Ëngjëll Musai: Bujar Asqeriu, Beppe Grillua i opozitës shqiptare

474
Ëngjëll Musai 
Drejtor i “Telegraf”
I kanë mjaftuar vetëm 6 minuta “Mjeshtërit të Madh” Bujar Asqeriu që të futet thellë në ndërgjegjen dhe zemrat e të gjithë shqiptarëve pa dallime politike dhe fetare, në diskutimin për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, vatër e kulturës dhe traditës mbarëkombëtare. Fjalët e mjeshtrit Asqeriu dilnin nga thellësia e shpirtit, pasi ai është përditë mes halleve të qytetarëve, varfërisë, mjerimit dhe marrëzisë së politikës. Një artist i përmasave botërore nuk gjen dot një pikë uji të lahet ,ndërkohë që politikanët dhe trafikantët e politikës dhe të ashtuquajturës “kulturë” shëtisin nëpër plazhet dhe saunat e botës për luksin e lëkurës së tyre. Në një analizë të tijën pikërisht për protestën e artistëve ish-drejtori i VOA-s për Euroazinë, Frank Shkreli do të thoshte se: “Duket se shpërthimi i Robert Ndrenikës, Bujar Asqeriut dhe kolegëve të tyre ndodhi pasi më në fund u “mbush thesi” dhe nuk durohet më arroganca e vendimeve ose mosvendimeve që ndërmerr ose dështon të ndërmarrë kjo ministri gjatë viteve — në mbështetje të artit, kulturës dhe të identitetit shqiptar. A nuk është ky misioni i saj? Siç është shprehur edhe Anton Harapi në librin e tij “Vlerë Shpirtërore”, “Zotërinj, njerëzit e bëjnë Shqipërinë dhe jo sendet. Virtyti dhe zotësia janë dinamoja e atdheut dhe jo motorat e makinat. Fuqia dhe madhështia e atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me sasinë e njerëzve krijues në dituri e art, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private dhe publike, sepse duhet ta dini zotërinj, nuk është sendi as atdheu që e bëjnë njeriun, por janë njerëzit që e bëjnë atdheun, që i ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare” . Zëri i Bujar Asqeriut është një kushtrim që duhet të dëgjohet, të përfillet dhe të mbështetet nga mbarë shoqëria, e cila në milionat e klikimeve që ka i bërë “klithmës” së tij e ka mbështetur dhe jo më kot kanë filluar ta quajnë Beppe Grillua i opozitës shqiptare. Nga ana tjetër opozita aktuale duhet ta ketë marrë mesazhin se çfarë kërkojnë qytetarët dhe se kë donin të dëgjonin protestuesit e mitingut të tyre në datën 27 janar. Asnjëherë nuk është vonë për të reflektuar, ndërgjegjësuar dhe bindur shqiptarët për drejtësi, barazi, rend, siguri , dije dhe mbi të gjitha për kulturën e nëpërkëmbur. Me fjalimin e tij dhe debatet e mëvonshme përballë ministres Kumbaro Buajar Asqeriu aktualizoi atë që Pater Anton Harapi pati thënë rreth 80 vjet më parë : “Zotërinj, njerëzit e bëjnë Shqipërinë dhe jo sendet. Virtyti dhe zotësia janë dinamoja e atdheut dhe jo motorat e makinat. Fuqia dhe madhështia e atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me sasinë e njerëzve krijues në dituri e art, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private dhe publike, sepse duhet ta dini zotërinj, nuk është sendi as atdheu që e bëjnë njeriun, por janë njerëzit që e bëjnë atdheun, që i ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare.”
Sigal