Elida BUÇPAPAJ/ Klasa politike përgjegjëse për vrasjen e Artan Santos nga mafia

641
Sigal

Kur u mor vesh vrasja mafioze e Artan Santos, ishte fillimisht heshtja që e mbuloi këtë akt terrorist, e cila të jepte mundësi të kuptoje menjëherë degradimin e klasës politike shqiptare. Në Parlamentin e Shqipërisë u vazhduan punimet sikur të mos kishte ngjarë asgjë. Vetëm Ben Blushi e prishi heshtjen. Më vonë do të fillonin të dilnin deklarimet e para zyrtare – një pjesë e mirë në “Facebook”. Opinioni publik, i shokuar, pa se si killerat u lanë të lëvizin të lirë. Shteti me të gjitha kapacitetet e tij, u tregua qyqan përpara dy vrasësve të paguar, të cilët u fokusuan nga kamerat tek bridhnin të zinj me skafandra, duke e lënë të vrarë njeriun më të rëndësishëm të financave shqiptare të dergjej i pajetë, i vetmuar. Mafia tregoi dhëmbët për të frikësuar popullin, i cili është po aq i vetmuar sa Artan Santo. Ne kemi klasë politike prej 23 vitesh post diktaturë, por nuk kemi shtet. Ne kemi klasë politike dhe në vend të shtetit kemi mafie, që do të thotë se kjo klasë politike është në krah të mafies dhe jo të popullit, ashtu si nuk ishte as në krahun e Artan Santos që e la në mëshirën e terrorit. Artan Santo mund të ishte kryeministri që i duhej Shqipërisë, njeri i financave, njeri i sistemit dhe tregut të lirë që krijon vlera me punë të ndershme e djersë të ballit, që nuk pasurohet brenda natës, brenda mandatit të deputetit. Artan Santon e njihnin të gjithë, të majtë e të djathtë, ish-kryeministra e kryeministra, ish-kryeparlamentarë e kryeparlamentarë, ish-presidentë e presidentë, ish-deputetë e deputetë, e njihte bota e biznesit, njerëzit e artit, bota mediale.

Artan Santo ishte njeriu më i rëndësishëm i sistemit. Themelues i Bankës së parë shqiptare, pas tragjedisë të piramidave mafioze, ishte themelues i sistemit që promovoi lirinë e tregut, themelues i kapitalizmit shqiptar të pastër d.m.th në luftë të hapur me informalitetin dhe mafien. Prandaj e vrau mafia Artan Santon, killerat e paguar nga kupola e Tiranës. Kështu tha Avokat Ngjela. E gjithë klasa politike aktuale është fajtore për këtë tranzicion mafioz që e vrau Artan Santon, ashtu si vret çdo ditë biznesmenë, në një vend ku rendi mund të merret nën kontroll shumë lehtë nga shteti nëse funksionon.
Artan Santo simbolizonte kapitalizmin shqiptar në antitezë të plotë me sistemin e korruptuar, me votat e prodhuara nga shit-blerja, në antitezë të plotë me sistemin që rrezikon të dështojë nga trafiku, nga republika e hashashit, ku drejtësia mban anën e krimit, ku drejtësia trimëron kriminelët, killerat e paguar që ta eliminojnë përfundimisht sistemin. Jozefina Topalli tha se, vrasja e Artan Santos është e përmasave të vrasjes së Azem Hajdarit. Azem Hajdari njihet si simboli i rrëzimit të diktaturës, Artan Santo si simboli i sistemit kapitalist, i lirisë së tregut dhe lirisë të individit, ku shteti është shërbëtor i sovranit dhe jo i gjunjëzuari nga mafia. Artan Santo u vra kur shteti sapo bëri demonstrimin e parë në Lazarat për t’i marrë pushtetin mafies dhe kur BE i ndizi dritën jeshile Shqipërisë. Vrasja e Artan Santos ishte një reagim i drejtpërdrejtë i mafies, e cila është e inkurajuar nga mungesa e shtetit ligjor ne Shqipëri. Mafia, që vrau Artan Santon, është e inkurajuar nga lufta politike në Parlamentin e Shqipërisë, ku deputetët shajnë me fjalë të ulëta njeri-tjetrin, në vend që të kryejnë detyrimin ligjor që kanë ndaj Kushtetutës të vendit për të aprovuar ligje dhe ndërtuar shtetin e së drejtës. Opozita dje mungoi në Parlamentin që heshti kur mafia vrau Artan Santon, në Parlamentin që i vazhdoi punimet sikur në zemër të Tiranës të mos kishte ngjarë asgjë, sikur të kishte qenë një ditë e zakonshme, sikur jo 100 metra larg nga selia e premierit të Shqipërisë, në dritën për diell, mafia përmes killerave të paguar bashkë me Artan Santon, të mos kishte qëlluar në zemër edhe shtetin edhe sistemin dhe demokracinë. Është klasa politike e Shqipërisë, fajtorja e këtij tranzicioni kriminal, që po e shpërqendron vëmendjen e opinionit publik gjetiu, sikur populli shqiptar të jetë një popull primitiv, kur në fakt kjo klasë politike është përgjegjësja kryesore edhe për ikjen nga kjo botë të njeriut, i cili ia kushtoi jetën ndërtimit të një shoqërie të lirë, të vlerave dhe lirisë të tregut, e cila e konsideron armike pa kushte mafien që e vrau Artan Santon.