Fadil Kepi: Pensionet për personat e paaftë për punë, pensionet e posaçme, vitet e punës në një vend të huaj

700
Pensionet e posaçme për persona me rezultate të dallueshme në fushën e tyre profesionale
Pyetje 
Në letrën që sapo na erdhi lexojmë: Duke marrë shkas nga shkrimi I botuar javën që kaloi për pensionet e posaçme unë kam këtë problem. Bashkëshorti im me profesion muzikant dhe kompozitor me vendim qeverie para disa vjetësh ka marrë pension të posaçëm. Ai kohët e fundit ka ndërruar jetë, unë jam bashkëshortja e tij pensioniste dhe aktualisht marr 25000 lekë në muaj. Pyes, a kam të drejtë të lë pensionin tim dhe të marr pensionin e bashkëshortit i cili ishte rreth 45 mijë lekë në muaj (pensioni I zakonshëm bashkë me pensionin e posaçëm)? 
Përgjigje
Sipas nenit 5 të ligjit të sigurimeve shoqërore pensioni I posaçëm jepet personave që kanë arritur rezultate të dallueshme në punën e tyre dhe është kompetencë vetëm e Këshillit të Ministrave. Këtë pension e përfiton vetëm personi për sa kohë jeton dhe pas vdekjes së tij nuk I trashëgohet pjesëtarëve të tjerë të familjes (prindërve, bashkëshortes e fëmijëve). Sipas neneve 40 dhe 41 të ligjit të sigurimeve shoqërore ju keni të drejtë të vazhdoni të merrni pensionin tuaj ose 50% të pensionit të zakonshëm cila shumë të dalë më e lartë. Gjithashtu përfitoni edhe kompensimin e energjisë elektrike 648 lekë në muaj nëse këtë shtesë e ka marrë bashkëshorti për sa kohë ka jetuar. Meqenëse gjysma e pensionit të zakonshëm të bashkëshortit tuaj është më pak se 25 mijë lekë në muaj (që është pensioni juaj) juve ju leverdis të vazhdoni të merrni pensionin tuaj. Me shtesën që parashikohet të marrin pensionistët nga 1 Marsi i këtij viti do të përfitoni dhe ju. 
Personat e paaftë fizikisht për punë, kujdestarët e tyre dhe vjetërsia për pension
Pyetje
Një lexuese e gazetës “Telegraf” nga Lushnja në bisedë telefonike tha: A quhet vjetërsi pune për pension periudha që personat marrin pagesë paaftësie të cilët kanë lindur të sëmurë apo janë bërë të tillë. Po kujdestaret që marrin pagesë për tu shërbyer fëmijëve të tyre që kanë problemet e mësipërme? 
Përgjigje
Sipas vendimit të qeverisë nr 618, datë 07. 09. 2006, pagesë paaftësie përfitojnë fëmijët e lartpërmendur me vendim të Komisioneve Mjekësore të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP): Personat që u është kufizuar aftësia për punë si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore të intelektit psikik, mendore, të lindur apo të fituar gjatë jetës nga aksidente, sëmundje të përkohshme apo të përhershme që nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin e vërtetuar nga Komisionet Mjekësore të Caktimit të Aftësisë për Punë. Pagesa e paaftësisë në punë për personin me aftësi të kufizuara është 10 030 lekë në muaj dhe e kujdestares 10 530 lekë në muaj. Nuk quhet vjetërsi pune për pension as për personin e sëmurë dhe as për kujdestaren që I shërben. Sipas vendimeve të qeverisë nr 326 e 329 dt 12. 03. 2009, përjashtimisht quhet vjetërsi pune periudha e shërbimit si kujdestare për invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë caktuar nga KMCAP i cili, nuk është ekonomikisht aktiv si dhe nuk përfiton të ardhura nga skema e sigurimeve të dëshirueshëm shoqërore. Periudha e kujdestareve quhet periudhë sigurimi, për efekt përfitimi të pensionit të pleqërisë, aksidenteve në punë, për barrë lindje, sëmundje profesionale dhe sigurim shëndetësor. Kontributi për periudhën që kanë punuar kujdestaret llogaritet mbi pagën minimale dhe paguhet nga Buxheti i Shtetit. Pagesat e paaftësisë së përkohshme në punë kujdestaret i marrin çdo muaj në zyrat e pushtetit lokal me fondet e shërbimit social. Për sqarime më të hollësishme mund ti drejtoheni administratës së përgjithshme të shërbimit social në Tiranë. Personat e mësipërm të lindur me aftësi të kufizuara ose të bërë përpara fillimit të punës përfitojnë barna mjekësore të rimbursueshme falas. 
Përfitimi I shpërblimit të fundivitit edhe kur nuk gjendesh në Shqipëri
Pyetje: 
Zonja Shkëmbi nga Tirana në letrën e saj shkruan: mbasi mbarova fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës ditën, punova 34 vjet mësuese në shkolla shtetërore. Më 20 nëntor të vitit 2016 plotësova moshën 60 vjeçe e 4 muaj dhe dola në pension të plotë sepse bashkë me periudhën e studimeve të larta ditën u bënë 38 vjet punë të siguruara. Para dorëzimit të dokumenteve të pensionit në agjencinë e sigurimeve shoqërore mora një rrogë mujore shpërblim në shkollën ku punoja. Meqenëse vitin e ri do të shkoj pranë fëmijëve jashtë vendit, pyes, a përfitoj 6.000 lekë shpërblim dhe a mund ti marr mbasi të kthehem në janar 2017 në Shqipëri ?
Përgjigje
Për efekte të përfitimit të pensionit periudha e studimeve të larta ditën quhet vjetërsi pune dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, paguhen nga buxheti i shtetit dhe llogariten sikur gjatë studimeve keni marrë pagë minimale bruto baras me 22.000 lekë në muaj. Kur të ktheheni nga Italia ju do të merrni në pikën postare të pagesës së pensioneve, pensionin nga data 21 nëntor 2016, pensionin e plotë të dhjetorit dhe të janarit të vitit 2017 si dhe 6.000 lekë shpërblim të vitit të ri duke paraqitur kartën e identitetit dhe librezën e pensionit, pavarësisht se keni marrë një pagë mujore shpërblim nga drejtoria arsimore Tiranë kur dolët në pension.
Llogaritja e viteve të punës në një vend të huaj si pjesë e pensionit suplementar në Shqipëri 
Pyetje, 
Bujari nga Roma në një bisedë telefonike tha: jam i datëlindjes 31 mars të vitit 1952 dhe kam punuar në Durrës 18 vjet ushtarak efektiv. Mbasi dola në lirim e përfitova pagesë kalimtare e pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi emigrova në Itali ku punoj edhe këtu i siguruar. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension të plotë, a përfitoj pension suplementar cila është baza ligjore si llogaritet dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjek ?
Përgjigje, 
Ju përfitoni pension të plotë nga dita që mbushni moshën 65 vjeç duke filluar nga data 31.03.2017, nëse do të keni 36 vjet punë gjithsej i siguruar në Shqipëri, përfshi dhe periudhën që keni marrë pagesë kalimtare dhe pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi mbasi dolët në lirim. Nëse do të keni më pak se 36 vjet punë përfitoni pension të pjesshëm. Para plotësimit të moshës së pensionit po të keni dy nënshtetësi mund të bëni edhe sigurime vullnetare për të plotësuar 36 vjet punë duke paguar 4.752 lekë në muaj ose 57.024 lekë në vit. Për këtë duhet fillimisht të paraqiteni fillimisht në drejtorinë e sigurimeve shoqërore për të bërë llogaritjet e viteve të punës gjithsej që keni dhe për cilën periudhë duhet të bëni sigurime vullnetare. Për vitet që keni punuar ushtarak efektiv në vendin tonë sipas nenit 16 të ligjit nr,10142, datë 15.05.2009, botuar në fletoren zyrtare 87, do të përfitoni pension suplementar i cili llogaritet me 1% të pagës mesatare referuese neto mujore për çdo vit të plotë që keni punuar ushtarak efektiv, pra 18%, por jo më shumë se 50% të pensionit të pleqërisë. Për dokumentet e pensionit që duhen përgatitur, afatet e dorëzimit dhe mënyrën e llogaritjes së pensionit do t’ju sqarojnë në sigurimet shoqërore në Durrës. 
Kam punuar vite në kooperativën shtetërore, çfarë pensioni përfitoj 
Pyetje
Qamili nga Durrësi shkruan: jam i datëlindjes 30 gusht 1952 dhe gjithsej kam punuar i siguruar 35 vjet nga të cilat 12 vjet shofer në ish kooperativën bujqësore, 21 vjet taksist dhe 2 vjet kam qenë ushtar. Pyes, në ç’moshë dal në pension dhe do të marr pension kooperative apo shteti ?
Përgjigje
Ju do të përfitoni pension të plotë shteti në moshën 65 vjeç, më 30.08.2017 po të keni 36 vjet punë gjithsej i siguruar përfshi dhe kohën që keni qenë ushtar pavarësisht se keni punuar 12 vjet në ish kooperativën bujqësore. Meqenëse aktualisht keni më pak se 36 vjet para plotësimit të moshës së pensionit duhet të bëni sigurime vullnetare ose si i vetëpunësuar në bujqësi nëse keni marrë tokë sipas ligjit. Për efekte pensioni një vit i plotë pune në ish kooperativë quhet kur keni realizuar 280 ditë pune në një vit kalendarik ose 24 ditë pune në muaj. Ditët e punës mbi 280 nuk merren parasysh për llogaritjen e pensionit. Vlera e ditës së punës për periudhën që keni punuar në kooperativë bujqësore do të jetë 1619 lekë në muaj pavarësisht se në cilën kooperativë keni punuar. Kujdes, nëse në moshën 65 vjeç keni më pak se 36 vjet punë të siguruara do të merrni pension kooperative, prandaj para plotësimit të moshës së pensionit ju rekomandoj që me dokumentet që keni për periudhat e punuara dhe vërtetimin e degës ushtarake të sqaroheni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore. 
A mund të përfitojnë familjarët nga pensioni i një personi që ndërroi jetë
Pyetje 
Një gazetar nga Tirana në mesazhin e tij shkruan: babai im ka punuar 25 vjet ushtarak efektiv dhe ka përfituar pension të plotë pleqërie dhe pension suplementar gjithsej 40 mijë lekë në muaj përveç kompensimit të energjisë elektrike 648 lekë mbi pension. Kohët e fundit ai ndërroi jetë. Nëna ime përfiton pension pleqërie 19 mijë lekë në muaj. Pyes, a mund të marrë nëna imë pensionin e babait 40 mijë lekë në muaj dhe të ndërpresë pensionin e saj ?
Përgjigje 
Pensioni babait I takon deri ditën që ai ka ndërruar jetë. Mbështetur në ligjin e sigurimeve shoqërore për pensionet familjare, nëna juaj ka të drejtë të vazhdojë të marrë pensionin e saj ose gjysmën e pensionit të bashkëshortit nga dita që ai ka ndërruar jetë, cila shumë të dalë më e lartë. Në rastin konkret meqenëse gjysma e pensionit të babait tuaj është 20 mijë lekë dhe pensioni i nënës 19 mijë lekë, asaj i leverdis të ndërpresë pensionin e vet dhe të marrë 50% të pensionit të bashkëshortit. Kompensimin e energjisë elektrike prej 648 lekë në muaj do të vazhdoj ta marrë nëna , pavarësisht se libreza e konsumit të energjisë elektrike është në emër të babait tuaj. Për të bërë ndryshimet e pensionit si më sipër, duhet të paraqiteni në agjencinë e sigurimeve shoqërore me librezën e pensionit të babait e të nënës dhe certifikatën e vdekjes. Sigurimet shoqërore në këtë rast japin ndihmë financiare 11.000 lekë.
Sigal