Gentian Çala: Reflektim mbi një video të trishtë

293
Sigal

Teksa shihja videon e ekzekutimit të Klodian Rashës, gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte sesi një material i tillë nuk u bë publik që në fillim, por vetëm ditën e pretencës së Prokurorisë në gjyqin ndaj autorit të kësaj ngjarje fatkeqe?! Çështje sigurie mund të thotë dikush, ruajtje fshetësie e hetimit dhe mos publikim i provave dikush tjetër. Në fakt, ishte manipulim i së vërtetës nga pushteti aktual. Po sillja në kujtesë deklaratat e Policisë së Shtetit, fabrikimet e mediave pro qeveritare, protestat, lotët e krokodilit për pemën e Krishtlindjes apo dekorimet e fundvitit të djegura, arrestimet e të rinjve në rrugë. Një Polici krejtësisht e politizuar, e cila padrejtësisht po mundohej të mbulonte gjurmët e një krimi.

Kësaj policie i kemi besuar rendin dhe qetësinë publike. I kemi besuar mbrojtjen e procesit zgjedhor, i kemi besuar territorin, mbrojtjen nga krimi i organizuar. Unë nuk mendoj se një rast nuk mundet ta shpjegojë të tërën, por raste si ky masin temperaturën dhe tendencën e institucioneve të zbatimit të ligjit dhe të raportit që ata ndërtojnë me qytetarët. Madje raste ka pasur shumë, madje ato janë rritur proporcionalisht me kapjen e shtetit nga mazhoranca dhe Kryeministri aktual. Një i mitur rrihet në rrugës, Kryepolici del me foton e nënës e cila e kishte “keqedukuar” sipas tij…deklraratat e tjetërsuara në rastin e përplasjes në Elbasan, ku policia në deklarime mohonte se personat e përfshirë kishin materiale në mjetet e tyre që provonin se po blinin vota dhe karta identiteti…rastet e përfshirjes së segmenteve të policisë në trafiqe, etj. si këto.

Policia e Shtetit ende nuk ka kërkuar falje për qëndrimet e saj ndaj këtij rasti, kjo quhet mospranim faji dhe është premisë për abuzime të ngjashme. Të butë ndaj krimit dhe të ashpër ndaj qytetarëve të thjeshtë kjo është panorama e policisë aktuale, jo vetëm e politizuar, por e vënë tërësisht nën këmbët e Kryeministrit. Reflektimi mbi të tilla ngjarje është detyrë e të gjithë atyre që nuk e kanë bërë, ndryshe një akt i përsëritur nuk do të çuditesha që të kishte një reagim akoma më energjik të një populli të frustruar nga arroganca dhe padrejtësia. Duhet të reflektojmë dhe reagojmë të gjithë në mënyrë që mos presim ditën kur kjo të ndodhë në pragun tonë.