Enver CAKAJ/ Kur binin plumbat mbi Nishicë…

608
Sigal

Nishica e mbështetur pas Tendës së Qypit, ka nëpër ato shkurre dhe ara, ende gëzhojat që kanë lënë luftërat. Po të jesh i ngeshëm e të bësh klasifikimin e tyre, ke përpara një muze të gjallë, ku gjen të gjitha periudhat, që ka kaluar ky fshat. Tok me plumbat dhe gëzhojat mbetën dhe eshtrat e nishiciotëve, që u vranë në përpjekje me gjithfarë pushtuesish. Ata djem lastarë të Nishicës rrojtën pak, por jetuan gjatë. Të mos ishin ende mes nesh nuk do të merreshim as ne me ta. Në luftë ose do të vrasësh, ose do të vritesh. Djemtë e Nishicës nuk e futën në llogari vdekjen përpara Atdheut. Kur qante vendi, s’pyetën më për jetën e tyre. Mbi Nishicë binin plumba si të ishin pika shiu. Të mos harrojmë atje nisi lufta legjendare e Tendës së Qypit. Por plumbat ranë mbi plumbat, sepse greku i vitit 1914 hodhi shtresën e parë. Në Nishicë u bë tym baruti, plumba dhe gërmadha. Vetëm dy shtëpi mbetën pa djegur. Edhe ato i ruajtën për veten e tyre. Si të mos ngjisheshin në urrejtje ata fëmijë, gra e djem, që mbetën pa strehë, pa bukë e pa bagëti? Në Tendën e Qypit janë zhvilluar dy herë luftime. Ajo e vitit 1914, ku u plagos dhe Riza Cerova, u zhvillua brenda në fshat. Atëherë s’kishte formacione partizane dhe grekët bënë çfarë deshën me fshatin. Aty u regjistruan dy dëshmorët e parë të fshatit. Ngjarjet janë të dhimbshme. Le të kujtojmë Isa Pilavin. Babai i tij, Veizi, e dërgoi në Stamboll për studime, që ta përgatiste për vete dhe Atdheun. Atje mbaroi majën e shkollës dhe doli oficer tok me djalin e xhaxhait, Tajarin. Të dy u punësuan në ushtrinë turke, në sanxhakun e Vlorës. Aty mblodhën pas vetes shumë patriotë, që ishin përfshirë në lëvizjen kundër turkut. Në vitin 1911 marrin pjesë në vrasjen e bimbashit turk në Vlorë. Koshallet u vunë në ndjekje të tyre, por me ndihmën e popullit, dolën nga qyteti. Isai shkon në Shkodër, jo për t’u fshehur, po për të luftuar kundër forcave turke që ndodheshin atje. Ai arriti të fshehë emrin me anën e një mikut të tij, që të kthehej në Skrapar e të dilte në Kolonjë, ku lëvizja antiturke ishte më e organizuar. Pas veprimtarisë që zhvilloi atje u kthye në shtëpi, ku gjeti vetëm të kunatën, Karafilen. Spiunët e regjimit e ndiqnin dhe në mes të natës rrethojnë shtëpinë zaptijet turke. Ata i bënë thirrje të mos lëvizte,se ishte i rrethuar. Njëzet zaptije kërkonin kokën e Isait. Karafilja, një zonjë grua, por dhe e mençur, e vesh Isanë me rroba grash, del tok me të dhe u drejtohet zaptijeve: “Më falni sa të nxjerr këtë mikeshën përjashta, pastaj bëni ç’të doni me Isanë dhe shtëpinë”. Zaptijet nuk e diktuan dhe Isai shpëtoi nga rrethimi. Më pas ai u bashkua me Tajar Pilavin dhe me skraparas të tjerë morën pjesë në festimin e ngritjes së flamurit në Vlorë. Ai nuk u nda më nga lëvizja popullore dhe vazhdoi veprimtarinë e tij në Gjirokastër, Kolonjë, Korçë, Mallakastër…

Tok me Sheme Gërmënjin u caktuan të ruanin vijën Kiçok-Tenda e Qypit, pa u shkëputur nga veprimtaritë e tjera. Në vitin 1914 Isai me shokë bënë pritën e hekurt në vijën Vasjar-Kiçok-Bubës-Toshkës-Tenda e Qypit-Taroninë, për të ndaluar forcat greke, që synonin të hynin në Berat. Grekët çanë kufirin tek Tri Urat, përshkruan Përmetin dhe hynë në Dëshnicë, ku u ndeshën me forcat luftarake dhe pësuan humbje të shumta. Në këto luftime mbetën të vrarë Isa Pilavi, Tajar Pilavi dhe Sheme Gërmënji. Dy të parët janë shpallur dëshmorë të Atdheut.

Plumbat s’kishin të pushuar mbi Nishicë. Fëmijët lindën mes krismave dhe u rritën mes tymit të barutit. Nënave shamizeza e zemërbardha po u kalbeshin sytë nga lotët. Ku i kishin djemtë, që lindën e rritën? Një ushtri vidhte e tjetra digjte, nishicasit mbetën pa strehë e pasuri. Hydai Mali, që atëherë ishte i vogël, por vuajtjet i ka jetuar tregon çudira: “Në luftën italo-greke na grabitën shtëpinë, gjënë e gjallë, na nxorën dhe nga banesa. U detyruam të gjenim strehë në kasollen e bagëtive. Ikën grekët erdhën italianët, të cilët na dogjën edhe shtëpinë edhe kasollen. Në vitin 1941 unë isha në klasën e parë. Në shkollën e Veleshnjes, ku mësoja, ishin vendosur fotografitë e Duçes dhe Viktor Emanuelit. Mësuesi ynë, Todi, na tha me terezi, se këta nuk janë tanët. Por mësuesi ruhej se e arrestonin dhe mbeteshin dy fshatra pa mësues. Ne me Isufin u organizuam dhe që atë ditë i hoqëm fotografitë e tyre dhe i shkelëm me këmbë. Për të mos u diktuar mësuesi na tha që të mos i linim dritaret hapur, se era i rrëzoi fotografitë. Ato çaste vjen në shkollë një xhandar duke bërtitur për mungesën e fotove. Mësuesi ja shpjegoi qetësisht dhe xhandari u largua”.

Me ato që po hiqnin njerëzit nga mungesa e shtëpive dhe bukës, u bënë të gjithë bashkë dhe mundoheshin të luftonin me çdo mënyrë kundër pushtuesve. Në Sharovë ishte një mulli, ku Zylyftar Veleshnja e kishte kthyer në vatër patriotike. Atje nuk bluhej vetëm drithë, por e gjithë propaganda kundër pushtuesve. Një ditë Hydaiu me Isufin venë të bluajnë, dhe në rrugë hodhën dhe një fletushkë, ku shkruhej: “Poshtë fashizmi! Rroftë Partia komuniste shqiptare!”. Të rinjtë shkruanin nëpër pllakat e gurit në të gjitha rrugët parulla revolucionare kundër të gjitha pushtuesve, por xhandarët shkonin i fshinin. Kur ngriheshin në mëngjes rrugët ishin sërish të mbushura me parulla. Isufi ishte i riu më aktiv i fshatit. Pas Konferencës së Pezës ai gjeti një flamur me shqiponjë dhe e vuri në majën e çatisë së shtëpisë. Isai gjithmonë këndonte himnin e flamurit. Bashkë me ca shokë nga Nishica dhe Veleshnja ata krijuan një çetë dhe ishin në pritje të krijimit të formacioneve të mëdha luftarake. Ai kishte një maliher të gjatë dhe një ditë i pati thënë  Metes: “O Lala,a më gjen një pushkë të shkurtër,se këtë po e heq zvarrë?” Metja nuk ja prishi, por i tha, që fishekët t’i gjente vetë. Të nesërmen Metja ja dorëzoi patickën e shkurtër me dy ballë fishekë. Atë pushkë e mbajti dhe me të shkoi partizan. Atë ditë të nxehtë gushtit 1943, ai mori udhën për nga Qafa e Thanës me patickën në krah dhe çamtën me fishekë e një copë bukë, që i kishte hedhur Dekua dhe kur doli në qafë, thirri: “O Lala Mete, ore!” Zbrazi një herë pushkën dhe nuk u duk më. Ata që e shikonin të përlotur, shprehnin habinë: “O Zot, ku po vete ai djalë bukurosh, i paveshur e i pangrënë!” Opingat me retra do t’i griseshin dhe këmbët do t’i copëtoheshin. Po bukë ku do të hante e ku do të flinte? Ishte viti 1943 kur u mor vesh se ai djalë ishte inkuadruar në Brigadën  e dytë Sulmuese. Në fshat erdhi një lajm i hidhur. Në Shpat të Elbasanit gjermanët kishin zënë rob disa partizanë. Mes tyre edhe Isufin e vogël. Ai kishte duruar torturat dhe urinë për bukë. E kishte mbajtur shpirtin gjallë me një gotë ujë me kripë dhe pak bukë. Të lidhur me litar, njëri pas tjetrit, i nisën në Berat, ku i mbajtën tre muaj. Në shkurt të vitit 1944, tok me disa shokë të tij, arratisen nga burgu dhe duke ikur rrugë pa rrugë, paraqiten në Komandën e Vendit në Çorovodë. Lufta ishte ngritur. Ishin vitet 1940-1941. Kiçoku dhe Tenda e Qypit gjëmonin. Nishica ishte brenda zonës së luftimeve. Në fshat erdhi një lajm për t’u larguar, sepse rrezikoheshin të gjithë. Kjo ishte çudia e çudirave. Vinte tjetri nga ana e botës e të nxirrte nga shtëpia jote. Dhe çfarë shtëpie ishin? Vetëm ngrehina ku s’të zinte shiu e dëbora. I gjithë fshati u nis muhaxhirë. Fëmijë që lebetitnin dhe pleq që mezi çapiteshin. Sa ra nata nisën bombardimet. Predhat binin pranë banesave të tyre. Italianët dukeshin shumë të lodhur dhe iknin sa mundnin duke thirrur: “Mama mia!”. Pas thyerjes së italianëve banorët u kthyen në Nishicë. Rrugës panë lemerinë. Ushtarë të vrarë e të plagosur që mezi rënkonin. Predha e gëzhoja pa masë. Kafshë të ngordhura e armë gjithfarëshe. Kundërshtarë, që edhe të shtrirë krahapur, dukeshin sikur kacafyteshin me njëri-tjetrin. Nënat tona shikonin ata djem të rinj pa jetë dhe mërmërisnin: “Bijtë e nënave, pse kështu?!” Dimër i rëndë dhe luftë e egër! U kthyen në shtëpi, po shtëpi nuk gjetën. Ata u mbështetën tek njëri-tjetri. Fëmijët flinin në krah të nënave, që mezi qëndronin në këmbë. Pak drithë e kishin fshehur nën tokë, po ku ta bluanin e ku ta piqnin. Bënë si bënë i kolitën ato ngrehina, por nuk i lanë të qetë në varfërinë e tyre. Grekët erdhën përsëri dhe kërkonin bukë e strehim për vete e infermierinë. Diku morën lopët dhe qetë e parmendës. Komanda e ushtrisë greke nxori urdhrin ushtarak: “Asnjë njeri të mos lëvizë nga fshati!” Po mulliri ishte jashtë fshatit,që të bluanin atë çikë misër. U detyruan ta përcëllonin misrin në zjarr dhe të bluanin në mokra. Pastaj e bënin bukë dhe e piqnin. E ç’bukë ishte ajo? Në mars të vitit 1941 grekët filluan të largohen me shpejtësi. Morën ç’mundën dhe lanë prapa të sëmurët, të plagosurit dhe robërit e luftës. Robërit i mbyllën nëpër haure e kasolle dhe i kyçën. Edhe armët i flakën nëpër përrenj e rrëpira. Me t’u larguar ata Metja me Sakon rrëmbyen kazmat e levat, këputën kyçet dhe i liruan robërit, që thërrisnin për ndihmë. Po vinte pranvera, që ngjante me një dimër të keq. Fshatarët të frikësuar se mos ktheheshin sërish pushtuesit po nguronin të mbillnin. Por atëherë hidheshin themelet e jetës. U mblodhën bashkë, kush një ka e kush një lopë dhe nisën të mbjellin. Njerëzit kishin uri për bukë toka kishte etje për ujë. Ishte fukarepsur mendja apo vendi? Ata donin të punonin, por nuk i linte lufta. Ikën italianët, por në fshat erdhën gjermanët. Arat dhe ledhet ishin mbushur me gëzhoja e plumba. Tani do të niste shtresa tjetër. Revolta popullore rritej, por ata s’kishin qeveri. Nisën sërish shkatërrimet e vrasjet.

Operacioni i qershorit 1944. Një batalion me gjermanë e ballistë arritën në Nishicë. I gjithë fshati u shpërngul për t’u mbrojtur në pyllin e Vupës, Prishtë e Shakubec. Të gjithë ecnin përmes plumbave. Nga tmerri nuk po gjenin prindërit fëmijët, që iknin për të shpëtuar kokat. Pas dy dite filluan të kërkonin njëri-tjetrin. Një grua ishte zhdukur tok me fëmijën dhe u gjend pas tri ditësh në një pellg me ujë! Shtëpitë u dogjën sërish. Fëmijët donin bukë, po s’kishin as shtëpi. Britmat e tyre të rrëqethnin trupin! Kjo ishte simfonia e atyre ditëve. Një partizan të plagosur e mbanin në krah burrat e Nishicës. Babai i Hydaiut e mori në shtëpi, por ai kishte marrë plagë të rëndë dhe vdiq. Gratë e fshatit, Dekua, Xhitja, Fizja, Vasjekua, Pema, e qanë me kuje si të kishin vëllanë e tyre. Ato e varrosën me lot, se burrat ishin në luftë. Në qafën e Thanës vinte një kuje tjetër. Qanin gratë se ishin vrarë partizanët Like Kadiu dhe Njazi Spahiu. Më pas gjetën dhe tre partizanë të vrarë, të cilët i varrosën e i mbuluan me dheun e gjakosur prej tyre!