Kushtetuesja rrëzon kërkesat e bashkive për vendimet e KKT-së

624
Sigal

Gjykata Kushtetuese rrëzon paditë e disa komunave dhe bashkive për shfuqizimin e vendimeve të marra në Këshillin Kombëtar të Territorit. Bashkia Tiranë, Bashkia Krujë, Komuna Kashar, Komuna Farkë dhe Komuna “Katund i Ri” (Durrës) i kanë kërkuar Kushtetueses pezullimin e vendimeve të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, konkretisht vendimeve nr 1 datë 8.10.2013 dhe vendimit nr 3 datë 18.10. 2013″.

“Në paditë e ngritura kundër Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Kombëtar të Territorit, pala paditëse kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet qeverisjes vendore dhe pushtetit qendror (Këshill i Ministrave/Këshilli Kombëtar i Territorit), si dhe papajtueshmëria me Kushtetutën dhe me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore si dhe shfuqizimin si antikushtetues, si akte që bëhen shkak për lindjen e konfliktit, të: Vendimit nr. 1, datë 08.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe procedurën e hartimit të Planit të Integruar Sektorial për Brezin Bregdetar” dhe Vendimit nr. 3, datë 18.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese në zonën me rëndësi të veçantë të Kurorës së Tiranës”. Paditësit i kërkonin Kushtetueses pezullimin e zbatimit të vendimeve nr. 1, datë 08.10.2013 dhe vendimit nr. 3, datë 18.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit, deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.” thuhet në njoftimin e gjykatës. Pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkueset, si dhe prapësimet e ngritura prej subjekteve të interesuara gjykata vendosi rrëzimin e kërkesave.

Konflikti i INUK me vendorët. Prej disa muajsh INUK është përfshirë në një konflikt me pushtetin vendor për sa i përket ndërtimeve që kërkohen të bëhen. Rasti më problematik ishte ai i bulevardi të Tiranës ku u bllokuan punimet.

Vendimi i gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në përfundim të shqyrtimit të çështjes me:

Kërkues: Komuna Kashar, Komuna Farkë, Bashkia Tiranë, Bashkia Krujë, Komuna “Katund i Ri”, Durrës

Subjekte të Interesuara: Këshilli Kombëtar i Territorit; Këshilli i Ministrave.

Objekti: 1. Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet qeverisjes vendore, Bashkia Tiranë, Bashkia Krujë dhe Komuna “Katund i Ri” dhe pushtetit qendror, Këshill i Ministrave/Këshilli Kombëtar i Territorit;

2. Papajtueshmëria me Kushtetutën dhe me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore si dhe shfuqizimin si antikushtetues, si akte që bëhen shkak për lindjen e konfliktit, të: Vendimit nr.1, datë 08.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe procedurën e hartimit të Planit të Integruar Sektorial për Brezin Bregdetar” dhe Vendimit nr.3, datë 18.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese në zonën me rëndësi të veçantë të Kurorës së Tiranës”;

Pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e ngritura nga kërkueset si dhe prapësimet e ngritura prej subjekteve të interesuara, me vendimin e datës 04.06.2014, njëzëri,

 Vendosi:

 – Rrëzimin e kërkesave.