe, i kishte dërguar një thirrje Ernest Koliqit që ta botonte në revistën “Shjezat”, drejtuar shqiptarëve kudo në botë që të jepnin ndihmën e tyre për blerjen e xhamisë së re në Amerikë. Ishin këta dy burra të Kombit, ndër të tjerë, që po bashkëpunonin për të mbledhur fondet për xhaminë e re në mërgim, sepse të dy këta besonin në idetë dhe rolin e “pazevëndësueshëm që luajnë besimet fetare në naltësimin shpirtënor të njerëzve dhe të kombeve. E përmend këtë rast, sepse ilustron rolin e feve në historinë e Kombit shqiptar dhe deri diku i përgjigjet pyetjes së Amb. Del Monaco nëse harmonia dhe bashkëjetesa fetare është një tipar historik i shqiptarëve.

Në komentin e Ernest Koliqit bashkangjitur thirrjes së Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Amerikë për të ndihmuar mbledhjen e fondeve për xhaminë, botuar në Revistën Shejzat të vitit 1972, shkruan: “Përsa i përket fisit shqiptar, historia tregon se në vërshim të pushtuesve të huaj, feja mbajti gjallë shqiptarizmin, si në trojet shqiptare, ashtu edhe në diasporë. Feja shpëtoi Kosovën nga çkombëtarizimi, feja mbajti kufijtë në veri të Shqipënisë nga turri pushtues i pansllavizmit. Feja mbajti gjallë ndër Arbëreshët gjuhën e traditat e atdheut të zanafillës. Feja vuri në gjëndje Fan Nolin, duke krijuar Kishën Autoqefale Orthodokse Shqiptare, me ba të dështojnë nënkambësat e anmiqësve të emnit shqiptar. Natyrisht, në të gjitha këto raste, feja forconte ndjenjën kombëtare: Atdhe e Fe. Rilindja shqiptare mori hov e zhvillim mbi platformën e besimeve të bashkueme. Teqetë e Kuvendet qenë qendrat ma veprimtare të lëvizjes rilindëse në kohën e robnisë”,- ka shkruar Ernest Koliqi.

Ndërsa, në apelin e tij, 50-vjet më parë, ish-Kryetari i Këshillit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane, Rexhep Kumbarçe, u bën thirrje të gjithë shqiptarëve pa dallim feje që të kontribonin pasi siç shprehet, “Solidarsia dhe vëllazënia e gjakut shqiptar, që në çdo rrethanë ka qenë e vetmja cilësi që ka sigurue, në të kaluarën, mbijetesën e kombit tonë. Le të jetë e qartë për secilin, se çdo ndihmë në këtë rast na lidhë, “shpirtnisht” të gjithëve dhe na ve në gjëndje të ruajmë me vendosmëni  të dy faktorët e doemosdoshëm për një jetesë të lumtun e në paqë: Atdhe e Fe”, ka përfunduar thirrjen e tij 50-vjet më parë, Rexhep Kumbarçe, ish-Kryetari i Këshillit të Qendrës Islame Shqiptaro-Amerikane.

  1. Ambasador Del Monaco të falënderojmë për fjalët tua fisnike. Me këtë rast, dhe ju siguroj se harmonia dhe bashkëjetesa fetare në radhët e shqiptarëve, pa dallim, kanë qenë dhe janë tipare historike të kombit. “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë”. Kjo thënie e poetit të madh të shqiptarëve, At Gjergj Fishtës ka treguar se ndër shekuj shqiptarët e kanë pasur bashkëjetesën fetare një shembull për të gjithë, duke e përcjellë brez pas brezi. Por urojmë, njëkohësisht, që influencat e huaja, të mbështetura, fatkeqësisht, nga një pjesë e klasës së sotme politike shqiptare, të mos prishin, për qëllime personale, këtë harmoni dhe bashkëjetesë historike fetare ndër shqiptarët: tipare këto shembullore në historinë e njerëzimit dhe të doemosdoshme sot për lartësimin shpirtëror dhe shoqëroro-politik të shqiptarëve dhe të kombit, në përgjithësi. Shumica e shqiptarëve, qoftë në trojet shqiptare, qoftë në diasporë, jemi krenarë për këto vlera tipike shqiptare të harmonisë fetare, e të cilat u pasqyruan këto ditë në Tiranë me rastin e ndryshimeve në hierarkinë e Kishës Katolike Shqiptare dhe pjesëmarrjen e  krerëve të feve të tjera të shqiptarëve. “Është një shembull që meriton të lavdërohet me zë të lartë”, por siç u shpreh edhe Ambasadori Vincenzo Del Monaco, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, “pa e marrë kurrë si të mirëqenë”.