Ferit Shqefni: “Tërmet” në Administratën Vendore

Një precedent i rrezikshëm që sfidon Kushtetutën dhe autonominë vendore Dorëheqje apo shkarkim i fshehur politik? Një vendim i paprecedentë ka shkaktuar jehonë në të gjitha njësitë vendore të Shqipërisë: Me një urdhër të Kryeministrit Edi Rama, të gjithë të emëruarit në administratën vendore, përjashtuar kryetarët e bashkive, u është kërkuar dorëheqja. Ky veprim ka hapur një debat të fortë juridik, kushtetues dhe etik mbi kufijtë e kompetencave të qeverisë qendrore dhe të drejtën e vetëqeverisjes vendore. Vendimi prek qindra funksionarë të administratës vendore, përfshirë nënkryetarë bashkish, drejtorë të drejtorive vendore, administratorë njësish, si dhe drejtues të zyrave të shërbimeve sociale, infrastrukturore, arsimore apo urbanistike. Edhe pse lëvizja “shitet” si pjesë e një “ristrukturimi administrativ për rritjen e performancës”, thelbi i saj është tjetër: Një pastrim masiv politik, që synon të forcojë kontrollin vertikal të pushtetit. A mund të imponohet dorëheqja? Jo. Dorëheqja është një akt personal dhe i vullnetshëm. Çdo urdhër, direktivë apo presion për të dhënë dorëheqjen bie në kundërshtim me vetë nocionin juridik dhe etik të saj. Për më tepër, një ndërhyrje e tillë masive, e bërë nga niveli më i lartë i qeverisë, ngre shqetësime serioze për shkelje të parimit të autonomisë vendore, të garantuar nga Neni 13 i Kushtetutës së Shqipërisë:

“Njësitë e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë janë themeluar mbi parimin e autonomisë vendore dhe ushtrimit të vetëqeverisjes vendore.”

Sigal

Në këtë kuptim, kërkesa e Kryeministrit bie ndesh jo vetëm me Kushtetutën, por edhe me Kartën Evropiane për Autonominë Vendore, një dokument ndërkombëtar që Shqipëria e ka ratifikuar dhe është e detyruar ta zbatojë. Pushteti lokal, peng i një vullneti politik? Qeverisja vendore në një sistem demokratik duhet të funksionojë mbi baza profesionalizmi dhe përgjegjshmërie, jo mbi impulse politike apo urdhëra partiake. Kjo lëvizje bie në të njëjtën logjikë me shumë nga vendimet e njëanshme të qeverisë aktuale, ku reforma dhe ristrukturimi përdoren si justifikim për të ushtruar kontroll absolut mbi çdo hallkë të administratës. Krijohet kështu një administratë e frikësuar, e gjunjëzuar dhe e varur totalisht nga lart, jo për të shërbyer qytetarëve, por për të zbatuar verbërisht urdhrat e qeverisë. Një precedent i rrezikshëm …! Precedenti i krijuar me këtë rast është më shumë sesa një manovër politike, është një sulm institucional ndaj pushtetit lokal. Sot janë nënkryetarët dhe drejtorët, nesër mund të jenë kryetarët e bashkive, këshillat bashkiakë, apo çdo strukturë tjetër që nuk është në linjë me udhëheqjen politike. Kjo situatë përforcon idenë se decentralizimi në Shqipëri është më shumë një dekor se sa realitet funksional. Autonomia vendore është vetëm në letra, ndërsa në praktikë, gjithçka varet nga vullneti politik i një individi. Administrata publike, qëndrore apo vendore, nuk është pronë e asnjë qeverie, partie apo kryeministri. Ajo i shërben qytetarëve dhe funksionon mbi parime ligjore, jo mbi impulse politike. Kërkesa për dorëheqje masive, e diktuar nga qeveria qendrore, është një shkelje flagrante e ligjit, një kërcënim ndaj demokracisë vendore, dhe një këmbanë alarmi për gjithë shoqërinë shqiptare. Në një shtet demokratik, asnjë dorëheqje nuk urdhërohet! Sepse nëse kjo formalizohet sot, nesër askush nuk do të jetë i sigurt në postin apo të drejtën e tij.