Frank SHKRELI/ Akuza e gjenocidit kundër një ish-zyrtari komunist në Rumani

530
Sigal

Gjatë dy dekadave të fundit, shtetet ish-komuniste të Europës Lindore dhe të ish-Bashkimit Sovjetik- dikush më shumë e dikush më pak, e disa prej tyre aspak -janë përpjekur që të përballen me krimet dhe me abuzimet e të drejtave të njeriut, që ishin karakteristikë e jetës së përditshme  të regjimeve komuniste për pothuaj 50-vjet.  Megjithëse, ky proces ndryshon nga vendi në vend, në përgjithësi shtetet ish-komuniste janë përpjekur të zbatojnë një sistem drejtësie që të mundësonte, që këto shoqëri të përballeshin me të kaluarën e tyre tragjike komuniste, duke mare vendime për ligjet e lustracionit, ndalimin për të marrë pjesë në jetën politike të ish-zyrtarëve komunistë dhe të ish-zyrtarëve të Policisë Sekrete të shteteve komuniste, përfshirë edhe spiunët. Disa vende kanë hapur të gjitha dosjet duke bërë të mundur që qytetarët e thjeshtë të mund të shikojnë arkivat dhe informatat e mbledhura për ta nga ish-sigurimi i shtetit komunist. Ky proces i përballimit me krimet e regjimeve komuniste në shumë vende ka përfshirë gjyqe dhe procedura ligjore kundër ish-zyrtarëve komunistë dhe ish-agjentëve të sigurimit të shtetit, të cilët dyshohet se, kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe brutalisht kanë dhunuar dhe kanë shkelur të drejtat bazë të njeriut, të bashkëkombësve dhe bashkëqytetarëve të tyre.

Kohët e fundit media amerikane dhe ajo rumune dhe europiane, përfshirë media të njohura si gazeta “Nju Jork Tajms”,  kanë shkruar për vendimin e prokurorëve rumunë të cilët kohët e fundit njoftuan vendimin për të akuzuar zyrtarisht për kryerje gjenocidi, një komandant të burgjeve të regjimit komunist rumun.  Prokurorët rumunë kanë akuzuar ish-komandantin Aleksandru Visinescu për krimet  që sipas dëshmitarëve ai ka bërë kur ishte përgjegjës i burgut famëkeq Ramnicu Sarat,  nga viti 1956 -1963.  Thuhet se, në atë burg mbaheshin kundërshtarët më të dalluar politikë të regjimit komunist rumun, përfshirë elitën politike para- komuniste të Rumanisë si dhe intelektualët dhe klerikët më të njohur të vendit.  Siç duket, kjo masë nga prokurorët rumunë është një përpjekje serioze nga ana e autoriteteve rumune për t’u përballur me të kaluarën komuniste të vendit të tyre, duke sjellë para drejtësisë ish-komandantët e burgjeve, të cilët mundësuan qëndrimin në fuqi të një prej regjimeve më brutale në Europën -Lindore.

Akuza për gjenocid, është një akuzë e rëndë, pasi gjenocidi përcaktohet nga Kombet e Bashkuara si një krim ndërkombëtar, dhe si një “akt që kryhet me qëllim të për zhdukur në tërësi, ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racial ose fetar”. Ish -komandanti i burgjeve të regjimit komunist rumun, Aleksandru Visinescu është personi i dytë në Rumani që mban mbi shpatulla akuzën e gjenocidit, pas ish-diktatorit komunist rumun Nikolai Çausesku dhe bashkëshortes së tij, të cilët u gjykuan dhe u ekzekutuan në vitin 1989. Prokurorët rumunë, në deklaratën për median, janë shprehur se Visinescu, si komandant i burgut Ramnicu Sarat, i trajtonte aq barbarisht të burgosurit politikë sa trajtimi i tyre shtazarak kishte për qëllim zhdukjen fizike të kundërshtarëve politikë të regjimit komunist.

Ishte Instituti Rumun për Hetimin e Krimeve të Komunizmit dhe të Kujtimit të të Mërguarve Rumunë, një organ qeveritar, ai që mblodhi provat kundër Visinescu-t dhe bëri një listë që përfshinë emrat e të pakën 35 ish-zyrtarëve komunistë, të cilët instituti në fjalë i akuzon ata për shkelje të të drejtave të njeriut dhe abuzime e krime të tjera.  Instituti qeveritar për Hetimin e Krimeve të Komunizmit në Rumani, në një prononcim për median tha se, “mirëpret këtë vendim historik (të Prokurorisë rumune) duke nënvizuar  njëkohësisht vendosmërinë  e tij për të vazhduar përpjekjet për identifikimin e të gjithë atyre që janë përgjegjës për abuzime dhe krime të rënda politike gjatë periudhës komuniste”.  Duke thënë se, ky vendim është historik jo vetëm për Institutin që ai kryeson por edhe për të gjithë shoqërinë rumune, Presidenti i Institutit Andrei Muraru u shpreh për median se: “Kjo është hera e parë që një ish-nëpunës i sistemit të burgjeve komuniste akuzohet për gjenocid, për krimet politike dhe abuzimet e bëra gjatë regjimit komunist”.  Ai shtoi se, akuza kundër ish-komandantit të burgut famëkeq Ramnicu Sarat, Aleksandër Visinecu-t, “përbën një pikë-kthesë në zhvillimin dhe dënimin e krimeve të regjimit komunist”, në vendin e tij.

Para një jave, gazeta “Nju Jork Tajms” në një artikull të gjatë në faqen e pare, tha se akuza zyrtare kundër ish-komandantit të burgut Visinescu ka shtuar shpresat se më në fund edhe Rumania po ndjekë shembullin e shumicës së fqinjëve të saj në Europën -Lindore dhe Qendrore për të “shkundur amnezinë kombëtare mbi të kaluarën e saj brutale dhe që të rishqyrtojë kulturën e mos-ndëshkimit e cila ka nxitur korrupsionin e papërmbajtur në shoqëri, gjë që ka ngadalësuar dukshëm përparimin e vendit, megjithëse është anëtare e Bashkimit Europian  që prej vitit  2007″.  Gazeta “Nju Jork Tajms” shkruan se, vazhdimësia midis elitës komuniste dhe post-komuniste është një fakt që shpjegon se pse në Rumani ekziston një rezistencë aq e fortë ndaj përballimit me krimet e regjimit komunist. Gazeta citon, Laura Stefan, një eksperte rumune të ligjit, e cila thotë, duke iu referuar vendit të saj se: “Ne rrjedhim nga ujëra të thella dhe shumë të ndyra. Korrupsioni është arsyeja kryesore që ne nuk flasim për të kaluarën”, tha ajo për “Nju Jork Tajms”.  Megjithëse, e sheh akuzën zyrtare ndaj ish-komandantit Visinescu si diçka pozitive, ajo dyshon se,  autoritetet janë serioze për të dënuar dhe burgosur Visineskun dhe të tjerët si ai të akuzuar për krime gjatë regjimit komunist.  Edhe profesori  rumun D. Voinea citohet nga gazeta “Nju Jork Tajms” se elita politike dhe ekonomike e Rumanisë gjithnjë dominohet nga ish-komunistët dhe të afërmit e tyre, të cilët si të tillë duan të sigurohen se krimet e komunizmit  nuk do të zbulohen kurrë dhe ata që i kryen ato krime nuk do të dënohen kurrë për to.

Tranzicioni nga regjimet komuniste në demokraci ka qenë dhe vazhdon të jetë i vështirë për shumë vende të ish-bllokut komunist, përfshirë Rumaninë, por edhe për Shqipërinë dhe Kosovën si vende ish-komuniste.  Ekspertët në përgjithësi janë dakord se konfliktet e pazgjidhura që rrjedhin nga mos vullneti për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe të gjitha të zezat e saja vazhdojnë të pengojnë zhvillimin dhe stabilizimin e një sistemi të vërtetë demokratik, megjithëse në pushtet tani janë përfaqësues të një brezi tjetër, por pinjollë të regjimit të vjetër komunist.  Tranzicioni ka qenë më i vështirë në shtetet ish-komuniste siç janë Shqipëria dhe Rumania, vende këto të cilat, ndryshe nga shumë vende ish-komuniste, nuk kanë dënuar as nuk kanë mbajtur përgjegjës asnjë person për krimet dhe masakrat e kryera gjatë periudhës komuniste ndaj kundërshtarëve të pafajshëm të regjimit komunist. Madje, në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë,  individë që kishin marrë pjesë në shtypjet brutale dhe  në zhdukjen e kundërshtarëve të regjimit komunist, gjatë 20-viteve të fundit, janë kthyer në pozita të larta të pushtetit qeveritar dhe shtetëror.

Siç duket, në një mungesë të plotë të vullnetit politik për t’u marrë me krimet e së kaluarës, në disa vende ish-komuniste dhe jashtë, do të vazhdojë debati në lidhje me hapjen ose jo të dosjeve, me lustracionin,  me gjyqet dhe me dënimin e atyre që kryen krimet dhe masakrat gjatë diktaturës komuniste kundër popullit të vet.  Pyetja është se pse disa vende përballen me të kaluarën e tyre diktatoriale e shtypëse duke hapur dosjet e sigurimit të shtetit, duke ndaluar pjesëmarrjen në politikë të ish-zyrtarëve të regjimeve komuniste dhe duke dënuar abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut të bashkëkombësve të vet, ndërsa disa vende të tjera me të njëjtën histori krimesh e abuzimesh ndaj popullit  të tyre, nuk bëjnë asgjë për t’u përballur me të kaluarën e tyre tragjike.  Shekspiri ka thënë, “What is past is prologue”, që pak a shumë do të thotë se, ato që kanë ndodhur më herët vendosin faktorët sundues tani dhe për të ardhmen, me fjalë të tjera në qoftë se e kaluara nuk gjykohet për ato që ishte, në këtë rast për krimet dhe brutalitetin e regjimeve komuniste, atëherë historia do të përsëritet.