Eduart Sharka: Kur fermerët e BE-së dalin në rrugë, fermerët shqiptarë falimentojnë në heshtje

Protestat masive të fermerëve në Francë, Spanjë, Greqi, Poloni dhe vende të tjera të Bashkimit Europian nuk janë as spontane dhe as folklorike. Ato janë reagim i drejtpërdrejtë ndaj një politike tregtare që po vë në rrezik vetë bazat e bujqësisë europiane. Në qendër të këtij revolti qëndron marrëveshja tregtare BE–Mercosur.

Çfarë është marrëveshja Mercosur?

Sigal

Marrëveshja Mercosur është një pakt tregtar mes Bashkimit Europian dhe bllokut të vendeve të Amerikës së Jugut – Brazil, Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai – i negociuar për afro 25 vjet dhe tashmë shumë pranë miratimit përfundimtar. Qëllimi i saj është ulja e tarifave doganore dhe hapja e tregjeve reciproke për mallra industriale dhe, mbi të gjitha, për produkte bujqësore dhe ushqimore.

Në teori, kjo paraqitet si fitore e “tregut të lirë”. Në praktikë, për fermerët europianë do të thotë përballje direkte me importe masive mishi, drithërash, sheqeri dhe nënproduktesh bujqësore me kosto shumë më të ulëta prodhimi.

Pse po protestojnë fermerët e BE-së?

Fermerët europianë po protestojnë për disa arsye thelbësore:

Së pari, konkurrenca e padrejtë. Produktet që vijnë nga vendet e Mercosur prodhohen me standarde mjedisore, sanitare dhe sociale shumë më të ulëta se ato që BE ua imponon fermerëve të saj. Ndërkohë që fermerit francez apo spanjoll i ndalohet përdorimi i pesticideve të caktuara, importet lejohen pa të njëjtat kufizime.

Së dyti, kostoja e lartë e prodhimit. Energji e shtrenjtë, karburant, inpute bujqësore dhe barrë rregullatore e rëndë e bëjnë prodhimin europian më pak konkurrues edhe pa Mercosur-in. Me hapjen e tregut, ky hendek thellohet.

Së treti, frika për shkatërrimin e fermave familjare dhe zonave rurale. Fermerët e BE-së e shohin këtë marrëveshje si sakrifikim të bujqësisë në emër të balancave tregtare globale.

Për këtë arsye, traktorët kanë pushtuar qendrat e qyteteve europiane, autostradat janë bllokuar dhe presioni politik është rritur në nivele të papara prej vitesh.

Kontrasti brutal: fermerët e BE-së dhe fermerët shqiptarë

Këtu nis paradoksi më i madh.

Fermerët europianë protestojnë, ndonëse:
– marrin subvencione shumëfish më të larta se fermerët shqiptarë
– kanë shtete funksionale pas vetes
– kanë mekanizma mbrojtës dhe përfaqësim real politik

Ndërsa fermeri shqiptar:
– merr subvencione simbolike
– nuk ka politika mbrojtëse të tregut
– përballet me importe pa asnjë filtër
– dhe është i përjashtuar nga çdo tryezë vendimmarrjeje

Nëse fermerët e BE-së dalin në rrugë për të mbrojtur të ardhmen e tyre, fermerët shqiptarë zakonisht largohen nga bujqësia pa zhurmë, duke mbyllur stallat dhe duke braktisur tokën.

Ironia është se për fermerët shqiptarë nuk do të duhej Mercosur për të shpërthyer protesta masive. Do të mjaftonte vetëm bllokimi i fondeve IPARD, apo menaxhimi klientelist i tyre, që ata të kishin arsye të mjaftueshme për të dalë në rrugë dhe për të mos u larguar deri në largimin e kësaj qeverie.

Pasojat e Mercosur për Shqipërinë

Edhe pse Shqipëria nuk është palë në marrëveshjen Mercosur, ajo do t’i vuajë pasojat e saj më fort se shumë vende anëtare të BE-së.

Rënia e çmimeve në tregun europian do të sjellë zhvendosjen e tepricave drejt tregjeve periferike, përfshirë Ballkanin. Shqipëria, pa tarifa mbrojtëse dhe pa politika anti-dumping, rrezikon të kthehet në treg shkarkimi për produkte bujqësore më të lira se kostoja e prodhimit vendas.

Kjo do të thotë:
– presion shtesë mbi çmimet e prodhimit vendas
– përshpejtim i falimentimit të fermave të vogla
– rritje e varësisë ushqimore
– dhe goditje e rëndë për sovranitetin ushqimor të vendit

Përfundim

Protestat e fermerëve në BE nuk janë një problem lokal europian. Ato janë sinjal alarmi për çdo vend që ka hequr dorë nga mbrojtja e bujqësisë së vet.

Nëse politikat tregtare të BE-së po vënë në vështirësi fermerët e saj më të subvencionuar, atëherë fermerët shqiptarë janë duke u flijuar pa asnjë debat publik.

Heshtja përballë kësaj situate nuk është neutralitet. Është zgjedhje politike.