Engjëll MUSAI/ Kur Perëndimin kërkon ta shohësh nga Lindja e largët

579
Sigal

Dje në mbrëmje, Brukseli vendosi zyrtarisht që Shqipëria të mbetet jashtë dyerve të Europës, edhe për gjashtë muaj të tjerë. Megjithëse, Komisioni Europian, Komisioni i Jashtëm i PE-së si dhe Parlamenti Europian ishin shprehur  pro dhënies së statusit të vendit kandidat, vendimi përfundimtar do të merrej nga Këshilli Europian. Ky Këshill u mblodh dje dhe nëpërmjet Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fyler, bëri me dije se, Shqipëria mbeti në klasë në semestrin e parë dhe shansi i vetëm është ai i semestrit të dytë, në qershor 2014.  Ky lajm i Komisionerit Fyler duket se, nuk kishte shumë vlerë, pasi disa orë më parë lajmi ishte bërë publik nga “Zëri i Amerikës”, i cili zbardhi detajet e votimit kundër, të pesë shteteve kryesore të Europës së Bashkuar si: Anglia, Franca, Gjermania, Holanda dhe Danimarka. Europa i ka mbyllur hesapet e 2013-s me shqiptaret dhe Tirana zyrtare pësoi të njëjtin fat që prej vitesh po e merr edhe Ankaraja e Erdoganit. Politika zyrtare e Tiranës ishte e ndërgjegjshme për mosdhënien e statusit, pasi kjo gjë u pa edhe nga vizitat e nivelit të lartë të kryesuar nga Kryetari i Parlamentit Shqiptar, Ilir Meta në Gjermani, Francë, Angli, Bruksel si dhe ajo e ministrave Bushati dhe Gjosha në Holandë. Gjithsesi, shpresa vdes e fundit, ndaj dje, Kryeministri ose minimalisht ministri i Jashtëm duhet të ishin në Bruksel dhe t’i kërkonin mbështetjen deri në minutën e fundit. Por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe se Kreu i qeverisë dhe ai i diplomacisë fluturuan drejt Azerbajxhanit, një vend i fuqishëm me gaz dhe vendimmarrësi kryesor i gazsjellësit TAP.  Ata vajtën në vendin që deri dje etiketohej si diktatorial nga opozita e djeshme dhe maxhoranca e sotme. Ndoshta për t’u trajnuar për demokracinë në Baku?! Megjithëse TAP është një projekt i vlefshëm, por dikush duhet të thotë pse e kritikonin Berishën kur ai punonte që TAP-i të kalonte nëpër Shqipëri? Ish- Kryeministri Berisha ka pasur me dhjetëra takime me kreun e qeverisë së AzerbajxhanitIlham Aliyev. Më kujtohet kur bërtiste Rama se Berisha takohej me Alijevin, diktatorin e atij vendi – që në të vërtetë është- por tani ai po bën të njëjtën gjë… d.m.th, Berisha paska ditur diçka që e ka takuar Alijevin? Ndaj z.Rama duhet të tregojë nëse i ka kërkuar të  falur Alievit dhe a është falur nga ai?… Pavarësisht nga këto që përmendëm më lart, besoj, të paktën ministri i Jashtëm duhej të ishte dje në Bruksel, apo ndoshta ka hequr dorë nga Europa dhe vajtja në Baku është një karshillëk ndaj Europës? Kjo duhet parë edhe në kontekstin përse Kryeministri grek nuk udhëtoi në Azerbajxhan. Zyra e shtypit të Kryeministrit Samaras njoftoi se, avioni që ai do udhëtonte kishte “defekt”. Shpresojmë që kjo të mos ketë qenë  sebepi i tij për të mos u takuar me delegacionin shqiptar. Klima e ftohtë dhe ngrica Ukrainase është shtrirë deri në Ballkan dhe gripi ka zënë me dashje apo pa dashje edhe vendin tonë. Është e disata herë që kur vendi dhe politika përballen me çështje madhore, krerët e së Majtës largohen apo fshihen sepse nuk duan të përplasen me probleme, të cilat shpejt apo vonë rikthehen në tavolinën e tyre të punës apo në axhendën e të tjerëve të interesuar  për zgjidhjet në favor dhe interesa personale dhe klienteliste. Por Europa na la jashtë mureve të saj, megjithëse, para 500 vitesh shqiptarët dhe heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, shpëtoi nga shkatërrimi dhe pushtimi otoman perëndimin, të cilin ne sot e ëndërrojmë kaq shumë. Ja këto, përveç detyrave të shtëpisë duhet të thoshin dje drejtuesit e shtetit tonë europiano-perëndimorëve dhe t’ua thoshin me kokën lartë. Por qeveritarët tanë nuk e bënë një gjë të tillë dhe dëgjuan këshillat e paradokohëve të disa historianëve  turq, duke e parë Perëndimin nga Lindja e largët e Ilham Aliyevit.  Një pjesë e atyre ministrave që morën përsipër të negocionin dhe të bindnin Perëndimin, duhet ta kuptojnë se kanë dështuar dhe kush dështon duhet të largohet. Europa të dëgjon, të vëzhgon dhe bindet nga besimi dhe jo nga mashtruesit ordinerë dhe lojërat e ngjashme me filmat policeskë.  Kur politika godet me  metodat  komuniste  bazën e kapitalit, apo kur liderët dhe burrat e shtetit kthehen në cuba dhe “heronj” të tipit Robin Hud, duke grabitur të pasurit për t’ua shpërndarë të varfërve, atëherë Europa të ndëshkon. Shkurt, politikanët tanë nuk e duan Europën. Menjëherë pas vendimit të Brukselit për shtyrjen e negociatave, në një bisedë konfidenciale me një ish-zyrtar të lartë amerikan, duke diskutuar shkaqet e këtij vendimi ai u shpreh: “I dashur Ëngjëll, unë nuk prisja ndonjë rezultat tjetër, fatkeqësisht. Këtu nuk ka asgjë të re. Fyle, kam frikë se e bëri rekomandimin e tij ditë më parë, për ndonjë arsye personale, mos të them banale. Por sidoqoftë, klasa politike shqiptare duhet ta vendosë njëherë e mirë, nëse duan të integrohen apo jo. Unë i kam dyshimet e mia, me të thënë të drejtën, sepse interesat personale të klasës politike shqiptare janë të lidhura me vende dhe persona që nuk kanë të bëjnë me Europën as me integrimin. Jam dakord, se shpresa është Amerika, por Amerika është larg dhe do të ishte mirë që shqiptarët të futen në “klubin e miqve” të Amerikës që është afër jush, gjeografikisht. Shiko ukrainasit duke u dridhur nga i ftohti protestojnë planet e Putinit për të bllokuar integrimin e Ukrainës në Europë.  Kush është ”Putini” ose cilët janë “putinët” shqiptarë që po bllokojnë integrimin e shqiptarëve në Europë? Por shpresa nuk vdes kurrë!”.

Shpejt edhe partneri më strategjik në historinë e kombit shqiptar, Amerika do të thotë fjalën e vetë të keqardhjes ndaj këtyre politikave. Ne e përbuzëm dorën e miqësisë, të cilën SHBA-të na e kanë ofruar sot dhe 100 vjet më parë, kur protestuam në bulevard. Ndaj sot më shumë se kurrë duhet t’i kërkojmë falje kombit të lirisë dhe demokracisë në botë dhe që e ka emrin Amerikë!