Dy dhurata qeveritare për pronarët e tokave

813
Peshqesh nga Kryeministri për Vitin e Ri
Ka shumë arsye për të cilat ne pronarët duhet t’ju “falënderojmë” zoti Kryeministër, për kontributin tuaj në “favorin” tonë gjatë pesë viteve të Sulltanatit tuaj. Megjithëse Ju nuk ishit prezent më 20 dhjetor, porosinë tuaj e çoi në vend zëvendësja juaj e denjë, zonja Senida Mesi. Ajo i nxori dy vendimet e Këshillit të Ministrave që priteshin qysh prej prillit 2016, kohë kur doli vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasi gjykoi ligjin 133/2015. Këto vendime erdhën nga qeveria pas 20 muajsh, kohë e nevojshme që i duhej qeverisë për të propaganduar ligjin e saj dhe për të mashtruar pronarët që të shkonin për aplikim, duke e bërë fakt të kryer, pavarësisht nga ndërhyrja që bëri gjykata në ligj. Çdo ditë, disa gazeta e televizione u paguan nga taksat e popullit 20 muaj rresht, për këtë qëllim.

Së fundi, qeveria e “respektoi” edhe gjykatën kushtetuese për ndërhyrjet që ajo bëri. Nxori dy vendime që “rregullojnë” trajtimin e kërkesave të pronarëve dhe procedurat për vlerësimin e pronave. Me këto dy “xhevahire”, qeveria qerasi pronarët për Vitin e Ri duke minimizuar edhe më tej vlerën e pronave, si për inat të Gjykatës Kushtetuese.

Ju “falënderojmë” zoti kryeministër, se të tillë dhuratë për Vitin e Ri nuk na kishte dhënë askush! As Ramiz Alia, as dy “djemtë” e tij të preferuar që i mbante për dore në dy krahët, nuk e çuan ndërmend një dhuratë të tillë për ne. Të tre ata bënë një glasë të madhe – ligjin 7501, i cili sakatoi e shkatërroi këtë popull dhe ekonominë e tij, por ju nuk kishit kontribut në atë vepër, ndaj duhej të bënit edhe ju diçka që të mbahej mend përjetë! Dhe, sapo erdhi dita juaj, pavarësisht se kishit premtuar që ne do t’i gëzonim pronat tona shekullore. Ju ia bëtë “Bam” me ligjin 133/2015, për të cilin ne duhet të gëzohemi, të qeshim e të lumturohemi sepse “menduat” për fundin e halleve tona. Këtë “vepër” që bëtë ju, nuk kishte guxuar ta mendonte asnjë nga paraardhësit tuaj. Ju arritët ta “zgjidhni” duke e prezantuar veten si evropian modern që ndriçohet nga mësimet leniniste.

Vështirë se mund të gjendet një mendje tjetër më diabolike se ajo e këshilltarëve tuaj që ndërtuan këtë ligj apo se mendja juaj që jepni direktiva të tilla. Keni gjetur rrugët më djallëzore për t’i çuar pronarët në burim e që t’ju jepni ujë me sitë. Tani, vërtetë që duhet që quheni specialistë e jo socialistë. Ligji juaj 133 dhe dy dhuratat e fundvitit – vendimet e K.M – ve, të firmosura nga zonja Senida, i ngjajnë një litari të thurur me lesh afrikan që nuk i gjendet kurrë ana për t’u shtjelluar.

Por mos e hiqni mendjen nga këshillat “e mençura” që ju japin, sepse thonë që: “… mënyra më e mirë për t’i çuar drejt greminës njerëzit euforikë, është që t’iu bësh gjithmonë qejfin”. dhe falë këtyre mësimeve, gomones suaj i janë hapur shumë vrima!

Një miku im më sugjeroi t’ju bëja thirrje që të kalonit në krahun e së drejtës, duke menduar se ju po veproni pa dashur apo pa ditur. Ai beson akoma në fjalën e burrave të politikës dhe në drejtësinë njerëzore, të cilën ju e keni përdhosur. Ai nuk bindet, se ju e bëni gjithçka me vetëdije, edhe ‘dhuratat’ e Vitit të Ri për pronarët i bëni me “kënaqësinë” shpirtërore që ju karakterizon. Analiza e ngjarjeve e nxjerr zbuluar të vërtetën.

Ligjin 133 ju e bëtë: 
Jo për të zgjidhur hallet e pronarëve, por për ta mbyllur këtë problem në sytë e botës. 

Jo për të kthyer pronat e shtetëzuara nga regjimi komunist, por për të ligjëruar padrejtësitë dhe vjedhjet. Jo për të kompensuar vlerën e saktë të pronave, por për të hedhur thërrime e për tu tallur me pronarët. 
Për ju nuk është problem të tallesh me popullin tënd, nuk është problem të tallesh me vendimet e gjykatës Kushtetuese e t’i deformosh ato.

Ju nuk e keni problem të shkelni vendimet e gjykatës së Strasburgut, të cilat këdo tjetër (veç jush) i bëjnë të mendohet thellë para se t’i mënjanojnë. Për ju nuk ka asnjë rëndësi respektimi i konventave evropiane për të drejtat e njeriut që parlamenti ynë i ka ratifikuar dhe që prevalojnë mbi çdo ligj tonin. 

-Për ju nuk përbën turp kombëtar, të dërgoni emisarë në gjykatën e Strasburgut ministrat tuaj dhe të injoroni qeverinë e Shqipërisë duke kërkuar transferimin e dosjeve në gjykatat tona. 

-Për ju nuk është turp të mashtroni komisionin e Venecias duke ndryshuar tekstin e ligjit të pronave. Ju nuk e keni problem të shkelni kushtetutën dhe kodin civil duke ngritur komisione shtetërore nën drejtimin e “ushtarit” Alket Hyseni dhe të regjistroni në hipotekë me statusin juridik “SHTET” (pa vendim gjykate) çdo pronë që akoma është në proces njohjeje apo kthimi, megjithëse kjo përbën vepër penale. Dhe të gjitha këto, ju i bëni në emër të popullit (gjoja në interes publik). Sidoqoftë, jeni më modern se diktatura, e cila pushkatonte fshatarët në emër të popullit, për faktin se mendonte ndryshe. Për këtë ju falënderojmë dhe shpresojmë të mos shkoni deri në gjurmët e sirianit Asad.

Sa shumë flitet në emër të popullit! Flet prokurori kur të arreston, por flet edhe polici kur të godet me shkop. Flet gjykatësi kur të dënon, por flet edhe taksidari kur të gjobit. Flet deputeti kur bën ligje, por flet edhe qeveria kur i shkel ligjet. Në emër të popullit flasin të gjithë, por në emër të drejtësisë nuk flet asnjë. Në qoftë se do kish drejtësi, rroga e kryeministrit nuk do të ishte 20 herë më e lartë se mesatarja e punëtorit. Edhe diktatori Hoxha nuk e kish rrogën më shumë se 5 herë mbi atë të punëtorit.

Të gjithë politikanët flasin në emër të këtij populli, por të gjithëve u mungon kuraja të dalin si burra për t’u përballur me të vërtetën, me të drejtën e pronarëve. Nuk mund të fitohet beteja diplomatike për pronat çame kur qeveria shqiptare ka shkatërruar plotësisht të drejtat pronësore të shtetasve të vet. Politikanët tanë pretendojnë të bëjnë diplomaci për interesat tona në përballje me të huajt dhe nga ana tjetër ushqejnë korrupsionin në vendin e tyre duke futur në vëllavrasje shqiptarët e varfër.

Megjithatë zoti kryeministër, sa kohë që politika shqiptare nuk respekton asnjë normë morale, ju jeni në të drejtën tuaj, sepse populli ynë ka një shprehje: “Ku gjen shesh, bën përshesh”.

Po t’u marrësh pronën njerëzve, shumë shpejt i sheh jashtë kufijve duke pastruar haletë e botës, kështu “kazani shfryn” dhe korrupsioni lulëzon. Qeveria numëron votat duke u shkelur syrin gjykatave, të cilat i mbajnë iso këngës labe qeveritare, nën duartrokitjet e pronarëve të rinj brenda llojit. Lum ky popull për këtë filozofi udhëheqëse! Poeti shkruan: “Është koha e maskarenjve”. Ne mburremi me burrërinë dhe trimërinë shqiptare, ndërkohë që burrat e vërtetë të Shqipërisë kanë “vdekur” dhe kanë mbetur vetëm kalamajtë që vadisin hashashin dhe tymosin puro kafeneve, duke derdhur gjakun e njëri – tjetrit. Me burra si ne, sulltanati juaj është i sigurt! 

Zoti Pandeli Bardhi, në shkrimin e tij të freskët na sjell në kujtesë thëniet e gjeniut shqiptar të mendimit Faik Konicës, i cili ka thënë: “Shqiptarët nuk kanë frikë nga plumbi, por dridhen nga Valiu”. Ne udhëhiqemi nga interesa të çastit, të cilat na ulin burrërinë, por jam i sigurt se shpejt do ta kuptojmë se sa shumë po humbasim duke ulur kurrizin. Kur të vijë ajo ditë, politikanëve tanë mashtrues e hajdutë, do t’iu ftohet kurrizi duke ecur rrugës, nga që nuk do ta dinë se kë do të kenë mbrapa.

Kur të vijë ajo kohë, populli do t’ia u kthejë peshqeshet me kënaqësi, pas votimeve apo edhe para Vitit të Ri siç po veproni Ju.

Kjo gjë është e sigurt, sepse “vepra më e madhe” e qeverive 27 vjeçare është varrosja e rreth 9000 burrave për konflikte pronësie.
Për koalicionin e shoqatave të pronarëve,

AXHEM IMERI


Sigal