Qytetari preket nga ligji, deputeti preket nga gazi lotsjellës.
Thuhet se deputeti është i paprekshëm. Një specie e rrallë politike që jeton mbi ligjin, përtej drejtësisë dhe ndonjëherë edhe mbi arsyen. I pajisur me një “mburojë” të quajtur imunitet, ai mund të kalojë përmes stuhive të akuzave pa iu lagur kostumi. Vjedhje? Korrupsion? Shpërdorim detyre? Fjalë të mëdha për qytetarët e thjeshtë, por për deputetin janë thjesht… keqkuptime procedurale.
Sepse, le ta pranojmë: deputeti nuk arrestohet. Jo menjëherë. Duhet një ceremoni më vete – një proces pothuajse artistik për t’i “hequr” imunitetin, sikur të ishte një pallto dimri që hiqet me kujdes që të mos ftohet.
Por ja që koha ka sjellë një paradoks të ri. Në protestat e fundit, deputetët nuk janë më aq të paprekshëm. Jo nga drejtësia, jo nga ligji… por nga diçka shumë më tokësore: gazi lotsjellës.
Po, deputeti që nuk e prek dot prokuroria, e prek pa mëshirë tymi. Ai që nuk ndalohet nga policia, përfundon duke fshirë sytë me shami në mes të bulevardit. Imuniteti ndaj Kodit Penal funksionon për mrekulli, por ndaj gazit… duket se ka një “defekt teknik”.
Pamja është pothuajse poetike: deputeti, që dje fliste për shtetin ligjor nga foltorja, sot kërkon ajër të pastër mes turmës. Një figurë që deri dje ishte simbol i paprekshmërisë, sot bëhet simbol i… lotëve.
Ironia është therëse: në këtë vend, qytetari preket nga ligji, ndërsa deputeti preket nga gazi. Njëri ndëshkohet për një faturë të papaguar, tjetri mbron veten pas imunitetit – derisa një re e bardhë e barazon për pak sekonda me turmën.
Dhe kështu lind një pyetje që s’ka nevojë për përgjigje:
A është më i fortë imuniteti parlamentar, apo një bombol gazi lotsjellës?
Ndoshta është hera e parë që deputeti kupton realisht çfarë do të thotë të “prekehesh”. Jo nga drejtësia – ajo ende pret radhën – por nga realiteti.
Sepse në fund të fundit, në këtë vend të çudirave politike, një gjë mbetet e sigurt:
Deputetin mos e prekni… se e prek vetë gazi.



















