Ëngjëll Musai: Bota feston ‘Shën Valentinin’, shqiptarët në radhë pranë gjykatave për divorce

Ëngjëll Musai
Drejtor i Telegraf

Në ‘Ditën e të Dashuruarve’ numri i divorceve në Shqipëri është dyfishuar që prej fundit të viteve ’90 dhe kjo përbën një statistikë, që nxit ekspertët të arrijnë në konkluzionin se familja shqiptare është në krizë. “Sipas të dhënave të grumbulluara nga Telegraf.al , rreth 85% e numrit të kërkesave për zgjidhje martese në gjykatë regjistrohen nga gratë. Dhuna përbën gjithashtu në mbi 80% të rasteve shkakun kryesor, për të vijuar me varësinë nga droga të partnerëve, bixhozin, tradhëtitë, paaftësinë mendore dhe fizike, mashtrimin, apo dhe diferencat në prioritete dhe mendësi. Përkundrejt masave të qeverisë divorci në thelb mbetet një proces tejet i vështirë. Në Shqipëri që prej vitit ‘90 deri në vitin 2019 kanë lidhur martesë nën betimin “Derisa vdekja të na ndajë” afro 710 mijë çifte dhe mbi 89 mijë ose 13 % e tyre e kanë thyer këtë betim. Por situata ka ndryshuar në tre vitet e fundit ku 23 % e martesave po përfundojnë në divorce. Kjo është një shifër pak e barabartë me vendet perëndimore, por në Shqipëri divorci bart një peshë tjetër, sepse pasojat e tij janë më të rënda për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale. Shqiptarët renditen ndër shtetet që kanë numrin më të lartë të martesave në Evropë në raport me popullsisë, por një pjesë e konsiderueshme e tyre përfundojnë në divorce, duke na renditur sërish ndër të parat në rajon. Të dhënat janë publikuar nga Eurostat në raportin: “Sa martesa dhe divorce kanë ndodhur në vitin 2020?”, tregonte se në vendin tonë kishte 6.16 martesa për një mijë banorë, pothuajse dyfishi i normës mesatare të Bashkimit Evropian prej 3.2. Por kjo lidhet edhe me situatën e izolimit nga Covid, dhe se në këto dy vitet e fundit 2021 dhe 2022, numri i martesave ka rënë përsëri, pasi shumica e shqiptarëve po emigrojnë dhe kjo duket edhe në rënien e numrit të lindjeve. Por statistikat në vendet e tjera të BE-së dhe kontinentit amerikan tregojnë rritje të numrit të lindjeve të fëmijëve, që kanë kombësinë shqiptare. Vetëm në 2021, në Itali kishte 10 mijë lindje nga familjet me kombësi shqiptare. Pra përveç, emigrimit edhe divorcet e çifteve janë kthyer në një plagë për shoqërinë shqiptare.

Sigal

Shumë martohen, por dhe shumë divorcohen.

Në Shqipëri, në vitin 2019 dhe 2022 u regjistruan 2.1 divorce për një mijë banorë, shifra që e bëjnë Shqipërinë të renditet i 11-i në gjithë Evropën për numrin e lartë të divorceve. Viti 2020 dhe 2021 ka qënë disi më i ulët për shkak të izolimit të popullsisë nga situata e pandemisë dhe mbylljes së popullsisë. Të dhënat e fundit sipas statistikave të INSTAT në 100 martesa 24.4 çifte e kanë finalizuar me divorc marrëdhënien. Nëse do e krahasojmë me 5 vite më parë, janë martuar mbi 5000 çifte më shumë, ndërsa numri i divorceve është i njëjtë. Sociologët thonë se numri i divorceve është çdo vit më i lartë, dhe kjo faktohet edhe nga çështjet e shumta në dyert e gjykatave ndaj: ata sugjerojnë se çifteve u duhet më shumë kohë për t’u martuar. Kushtet e vështira ekonomike, por edhe vendosja e karrierës përpara familjes, është një prej faktorëve kryesorë. Kjo dukuri vihet re më tepër tek femrat. Kjo tregon se përtej  propagandës shtetërore, udhëtimeve dhe dhuratave, “Shën Valentini” duhet të jetë një apel për një lidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

 

8 arsyet më të zakonshme, që sjellin divorc:

Emigracioni

Pabesia, konfliktet e vazhdueshme

Shkaqe ekonomike

Alkooli, drogat, kumari

Ndryshimi i prioriteteve dhe interesave

Dhuna në familje

Ndarje fiktive për arsye procedurale

Rritja e bashkëjetesës