Gjithë opinioni publik, jo vetëm ai politik dhe mediatik, si dhe përfaqësitë diplomatike, organizatat dhe organizmat ndërkombëtar të atashuara në Shqipëri, ndjekin me vëmendje e me pritshmëri të madhe përfundimet dhe rezultatet e organeve të drejtësisë, si të akuzës dhe të gjyqësorit, në lidhje me fenomenet korruptive, abuzime me fondet publike dhe shkeljet e ndryshme nga zyrtare të lartë, apo të administratës publike, nga të gjitha nivelet dhe pushtetet.
Nuk kam ndërmend të merrem as më pritshmëri, as me paragjykime, e aq më pak të arrijë në konkluzione dhe përfundime se si do shkojnë këto procese.
Natyrisht, që meriton vëmendje, por do doja ti bëja me dije mbarë këtij opinioni, jo vetëm atij mediatik, por mbare shoqërisë, faktorit ndërkombëtar, pasi ky fenomen, i cili sot po gjen dhe po merr vëmendjen e tyre dhe të institucioneve të larta të drejtësisë, është produkt i një institucioni shumë prestigjioz, kushtetues dhe një model për gjithë administratën, institucionet e tjera të vendit,të çdo niveli qofshin ato. Është puna këmbëngulëse dhe me shumë përgjegjësi nga institucioni i KLSh-së, i cili sot është një institucion që i ka kthyer besimin dhe shpresën shqiptarëve, taksapaguesve dhe votuesve të këtij vendi. Kjo besueshmëri është edhe një garanci për organizmat dhe organizatat ndërkombëtare me të cilat bashkëpunojnë dhe e shikojnë vendin tone si partner të vazhdimësisë dhe të bashkëpunimit. Vërtet është një institucion i cili me veprimtarine e vetë fut në filtër gjithë organet dhe institucionet e shtetit dhe të pushteteve në lidhje me financat dhe burimet e tyre financiare, por dhe me performancën e tyre. Një institucion që jep llogari në Parlament, por që sot fal punës dhe kontributit të tij, ka fituar besueshmërinë dhe vlerësimin maksimal të ligjvënëseve dhe vet tempullit të ligjvënies.
E megjithëse është në varësi të këtij institucioni, vështirë të gjesh nga klasa politike, qeveritarë, liderë, ish liderë, zyrtar i çdo niveli, apo nga administrata publike, që të mos jetë me ethe, por jo për shkak të etheve të ftohtit të natyrës, por të pehlivanllëqeve, paaftësisë dhe futjes së duarve në pasurine e vendit. Falë këtij institucioni, nuk mund ti shpëtojnë dot filtrit dhe vrimës së gjilpërës së KLSH-se. Sot, KLSH është një skaner, ku maksimumi brenda viti i nenshtrohet çdo zyrtar, institucion, i çdo niveli në lidhje me objektin e veprimtarisë së KLSh-së. Është i vetmi institucion që klasa politike në gjithë spektrin e saj, të çdo krahu qofshin, sot i referohen, jo vetëm për të bërë politikë, por për të matur realisht potencialin e punës së këtij institucioni dhe të lançojnë sa të mundin rezultatet e tij. KLSh-ja jo vetëm që nuk paragjykohet për punën e saj, por është një medaljon për institucionet e administratën e vendit, ku referuar raportit të fundit të BE-së në lidhje me administratën, linte detyra të mëdha për të korrigjuar, rregulluar dhe përmiresuar. KLSh-ja dhe administrata e saj, është një faktor, argument bindës për këto institucione dhe organizma ndërkombëtar, se edhe në Shqipëri mund të këtë administratë dhe institucione si në BE dhe vendet e BE-së.
Me punën dhe kontributin e KLSh-së në përputhshmëri me ligjet dhe rregullat, ka bërë që këtij filtri, në të tre komponentët, jo vetëm ky institucion të marri vlerat dhe rolin që i takon si organ kushtetues, por ti ktheje besimin, shpresën qytetarëve, pasi sado e sido do të fshihesh dhe të kamuflohesh nën petkun e suportit politik, apo të çdo statusi dhe imuniteti që mund të kesh, nuk mund të luash dhe të bësh si të duash në lidhje me administrimin, me taksat dhe resurset e vendit.
Nuk besoj se sakrifica dhe nevojat e atyre që janë pjesë e këtij institucioni është tjetër gjë nga ajo e institucioneve te tjera.