Engjëll Musai/ Organizata të pavarura apo leva të partisë?

586
Nuk qenka e thënë që qeveritë shqiptare të shkëputen nga uzurpimi i institucioneve, qoftë atyre që janë pjesë e administratës publike dhe të mbrojtura me status të veçantë, por edhe atyre të drejtësisë dhe që janë të pavarura në ushtrimin e funksioneve të tyre. Dhe ky qëndrim i partive në pushtet është parë gjatë gjithë këtyre 25-viteve të pluralizmit politik në vendin tonë. Madje edhe kohët e fundit pati një tjetër tentativë, ku qeveria, njëkohësisht partia në pushtet tentoi që të merrte nën kontrollin e vetë Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila do bënte njëkohësisht edhe kontrollin, edhe ndjekjen, edhe survejimin, edhe grumbullimin e provave, edhe hetimin, edhe gjykimin 48 orësh ose arrestimin e përkohshëm, nëse do e quajmë në gjuhën popullore etj,etj. E pra “Qeveria-Parti” gjithçka do e merrte në dorë vetë, duke mbajtur edhe arrën, por edhe gurin e Prokurorisë apo çekanin e Gjyqësorit. Çuditërisht ky shkrim u bë sot, më 22 mars, në ditën e demokracisë dhe pluralizmit kombëtar jo për ndonjë qëllim të veçantë, madje as si qëndrim në vetvete. Kjo ditë dhe kjo datë koincidoi si rastësisht, dhe në këto raste populli thotë “ kujto qenin dhe bëjë gati shkopin”, ose për të mos krijuar ndonjë keqkuptim me qentë, pasi këto kohë ata janë në ndjekje të karvanit, po përdorim shprehjen tjetër, që ndoshta i shkon më për shtat këtyre mendimeve modeste “kujto mikun dhe bëjë gati petanikun”. 

E pra shkak për këto rreshta të ditës së sotme u bë një deklaratë e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ, e cila paralajmëronte qeverinë shqiptare, se ky organizëm nuk është levë e Partisë Socialiste dhe as e një partie tjetër, por është simboli i gjallë i trashëgimisë, patriotizmit, atdhedashurisë dhe gjakut të Dëshmorëve të Atdheut në luftën kundër nazi-fashizmit dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Por si ka mundësi, që një këshilltar dhe titullar madhor me grada tenton të shkrijë organizatat e pavarura dhe të krijuarave me vendim gjykate, ta bashkojë me lloj-lloj shoqatash, ca fantazmë dhe ca organizata të tjera me trashëgimtarë të pinjollëve të kolaboracionistëve dhe atyre që sabotuan ndërtimin dhe pavarësinë e kombit shqiptar?! A e keni vënë re, se kush kërkon heqjen e gradave të “Heronjve të Popullit”: Vasil Shantos,Vojo Kushit, Qemal Stafës, Ali Demit, Kajo Karafili, Riza Cerovës, Misto Mames dhe qindra e mijëra të tjerë?! Janë pikërisht pinjollët e bashkëpunëtorëve të fashizmit, që duan të lajnë duart e tyre që i ngjyen me gjakun e Dëshmorëve dhe Heronjve të Popullit. Me këtë çështje do merremi në ditët në vijim, por le t’i kthehemi kapjes së organizatave të pavarura,OJF dhe OJQ. Sipas kësaj logjike do të ishte mirë që edhe sportet të mblidheshin jo rreth Komitetit Olimpik Kombëtar, por rreth partisë në pushtet ose qeverisë në pushtet, e cila është e njëjta gjë. Klubet e futbollit të mos ishin të organizuara dhe të orientuara nga programet e FSHF, por të partisë, pasi edhe dikur në stadiume thuhej se “partia është mëma e të gjitha fitoreve”, pavarësisht se ne vetëm kemi humbur dhe se, sapo u shkëputëm nga partia, suksesi drejt “Francë 2016” erdhi trumfator. 

Pra ashtu si Fronti Demokratik, Rina, Bashkimet Profesionale, Organizatat e Grave etj., që ishin grusht i bashkuar rreth partisë, po kështu edhe sot kërkohet që këto të jenë të bashkuara rreth qeverisë. Madje edhe teraplegjikët, edhe invalidët, edhe sindikatat, edhe shoqatat e peshkimit, edhe ato të gjuhëtarëve, edhe ato to kuajve, gomerëve, gjelave, biçiklistëve të gjitha të mblidhen rreth partisë, si një trup i vetëm. Çuditërisht partia kërkon të marrë këto shoqata dhe organizatorët e saj, për t’i përdorur për vota, pasi nga votat dhe numërimi i tyre do të varet fati i ardhshëm i partisë dhe vota qytetare do të konvertohet në miliona, sapo këto parti të marrin pushtetin. Partia në pushtet dhe qeveria duhet të mbajnë spitalet që t’u shërbejnë qytetarëve, por nuk i mban dhe i ka dhënë me koncesione tek privati, bashkë me thasët e miliardave. Partia-Qeveri duhet të mbajë doganat, por jo i ka dhënë me koncesion, të mbajë kontrollin, por edhe këtë e ka dhënë me koncesion, të mbajë kontrollin e karburanteve, naftës, Hipotekat, Ujësjellësin, Elektrikun, Hidrocentralet, miellin, vendet e punës, kanalet, lumenjtë dhe shumë e shumë të tjera. Por ja që këto biznese, që garantojnë fitime maksimale i ka marrë për vete Partia-Qeveri, duke i vënë në emër të ndonjë familjari, që banon jashtë shtetit dhe që këtu në vendin tonë trumbetohet si biznes i huaj. Pse nuk jepen minierat, fabrikat, investimet në naftë, autostrada të reja e shumë e shumë të tjera, që kanë kosto dhe që hapin vende pune. Ja pra këto nuk bëhen, këto nuk vlerësohen, këto nuk stimulohen, pasi nuk prodhojnë vota të çastit dhe se Qeveria- Parti kërkon shoqata,organizata, grupime, të cilat sjellin vota dhe mbajnë në pushtet batakçinjtë dhe mashtruesit që rrënuan, vodhën, grabitën dhe diskredituan vendin gjatë këtyre 25-viteve. Dhe kjo strategji për rigrumbullimin e shoqatave të pavarura,OJQ-ve dhe OJF-ve na kujton të njëjtën strategji të kohës së diktaturës, ku modeli është i njëjtë, por ndryshojnë vetëm rrugët që të çojnë tek kutia e votës. Përfundimisht, e thëna se “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron” është më aktuale se kurrë. Fakti që edhe “qeni”, edhe “ujku, por edhe “njeriu” bëjnë pjesë në klasën e gjitarëve tregon se vëmendja ndaj këtyre grupimeve, sot më shumë se kurrë meriton vëmendjen e nevojshme…
Sigal