Engjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”
Të dashur vëllezër dhe motra, nëna, baballarë, gjyshër, nipër dhe mbesa, shqiptar kudo ku jeni, këtej Drinit në Shqipëri apo matanë Drinit në Kosovë, si dhe në trojet tona në Maqedoni, Mali i Zi dhe Çamëri.Të shenjtët bashkëatdhetarë që jetoni dhe punoni kudo nëpër botë dhe që me kursimet tuaja ushqeni dhe mbani me ilaçe një pjesë të konsiderueshme të familjeve tuaja në Shqipëri, Kosovë dhe viset shqiptare !
Gëzuar vitin e ri 2026 …!!!
1 Janar 2026 shënoi ditën e parë e Vitit të Ri, ndaj:
Gëzuar për miq të zemrës dhe të besës! Kalofshi 2026-ën, si është më e mira për Ju, me familjarë e dashamirës. Uroj dhe lutem që Viti i Ri 2026 të jetë me këmbë të mbarë për të gjithë, gjithmonë një Vit bekimesh dhe begatishë, por të jetë gjithashtu edhe një vit gëzimesh familjare , me sa më pak halle dhe realizim të ëndrrave personale.
Shumë të nderuar emigrantë shqiptarë që jeni larguar prej papunësisë, mbijetesës, apo për një jetë më të mirë për familjet tuaja : Gëzuar Vitin e Ri 2026 ! Shëndet për ju vëllezër e motra që në deje ju rreh gjak shqiptari…
Për pensionistët që ndërtuan Shqipërinë, spitale, çerdhe, kopshte, shkolla, universitete, rrugët dhe urat, minierat, portet dhe aeroportet, HEC-et, zbuluan naftën dhe ngritën rafineritë e përpunimit, hekurudhat, fabrikat, uzinat, pallatet dhe qëndrat e kulturës, teatret, cirkun, kinostudion dhe rrjetin e kinemave për fëmijë e të rritur.Për ata që thanë kënetat dhe elektrifikuan vendin. Edhe ju të nderuar ish-kooperativist , punonjës të bujqësisë, ushtarakë që mbrojtët me gjak kufijtë e vendit: Luftoni më shumë për rritjen e pensioneve tuaja, pasi sot djersën dhe gjakun e brezave tuaj, po e përfitojnë ‘shushunjat’ e brendshme dhe Oligarkia ndërkombëtare.
Respekt për heronjt e luftës dhe të punës, por një përulje e veçantë shkon edhe për të gjithë intelektualët burra dhe gra të cilët u dënuan, u internuan dhe u pushkatuan gjatë sistemit të Diktaturës Komuniste për Fjalën e Lirë se e donin Shqipërin përkrah Perëndimit dhe si gjithë Europa.
Të dashur vëllezër dhe motra : Le të jetë ky një vit i bekuar për Ju dhe familjet tuaja të ngushta dhe atë më të gjerë, të shoqërisë , miqve dhe mbarë Kombit. Le të jetë 2026-ta për Ju, plot jetë, e lumtur,me shëndet dhe begati, por edhe tolerancë dhe vëllazërim për një bashkëpunim më të thellë për zgjidhjen e problemeve të vendit me Maturi, Drejtësi, Dashuri dhe Sinqeritet. Syçelur dhe mëndjemprehtë ndaj atyre që nuk na duan si Komb ose dëshirojnë të na shohin keq e më keq, të huaj dhe të brendshëm në bashkëpunim me ta.
Mirënjohje pa fund për të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë së sotme dhe atyre që na mbështetën që nga dita e parë e themelimit dhe Pavarësisë Kombëtare .
Mbetemi me shpresën për një vit të mbarë për të gjithë, por në veçanti për familjet që nuk kanë mundësi të jetojnë në banesat e tyre, që u janë prishur apo nuk kanë mundësi të paguajnë kreditë. Për ish të përndjekurit dhe ish- pronarët, që ende sorollaten nga zyrat burokratike, ato shkresore dhe këto dixhitale, e që lihen qëllimisht të pashpresë për t’u perdorur nga politika nëpërmjet premtimeve për fushatat zgjedhore.
Së fundmi, Zoti mos na lëntë pa miq strategjik si Europa Perendimore dhe SHBA-të, por mbi gjithçka të jemi të bashkuar si popull, pa dallime fetare, krahinore , ngjyre dhe rrace. Në të kundërt politikanët e huaj dhe qeveritarët vendas do tallen dhe luajnë komedi me ne si popull….!
Si gjithmonë, Ju falenderoj nga zemra!




















