Durimhumbur, por jo shpresëhumbur

864
Riza HOXHA 
Ndëshkimi i paralajmëruar i rikthimit të vizave nuk ishte i papritur 
Edhe miqtë humbasin një ditë durimin me ne shqiptarët. Kështu ka ndodhur edhe me miqtë tanë holandezë. Kanë humbur durimin me palaçollëqet tona, ndaj janë detyruar të kërkojnë rikthimin e vizave. Ashtu siç po ndodh me gjermanët dhe francezët që po i rikthejnë shqiptarët pa u mërzitur pak nga pak. Dhe ne për të treguar se cilët jemi menjëherë jemi ndarë në dy pjesë: njëra pjesë për të minimizuar, bile për të mohuar vërtetësinë e lajmit, ndërsa pala tjetër me një ndjenjë gëzimi ku duket haptazi ndjenja e saj se, kjo Parti në pushtet nuk meriton të mbetet shumicë. Në themel: të dyja pjesët kanë vetëm një qëllim: të mbrojnë pushtetin e tyre tashmë në kurriz të gjithë shqiptarëve, një pushtet oligarkik e familjar. Ndëshkimi i paralajmëruar i rikthimit të vizave nuk ishte i papritur. Sepse thuajse të gjithë shqiptarët mendjen e kanë për të ikur. Aq sa ua kalojmë edhe vendeve të zhytura në luftë siç është Siria apo Afganistani. Ndodh kështu, sepse në krye kemi një klasë politike që di, se ka vetëm një meritë, ngritjen e një pushteti të çuditshëm familjar që e ngriti thuajse brenda ditës duke vënë në krye të punëve një grup oligarkësh, që në sytë e një populli të shkrirë në varfëri, i ngjan një perandorie milionerësh që mund të krenohet vetëm se ia arriti të mbyllë në sirtar ëndrrat e një populli të lodhur e të sfilitur gjatë një gjysmë shekulli nga një diktaturë që rrallë komb e kishte parë. Gjithçka ndodhi përmes një klase politike krejtësisht të paturpshme për çfarë ka bërë deri tani. Një klasë politike që e di mirë, se shqiptarët ëndërruan gjatë, shumë gjatë të ishin evropianë, jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht. Por edhe në këtë fillim shekulli fatkeqësisht ëndrra e madhe e tyre, ashtu si të gjithë ëndrrat e tjera të tyre ka mbetur ende në sirtar. Tashmë, ne shqiptarëve po na mbushet mendja se do ta kemi mjaft të vështirë t’i realizojmë ëndrrat tona me këtë farë klase politike që kemi. Ndaj vazhdojmë të vrapojnë për të ikur larg vendit amë me të vetmin synim: të paktën t’u japin fëmijëve pak jetë më të mirë, t’u sigurojmë një jetë dinjitoze, të mos mbeten skllevër të një oligarkie e një pushteti krejtësisht familjar që sot ka zaptuar vendin. Kjo farë klase politike na ka bërë t’u besojmë ëndrrave, aq sa mund t’u besohet ëndrrave. Është kjo arsyeja që e ka mjaft të vështirë të kënaqet shqiptari i shkretë, i cili është përmbytur tërësisht nga korrupsioni, tentakulat e të cilit janë shtrirë si një rrjet mbytës kudo, në çdo strukturë shtetërore. Aq sa për ne shqiptarët këtij shteti i themi më thjesht: me nder me thënë shtet!. Sepse sot për çdo lloj shërbimi hallexhinjve u kërkojnë vetëm euro. Qesharake, po ndodh në mjaft raste të mos u pranohet leku. Tashmë dukuri të tilla, bie fjala, në institucionet mjekësore, doganore, tatimore etj… janë krejt të zakonshme. Është e domosdoshme që për të shpëtuar nga pisllëku që na ka mbuluar duhet të kërkojmë pastrim gjeneral të të gjitha institucioneve, duhet të kërkojmë largimin e peshkaqenëve të mëdhenj dhe jo vetëm largimin e cironkave që marrin frymë në qoshet e skajshme të këtij vendi me 28 mijë kilometra katrore. Shumë prej nesh jemi larguar larg këtij vendi prej të tillë peshkaqenëve që prej 27 vitesh e drejtojnë në mënyrën më të paskrupullt këtë vend. Ndërsa këtu kemi mbetur vetëm pak sa, brenda ditës, marrim vesh për lloj lloj poshtërsish që kryhen nga një grup oligark, apo nga familja në pushtet i kryen rëndom mbi kurrizin e fakir fukarenjve shqiptarë, që pavarësisht fluksit të largimit, ende përbëjnë shumicën në këtë Shqipëri që po shkretohet nga dita në ditë. Sepse të gjithë e dimë se pjesëtarë të familjes në pushtet janë jo vetëm deputetët e ministrat, por edhe nëndrejtorët, shefat e sektorëve, teknikët, apo juristët që ende nuk kanë mbaruar shkollën e mesme, ose janë pjesë nga lukunia e plazhistëve të Durrësit që prej 25 vitesh e përçudnuan gjithë sistemin e Drejtësisë. Aq sa Vetingu i ka detyruar disa prej tyre ta braktisin Drejtësinë për t’i shpëtuar dhënies së llogarisë se si mundën të ktheheshin brenda natës në milionerë. (Dhe kjo në këtë Shqipëri është një çudi më vete, ku plaçkaxhinjtë shpëtojnë kaq thjesht vetëm përmes një dorëheqjeje, edhe pse dihet se kanë vjedhur miliona e miliona). Çudia jonë është se besuam se mund t’i zgjidhnim problemet edhe përmes ministrave teknikë, që në të vërtetë vetë nuk e dinin tamam, se pse i kishte sjellë politika në postin e ministrit. Vendosja e ministrave teknikë tregoi realisht, se ne shqiptarët e kemi të vështirë t’u japim zgjidhje problemeve që na lindin në rrugë. Shumica e shqiptarëve sot është e traumatizuar nga çfarë po na bëjnë një grup i vogël oligarkësh, çfarë po na bën familja e pashpirt që qëndron pa luajtur vendit në pushtet prej 27 vitesh, paçka se ndërron emër një herë në 8 vjet, PD, apo PS. Në thelb është e njëjta që po i përçudnon shqiptarët. Aq sa tashmë thuajse u humbi krejtësisht shpresa për një jetë më të mirë në vendin e të parëve, prandaj dhe vazhdojnë t’u japin këmbëve për të ikur. Dhe janë ndër të parët që duan të ikin nga vendi amë. Bile po ua kalojnë edhe atyre vendeve ku mbizotëruese janë luftërat e paprera. Largohemi, pa humbur të gjithë shpresën. Ndaj dhe rikthehemi. Nga malli dhe nga shpresa e ardhjes së ndryshimit. Ndodh kështu se, i kemi lënë mënjanë ëndrrat që nuk na japin gjë, nuk na japin bukën e fëmijëve. Po sado pak ende kemi shpresën te ndryshimi. Edhe pse ende në këtë vend punësohen vetëm ata që janë pjesëtarë të familjes në pushtet. Ndërsa pseudo konkurset, organizohen vetëm sa për të lehtësuar punësimin e shpejtë të anëtarëve të familjes dhe për t’i hedhur hi syve pjesës tjetër. Ne të tjerëve na kërkohet vetëm t’i shërbejmë kokulur kësaj me nder klase politike, që gjithë pushtetin ia ka lënë në dorë lloj lloj anëtarëve të saj të pamoral. Në Shqipëri pabarazia ka marrë përmasa të frikshme. Thuajse e gjithë pasuria shkon në duart e një grupi oligarkësh. Dhe ende asgjë nuk bëhet për një ndarje më të drejtë të pasurisë kombëtare. Ndaj shumica vetëm shkon me ritme galopante drejt një varfërimi ekstrem. Në këtë vend me pasuri të mëdha mbi e nëntokësore që radhë tjetër vend i ka, është e çuditshme se si numri i të varfërve rritet me ritme galopante, aq sa shtresa e mesme thuajse ka humbur në rrjetën e rritur të të varfërve. Çudia është se, heshtet për këtë dukuri që nuk ndodh kund tjetër. Heshtet, edhe pse ashiqare të gjitha zyrat shtetërore janë zaptuar nga pjesëtarët e familjes, ndërsa ne të tjerët i paguajmë me taksat tona pa kryer asnjë lloj pune. Kjo klasë politike së fundmi duhet t’i japë një përgjigje pyetjes: Pse të gjithë ne shqiptarët kërkojmë të ikim nga ky vend, që e vlerësojmë si “vend i nëmur”? Kemi humbur gjithë durimin, por ende nuk kemi humbur gjithë shpresën. Sepse ne që ende kemi mbetur këtu, presim fillimin e kthesës së madhe. Që rrezet e diellit të nisin të flakërojnë mbi këtë Shqipëri duke përvëluar grupin e oligarkëve dhe pushtetin e familjes që i kanë mbushur radhët e tyre me lloj-lloj harramsëzësh. Ndaj prej tyre nuk kemi pritur dhe as mund të presim ndonjë të mirë. Ata vetëm t’i flakim tej e të shpëtojmë prej tyre. Janë ata që kanë instaluar në këtë Shqipëri një demokraci qesharake, apo gjysmë demokraci. Po kur do të mund ta sjellim demokracinë që e ëndërrojmë të gjithë në këtë Shqipërinë tonë ? Ndoshta do të duhet edhe shumë kohë. Të paktën shpresa të mos na humbë !
Sigal