Ergys Alushi/Lëreni Vlorën të qetë!

535
Sigal

 E rëndë ngjarja e ndodhur në Vlorë, tek Kalaja. Në plazh. Në mes të pushuesve. Është qëlluar me kallashnikov. Kanë mbetur të vrarë tre vetë, ndërsa dy të tjerë janë plagosur lehtë. Shënjestra dyshohet se ka qenë një shtetas nga Fieri, i cili ka mbetur i vdekur. Një grua ka mbetur e vdekur, e gjendur fatkeqësisht në breshërinë e plumbave. I vdekur aksidentalisht ka mbetur dhe një 17 vjeçar nga Përrenjasi, i cili punonte për hapjen e mbylljen e çadrave. Paniku ka qenë i madh. Thirrjet për ndihmë. Njerëz që kërkonin të fshiheshin ku të mundeshin, që nuk dinin se çfarë po ndodhte. Në një zonë të ngarkuar me pushues e lëvizje makinash. Në një nga zonat bregdetare më të bukura të Vlorës. Kaq ka mjaftuar që media të shpërthejë në lajme për Vlorën. Me tituj bombastikë. “Horror në Vlorë” “Terror në plazh” “Tmerr mes pushuesve” “Tronditet qyteti”, e të tjera si këto. Janë këto titujt e mediave sa herë ndodh ndonjë ngjarje në Vlorë. Mund të duken si tituj normal gazetaresk, por gjetiu është problem. Çuditërisht ka një tendencë të medias për të lidhur me Vlorën titujt e mësipërm. Sepse kanë krijuar idenë fikse se këto tituj i shkojnë vetëm Vlorës, janë eskluzivitet i saj. Sikur i kanë të gatshme. I kanë dhe i nxjerrin nga arkiva. Të mbetura ndoshta që nga koha e trazirave të 1997-s. E rëndë ngjarja e ndodhur në Vlorë. Bilanci është i rëndë. Tre të vrarë, midis të cilëve një grua dhe një i ri, që nuk kanë qenë objekt i sulmit. Të tjerë pushues të dëmtuar, të frikësuar, të ikur nga sytë këmbët për t’u shpëtuar plumbave, në një ditë të dielë pushimi, në pikun e drekës. E rëndë ngjarja e ndodhur në Vlorë. Por nuk është ngjarje e Vlorës. Nuk është një konflikt i Vlorës. Vlora është vetëm shesh-beteja. Është një konflikt i ardhur nga një qytet tjetër. Nga njerëz dhe për njerëz që lëvizin këtë verë për në Vlorë, nga e gjithë Shqipëria. Nuk ka lidhje me Vlorën, sepse Vlora është e qetë, të paktën deri tani ka treguar se është e qetë. Po pushon. I ka lënë mënjanë konfliktet. Vetëm dy ditë më parë, gjatë një bisede që pata me Drejtorin e Policisë Vlorë, Artan Çuku, së bashku me Kryetarin e Dhomës së Tregtisë Vlorë, Arben Breshani dhe disa njerëz të biznesit në Vlorë, kemi evidentuar me kënaqësi pikërisht faktin se Vlora ishte e qetë dhe se ashtu do të vazhdonte të ishte. Policia e Vlorës është në vështirësi për furnizimin me karburant dhe biznesi i Vlorës ishte i gatshëm për ta ndihmuar. Për ta ndihmuar si me karburant ashtu dhe me infrastrukturë tjetër, për t’i shërbyer ngritjes së 8 postave policore përgjatë Vlorës, në këtë sezon veror. Por ja që ndoshta “e hëngrëm me sy” qetësinë e Vlorës. Për një konflikt të mbartur ndoshta nga jashtë Vlorës. Në kulmin e sezonit turistik, në një kohë që Vlora pret të shumëfishohet edhe më tepër me njerëz nga e gjithë Shqipëria. Me njerëz që kanë konfliktet e tyre. Me njerëz që presin nga momenti në moment që të zgjidhin konfliktet. Me njerëz që hyjnë në Vlorë nga të gjitha anët, tashmë dhe nga deti, me mjete të ndryshme e të shumta lundruese. E rëndë ngjarja e ndodhur në Vlorë. Policia po heton e vrasësi do kapet. Jetët nuk kthehen më e qetësia u prish, paniku u përhap. Por Vlora duhet ta vazhdojë jetën e saj normale, pushimet, të mirëpresë njerëz. Sepse Vlora e ka detin e madh. Ashtu si ka edhe namin e madh. Lëreni Vlorën të qetë!