Elida BUÇPAPAJ/ Sikur Rama të ndiqte shembullin e Merkel

575
Sigal

Në konferencën për shtyp, Kryeministri Rama i vuri në gjumë gazetarët dhe nervozoi publikun, asgjë konkrete

Opinioni publik e priti me interes daljen e Kryeministrit Rama në konferencë për shtyp, e cila u paralajmërua edhe si një bashkëbisedim me komunitetin e rrjeteve sociale Facebook, Tvvitter, diçka që nuk u përmbush dot. Pasi Edi Rama nuk e paska një ekip që t’ i kishte përgatitur një skemë-komunikimi ndryshe nga rutina. Që në fillim, ai shkeli, ku nuk duhej. Nisi të bënte narracion për sukseset e ekipit të tij në pastrimin e plazheve apo për arritjet katastrofale të turizmit në vitin 2014, duke përmendur si shifër faktin se, Shqipëria ishte vizituar nga 1 milion e ca vizitorë jo rezidentë, që në fakt nuk janë turistë të huaj, por shqiptarë të emigruar gjatë tranzicionit apo shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë etj.. Për të parë se ku është Shqipëria për sa i përket turizmit, po ju jap një statistikë nga Zvicra. Turizmi në Zvicër përbën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose thënë ndryshe Zvicra ka rreth 40 milionë turistë në vit, ku 20 milionë janë vetë zviceranët dhe rezidentët që lëvizin nëpër konfederatën helvetike dhe 20 milionë janë të huajt. Dhe Zvicra gjithmonë synon më shumë e më shumë. Të flasësh për turizëm dhe investitorë të huaj është si të ecësh në zonë të minuar. Shqipëria do të ishte një destinacion për miliona e miliona banorë të Europës, të cilët në vend që të zbarkojnë në Shqipëri, zbarkojnë me miliona në plazhet e Turqisë dhe Greqisë. Dhe dihet se përse nuk vijnë, për shkak të sigurisë. Nuk ndihen të sigurt në një vend ku vritet drejtori i Bankës private shqiptare edhe investitorët e huaj nuk vijnë në Shqipëri, për të njëjtat arsye. Sepse kur vidhet Banka e Shtetit dhe sistemi është i përçudnuar nga kasta klienteliste-nepostiste, ata s’kanë kurrëfarë garancie për paratë e tyre. Edi Rama e kaloi kalimthi reformën territoriale dhe atë arsimore, të cilat janë premtuese, ndërsa tek Lazarati nuk u ndal fare, që në fakt është sukses i shtetit. Edi Rama i vuri në gjumë gazetarët në sallën e Konferencës për shtyp. Ashtu si na vuri në gjumë edhe ne të tjerët që po e ndiqnim prej televizorëve. Fliste pa ritëm, pa elokuencë, paçka se është njeri i letrave, ndërsa shtirej se nuk e kishte idenë fare se koha ecte. Aty pranë kishte një femër tip këshilltare me flokë të ngjyera terr të zi, e cila nuk pipëtinte gjumshëm. Pra, Kryeministri i Shqipërisë dukej sikur e kishte humbur nocionin kohë. Koha rrjedh dhe nuk pret e pyet askënd, nuk do t’ ja dijë se je kryeministër. Koha vepron me ligjet e veta të pamëshirshme, të cilat i tregojnë Ramës se viti i parë i mandatit të tij po mbushet. Ose Edi Rama, duke parë natyrën e pyetjeve edhe përmes rrjeteve sociale, për t’iu shmangur temave të nxehta, kishte vendosur që të zvarritej në një prolog të pafund i cili u bë tmerrësisht monoton dhe i mërzitshëm. Opinioni publik priti që Edi Rama të përballej direkt me realitetin e vrazhdë shqiptar, ku përfshihen edhe dy skandalet më të fundit, i BSH dhe skandali i punësimeve të ish-sekretarit të deputetit të PS-së. Por Edi Rama prapë heshti dhe hezitoi të fliste. Heshti në emrin e pavarësisë së institucionit, siç është Banka e Shtetit dhe bëri memecin nga pozitat e qytetarit. Ai mund të thoshte atë që tha e të shtonte atë që duhej. Se si ndihet ai, Edi Rama si një qytetar i Shqipërisë kur përballej me faktin se Guvernatori që merr 100- fishin e rrogës të një pensionisti nuk arrin të përmbushë detyrimin si guardiani i institucionit të shtetit që drejton. Edhe kur i u bënë pyetje rreth ekipit të Kokëdhimës, në vend të një qëndrimi të prerë vazhdoi me kalambure, sipas të cilave edhe ai si kryeministër mund të mbante ekip në Vlorë, po të kishte para. Po ku t’ i gjente paratë kryeministri? Po ku t’ i gjejnë paratë deputetët që të paguajnë ekipe me nga 12 vetë? Kokëdhima ka para. Nëse Kokëdhima ka para, ai nuk mund të veprojë në kundërshtim me ligjet e shtetit, që do të thotë se nuk mund ta përdorë paranë e tij siç e përdor, sepse aty ka konflikt interesi. Në këtë konferencë për shtyp, pritej të paktën që Edi Rama të ishte i sinqertë me publikun. Ai nuk e bëri as këtë, ishte i kontraktuar. Vetëm në fund të konferencës për shtyp, kur besoi se i kishte shpëtuar ankthit të pyetjeve rreth Bankës të Shtetit dhe ish-sekretarit të Kokëdhimës, Rama doli nga rutina 23 vjeçare e kryeministrave të Shqipërisë në këtij tranzicion gati perpetual, kur papritmas, kur nuk e priste askush, filloi të tregonte për takimin e tij me Kancelaren Gjermane.

Ja çfarë tha Kryeministri rreth takimit të tij me Angela Merkel: “Ishte momentitregoi Edi Rama, kur Kancelarja më pa në sy dhe më tha: ….“ Më thuaj me tënjëjtën ndershmëri dhe të njëjtën këmbëngulje, a mund të jetë Shqipëria, vend i BE-së, nëse ka këtë sistem drejtësie?” Sigurisht që “Jo”-ja ishte e lehtë për t’u thënë, por ka qenë një nga rastet që do ta mbaj mend në jetën time politike që më ka ardhur turp, kur më është dashur të flas për vendin që i krijon vetes këtë kosto, për shkak të bandave të veshura me petkun e pushtetit gjyqësor….”. Dhe pikërisht këtu nga do të duhej ta niste. Kryeministri e mbylli si epilog konferencën për shtyp. Por, të paktën dialogu Merkel-Rama i zgjoi gazetarët nga gjumi, ndërsa opinioni publik i nervozuar, nga ana e tij i tha – “Hë mo dhe ti Edi Rama je si të tjerët, deri tani na bëre vetëm demagogji“.