Frank Shkreli: 105-vjetori i Konferencës së Paqës – Wilsoni, Fishta, Noli dhe aktualiteti politik në Shqipëri

35
Sigal

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Ky vit shënon 105-vjetorin e Konferencës së Paqes që filloi në Paris në janar të vitit 1919 dhe që kulmoi me nënshkrimin e Traktatit të Versajës, më 28 qershor, 1919. Lufta e Parë Botërore kishte marrë fund në nëntor të vitit 1918, por përfundoi zyrtarisht me nënshkrimin e Traktatit të Parisit qershorin e vitit 1919.

Janë dy arsye që shqiptarët duhet ta kujtojnë këtë përvjetor: Një, është roli i presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Ëoodroë Wilsonit, si përfundim i takimit të Fan Nolit me ish-presidentin amerikan, para se Wilsoni të nisej për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe arsyeja tjetër është pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në atë konferencë, përfshirë At Gjergj Fishtën.  Ky 105-vjetor shënon fjalimin historik të At Gjergj Fishtës mbi të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta autoktone – një fjalim ky, që deri më sot, as Evropa as bota nuk kanë dëgjuar një fjalim të tillë mbi “Shqiptarët dhe të Drejtat e tyre”, nga asnjë përfaqësues tjetër shqiptar – as në nivel kombëtar, as në ndonjë konferencë ndërkombëtare – gjatë 105-viteve të kaluara.

“Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”  Presidenti Wilson ishte i pari president i Shteteve të Bashkuara, i cili në politikën e jashtme amerikane të kohës, ka theksuar rolin ndërkombëtar si mjet për krijimin e një rregulli të ri botëror, ndërkohë që kishte shpallur hyrjen e Amerikës në Luftën e Parë Botërore, si një përpjekje – sipas tij – për të bërë botën, “të sigurt për demokracinë”.  Ndërhyrja amerikane bëri që lufta të përfundonte në favor të aleatëve dhe janarin e vitit 1918. Administrata e Wilsonit i paraqiti Kongresit të Shteteve të Bashkuara, objektivat amerikane të përfundimit të luftës, duke njoftuar, “14 Pikat”.  Në bazë të njërës prej këtyre pikave, me mbarimin e luftës do të krijohej Lidhja e Kombeve, në bazë të së cilës, të gjitha kombet – të mëdha e të vogla – do të gëzonin garanci të përbashkëta për pavarësinë politike dhe integritetin territorial të tyre.

Fan Noli ishte takuar me Presidentin Wilson, para se presidenti amerikan të shkonte në Paris për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes. Noli ishte i bindur se Shqipëria, në personin e Wilsonit, kishte një mbështetës të fortë. Në një fjalim të vitit 1918 botuar në gazetën Dielli, me titull, “Borxhi që Shqipëria i ka Amerikës”, Peshkop Noli shpreh bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara do të përkrahnin pavarësinë e Shqipërisë. Duke shprehur besimin se Amerika do të dilte fituese dhe se fitorja e Amerikës, sipas Nolit, do të ishte edhe një triumf për demokracinë anë e mbanë botës.


Noli për takimin e tij me Wilsonin: “Unë kam pasur nderin të takoj këtë njëri të madh, me një rast historik.”

 

Ai ishte i patundur në besimin e tij se kushtet e paqes do të vendoseshin, sipas Nolit, nga “Një arbitër i botës, i cili është i drejtë, d.m.th., nga presidenti Woodrow Wilson”, ka thënë Noli, duke theksuar: “Kushtet e tija njihen mirë prej të gjithëve… që secili popull duhet të ketë të drejtën të zgjedhë vetë sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë”. Në shkrimet e tija, Noli ka rrëfyer se Presidenti Wilson kishte ftuar me një rast, përfaqësues të grupeve etnike, përfshirë edhe Nolin si

përfaqësues i komunitetit shqiptaro-amerikan, për t’u takuar me presidentin Wilson në Mount Vernon, jo larg kryeqytetit amerikan.  Duke u kthyer nga Mount Vernon për në Washington, Noli kujton se, iu afrua presidentit Wilson për t’i folur për hallet e Kombit shqiptar duke i bërë apel Wilsonit që, të “shpëtojë një racë heroike por të pa-mbrojtur”. Sipas Peshkop Nolit, Presidenti amerikan Wilson u përgjigj pa hezitim: “Unë do të kem një zë në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”  Sot e dijmë se ashtu edhe ndodhi, megjithëse kërcënimet ndaj Shqipërisë dhe territorit të saj, nga fqinjët grabitqarë, nuk pushuan as pas Konferencës së Paqes.

Gjendja politike në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore ishte tepër e paqartë. Fqinjët e saj, serbët, grekët dhe italianët mezi prisnin të ndanin copa-copa, mes tyre, Shqipërinë. Në të vërtetë, përfaqësuesit diplomatikë të fuqive të mëdha evropiane kishin rënë dakord që Shqipëria të ndahej duke i dhënë nga një pjesë të saj, Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë. Kjo marrëveshje u arrit pa i pyetur shqiptarët dhe pa marrë parasysh dëshirat e Shqiptarëve, por dhe në mungesë të kryenegociatorit diplomatik amerikan në atë konferencë. Por një vit më vonë, Kongresi i Lushnjës, në janar të vitit 1920, vendosmërisht hodhi poshtë marrëveshjen e armiqve të shqiptarëve për të ndarë midis tyre Shqipërinë, copa copa, sikur të ishte plaçkë, ndërsa u paralajmëruan fqinjët dhe Evropa se shqiptarët do të luftonin në mbrojtje të integritetit territorial të vendit.

Në atë atmosferë pasigurie për Shqipërinë dhe për shqiptarët, në Mars të vitit 1920, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Wilson ndërhyri për të bllokuar zbatimin e marrëveshjes anti-shqiptare të Parisit dhe menjëherë vendosi të pranonte përfaqësuesin diplomatik shqiptar në Washington, duke afirmuar, në këtë mënyrë, mbështetjen e Amerikës për pavarësinë e Shqipërisë. Ndërsa, nga fundi i atij viti, Lidhja e Kombeve njohu sovranitetin territorial të Shqipërisë, duke e pranuar atë si anëtare të plotë të organizatës botërore, megjithëse fatkeqësisht me kufij të cunguar e të sakatuar. Prandaj, në këtë 105-vjetor të Marrëveshjes së Paqes në Paris, me 28 qershor, 1919 – megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë të kujtojmë rolin e Woodrow Wilsonit, këtij burrështetasi të madh amerikan, zëri i të cilit, në Konferencën e Parisit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, por jo vetëm.  Të kujtojmë, gjithashtu edhe Fan Nolin, për kontributin e tij, siç ka thënë edhe vet, “Për kauzën njerëzore dhe qytetërimin botëror, me aqë sa kemi mundësi.”

Gazetari, shkrimtari dhe historiani Ilir Ikonomi në librin e tij të fundit, “Fan Noli Apostulli, Vëllimi i Parë”, shkruan, se para se Ëilsoni të nisej për në Paris, me 4 dhjetor, 1918, Arkimandrit Fan Noli me priftërinjtë e tjerë ortodoksë shqiptarë u mblodhën në Boston dhe hartuan një memorandum ku, sipas Ikonomit, argumentonin se pse Shqipëria duhej të ishte shtet i pavarur, me qëllim “që të hidheshin poshtë pretendimet e epirotëve se të krishterët ortodoksë shqiptarë duan bashkim me Greqinë.”  (Ilir Ikonomi, Fan Noli, Apostulli, Vëllimi i Parë, faqe 353). “Shqiptarët thuhej në Memorandum nuk pretendojnë të jenë aq të përparuar e të rafinuar sa kombet perëndimore të Evropës, por ata me të drejtë nuk durojnë asnjë insinuatë se qëndrojnë më poshtë se çdo komb tjetër ballkanik. Kleri katolik në Shqipërinë e Veriut i përbërë nga dy kryepeshkopë, katër peshkopë dhe mbi 300 priftërinj është më i shkolluari në të gjithë Ballkanin…shqiptarët në më pak se 30 vjet dhe në rrethanat më të vështira e kanë kultivuar gjuhën e tyre dhe kanë nxjerrë poetë e shrimtarë të fuqishëm, si At Gjergj Fishta, Andon Zako dhe Faik bej Konica, me të cilët nuk mund të krahasohet dot asnjë autor modern i Ballkanit”.  (Ilir Ikonomi, Fan Noli, Apostulli, Vëllimi i Parë, faqe 353).

Të kujtojmë me këtë rast pra edhe At Gjergj Fishtën, i cili si anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, 105-vjet më parë mbajti fjalimin historik para përfaqësuesve të disa vendeve më armiqësore të kohës ndaj interesave shqiptare, që mbetet sot e kësaj dite si ndër fjalimet – në mos fjalimi më klasik në oratorinë shqiptare mbi, “Shqiptarët dhe të Drejtat e tyre”.

Është ironik fakti se 105-vjet pas Konferencës së Paqes në Paris, kur Shqipërisë i kërcënoheshin rreziqe të shumta nga armiqtë e jashtëm sot rreziku më serioz që i kanoset Shqipërisë siç e ka cilësuar edhe Gjergj Fishta është dhe mbetet edhe  mbi tre dekada post-komunizëm zyrtar -“Rreziku i Përmbrendshëm”, megjithëse, ashtu si në kohën e Fishtës: “Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, një financë, e ma tepër, ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë e lirë dhe e pamvarun”.

Është ironik fakti se 105-vjet pas Konferencës së Paqes në Paris, kur Shqipërisë i kërcënoheshin rreziqe të shumta nga armiqtë e jashtëm – sot rreziku më serioz që i kanoset Shqipërisë – siç e ka cilësuar edhe Gjergj Fishta është dhe mbetet edhe mbi tre dekada post-komunizëm zyrtar. “Rreziku i Përmbrendshëm”, megjithëse, ashtu si në kohën e Fishtës: “Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, e ma tepër, ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë e lirë dhe e pamvarun”.

Por, për fat të keq, edhe sot, kur kufijtë e Shqipërisë janë të sigurt, falë aleancave ndërkombëtare siç është anatarësimi në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare të sigurisë së përbashkët, rreziku më i madh ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, vazhdon të jetë, “rreziku i përbrendshëm”, si pasojë e konflikteve të brendshme aktuale politike, për të cilin ka paralajmëruar dikur At Gjergj Fishta, e që tingëllon aq aktual edhe sot. Ndonëse dikur ishin fuqitë armike ato që kërcënonin interesat kombëtare e territoriale të Shqipërisë, sipas Gjergj Fishtës, janë vet shqiptarët, pikërisht, ata që përbëjnë rrezikun më të madh ndaj interesave afat-shkurta dhe afatgjata të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

“Bota duhet të bëhet e sigurt për demokracinë. Paqeja në botë duhet t’u besohet themeleve të besueshme të lirisë politike.” Woodrow Wilson