Skandali, shteti shqiptar në mbrojtje të “skllavopronarëve” turq

592
Sigal

Punonjësit e HEC-it të Banjës në protestë për trajtimin çnjerëzor nga pronari turk, Gjiknuri dhe Veliaj heshtin

Rreth 500 punëtorë në Hidrocentralin e Banjës në Elbasan protestojnë për herë të dytë brenda 3 muajsh, duke akuzuar firmën nënkontraktuese turke “Limak” për shfrytëzim çnjerëzor dhe mosrespektim të ligjeve të punës në Shqipëri. Ata kanë bojkotuar punën dhe kanë kërkuar respektimin e kontratave të nënshkruara. Teksa kërkojnë t’u paguhen orët shtesë, ose në të kundërt të respektohet 8-orarëshi, ata shprehen të pakënaqur jo vetëm me mënyrën se si trajtohen nga punëdhënësit, por edhe nga kërcënimet e pësuara nga Policia e Shtetit. Ata thonë se në momentin kur u mor vendimi për bojkotimin e punës, janë kërcënuar nga efektivët e policisë të thirrur nga përfaqësuesit e firmës “Limak”. Ndërkohë, punëtorët ankohen se firma turke është duke i shfrytëzuar pa mëshirë në interes të saj dhe thonë se janë të detyruar të ndërpresin punën, pasi firma turke nuk zbaton asnjë kriter dhe veçanërisht Kodin e Punës. Sipas tyre, ata detyrohen të punojnë 12 orë në ditë, të shtunave dhe të dielave, në ditë festash, përkundrejt një shpërblimi minimal. Një nga shqetësimet e tyre janë edhe incidentet e shumta që ndodhin në punë. Ata shprehen se shpesh herë janë të diskriminuar në krahasim me punonjësit turq, të cilët kanë më shumë lehtësira në orare, por edhe paga më të larta. Nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Fadil Kamami, tha se përfaqësuesve të firmës iu drejtua një kërkesë për përmbushjen e 10 pikave, të cilat parashikohen në Kodin e Punës, ndërkohë që bën me dije se për plotësimin e tyre ka një afat të caktuar. Kamami shprehet se punëtorët nuk do të rikthehen në punë, nëse firma nuk plotëson kërkesat e punëtorëve. Por nga ana tjetër, drejtori i projekteve të firmës Limak, Mustafa Ozgan, edhe pse mohon të jetë në dijeni të shqetësimeve të punonjësve shqiptarë, premton se do t’i marrë në konsideratë kërkesat e tyre.

Ministria e Energjetikës me pushime të zgjatura

Ndërsa protesta e punëtorëve në Hidrocentralin e Banjës është e vazhdueshme dhe regjistrohet si e dyta në këtë 3-mujorsh, nuk kemi asnjë reagim nga Ministria e Industrisë dhe e Energjetikës. Ka qenë një angazhim politik i së majtës për rishikimin e të gjitha kontratave koncensionare në fushën e energjetikës, por deri më tani asgjë nuk është bërë për ta realizuar këtë premtim. Ndërsa opinioni publik kërkon nga qeveria të përmbushë angazhimin e tij politik duke rishikuar një për një të gjitha kontratat koncensionare, sidomos ato me sipërmarrës turq. Sipas perceptimit qytetar duket se qeveria po mbron interesat e biznesmenëve turqve, ndërsa punonjësit shqiptarë ndihen si të huaj, duke ndjerë diskriminimin në shtëpinë e tyre. “Të mos harrojmë tragjedinë në HEC-in e Qafë Mollës të Mirditës, ku humbën jetën 3 punonjës dhe sipërmarrësi është turk. Nëse ministri Gjiknuri nuk është i aftë të bëjë detyrën e tij, atëherë të japë dorëheqjen”, shprehet një nga punonjësit e hidrocentralit të Banjës.

 Pronari i LIMAK, Ozdemir, i akuzuari për falsifikim nga drejtësia turke

 Vala e arrestimeve në dhjetor të vitit 2013 ka prekur edhe pronarin e LIMAK,  i cili ka në pronësi disa kompani me rëndësi strategjike në vendin tonë dhe në Kosovë. Ky lajm është bërë i ditur nga mediat turke, sipas të cilave, Nihat Ozdemir është ndaluar, menjëherë pas arrestimeve të bëra në dhjetor të 2013-ës dhe ndryshimeve të kabinetit qeveritar. Pronari i Limak, dhëndri i kryeministrit turk Erdogan është akuzuar për falsifikim dhe për shantazh ndaj autoriteteve shtetërore. Firma e tij, Limak përfundoi pak javë më parë së ndërtuari aeroportin e Prishtinës, Adem Jashari ku ishin të pranishëm kryeministrat e Shqipërisë, Turqisë dhe Kosovës.

Tahiri dhe Policia e Shtetit joshen nga paratë e turqve

 Punonjësit e hidrocentralit të Banjës kanë akuzuar publikisht efektivët e Policisë së Shtetit për kërcënim në momentin kur u mor vendimi për bojkotimin e punës. Pozicionimi i policisë në krah të punëdhënësve turq, të cilët shfrytëzojnë barbarisht, edhe jashtë orarit të punës punonjësit shqiptarë,  pa i shpërblyer financiarisht, vulos me turp këtë skandal. Ç’punë ka Policia e Shtetit të mbrojë interesat e punëdhënësve turq, ndërkohë që këtë rol e bën policia private që kontraktohet nga punëdhënësit? Mesa duket, ministri Tahiri dhe Policia e Shtetit joshen lehtë nga paratë e turqve. Në të kundërt, nuk ka si të kuptohet ky veprim i efektivëve të policisë, të cilët nuk duhet të bëjnë “cubat”, po duhet të jenë në shërbim të shtetasve shqiptarë. Ndërsa shfrytëzimi çnjerëzor që po i bëhet punëtorëve të hidrocentralit të Banjës dhe allishverishet e turqve me borderotë e pagesave duhet të jenë objekt i Krimit Ekonomik në Elbasan, zyrtarët e të cilit nuk duhet të ngrohin karriget, por të nisin sa më shpejt hetimet për firmën turke “LIMAK”, e cila që në fillimet e saj nuk ka zbatuar kontratat si me shtetin shqiptar, ashtu dhe me punonjësit shqiptarë.

Tragjedia e HEC-it të Qafë-Mollës, ende pa autor

 Fundi i muajit korrik shënoi tragjedinë në HEC-in e Qafë Mollës të Mirditës me 3 viktima. Ndryshe nga kontrollet e inspektorateve shtetërore, mirditorët kanë denoncuar në media kushtet e vështira  në të cilat ata detyrohen të punojnë për të siguruar bukën e gojës. Nga aksidenti në HEC-in e Qafë Mollës të Mirditës humbën jetën tre punëtorë, ndërsa policia ende sot, pas gati një muaji nuk ka asnjë person të ndaluar. Punimet në galerinë e Hidrocentralit të Qafë-Mollës në fshatin Fang të Mirditës kryhen nga firma turke, “Efato Glu”. Çuditërisht, sa herë kemi të bëjmë me pronarë turq, shteti shqiptar ndihet i pafuqishëm. Por, ndërsa pronari shqiptar ka rënë në pranga të policisë pas ngjarjes së rëndë në minierën e Fushë Lopës, në Martanesh, ku humbën jetën 2 minatorë, pronarit turk të Qafë-Mollës, nuk i “ka hyrë gjemb në këmbë”. “Kurrë nuk kam parë kushte më mesjetare pune se punimet e Qafë-Mollës. Nuk është zbatuar asnjë normë sigurie, tuneli nuk ka asnjë derdhje betoni, asnjë skelet hekuri, asnjë mbajtëse, punëtorët nuk disponojnë asgjë. Të gjithë punojnë në të zezë, pa siguracione, pa kontribute shoqërore. Firma turke, të cilën e kam denoncuar vazhdimisht, sepse jo vetëm ka skllavëruar mirditorët në punë, por u ka marrë pronat e në bashkëpunim me shtetin i ka harruar, burgosur sipas qejfit. Por, historia e dhimbshme e mirditorëve nuk mbaron me kaq, një punëtor shqiptar (mirditor) në të zezë paguhet 300 euro në muaj, kurse një punëtor turk në rregulla paguhet 1500 euro. Pra, pesë punëtorë shqiptarë në gjendje skllavërie paguhen sa një turk. Nuk kam gjë kundër edhe atyre turqve që punojnë, por nuk mund të vijnë në shtëpinë tonë, në tokën tonë, e ato të jenë kapitalistë e ne skllevër”, do të shprehej fill pas tragjedisë Eduart Ndocaj, kandidati për deputet i PS-së për qarkun Lezhë.