Dr. Gëzim Tushi: Fëmijët, pedofilët dhe grisja e “perdes së heshtjes”…

121
Sigal

T’i mbrojmë me çdo kusht fëmijët nga kriminelët pedofilë…

Padyshim, në kuadrin e përgjithshëm të liberalizimit të seksualitetit dhe tronditjeve të brendshme morale që ka pësuar sistemi i jetës seksuale, janë shfaqur natyrshëm edhe format perverse e kriminale të seksualitetit. Të cilat nuk janë thjesht problem i sjelljes individuale por, në rradhë të parë dukuri patologjike që kanë prekur “trupin e shoqërisë” tonë. Sidomos ngacmimet e formave të ndryshme dhe aktet seksuale që cënojnë rëndë trupin, shëndetin mendor, seksualitetin dhe personalitetin e fëmijëve tanë. Kohët e fundit janë ekzagjeruar, madje banalizuar shumë shfaqje banale të pedofilisë, janë shtuar këta manjakët dhe “gjahtarët” e seksit minor, të cilët përbëjnë një nga kategoritë më agresive të kriminalitetit social. Lufta kundër tyre dhe beteja për t’i mbrojtur fëmijët tanë nga pedofilia, kërkon koncepte të qarta, politika shtetërore, veprime e instrumente juridike e policore, proces të vërtetë e të zgjeruar të edukimit në familje, përgatitje kulturore e profesionale të mësuesve në shkollë për të konsoliduar kulturën e seksualitetit tek nxënësit, intensitet të demaskimit publik e mediatik. Para se të ndërtohet strategjia e mbrojtjes së fëmijëve nga fenomeni pedofilisë dhe kriminelët seksualë, është e udhës që prindërit, mësuesit por dhe vetë fëmijët të dinë se çfarë është, si shfaqet dhe cilat janë format e ngacmimit seksual pedofilik. Ka shumë përkufizime akademike, morale e social psikologjike. Por besoj se fare thjeshtë ngacmimi seksual i fëmijëve, shfaqet kur njeriu i kushton fëmijës vëmendje kundër dëshirës së tij, kur tenton përmes propozimit gojor apo kontaktit fizik të krijojë lidhje të padëshiruara, të dyshimta me fëmijën, futja e dorës apo prekja e flokëve, fjalë për perfomancën trupore, tregim të fotove pornografike, etj. Në shoqërinë tone, por dhe në trajtesat publike, ndihet një qëndrim i diferencuar, i gabuar, me pasoja. Në shumë raste ne kemi sensibilitet më të madh, social, mediatik, policor dhe penal kur përdhunimi fëmijës është i realizuar me penetrim seksual. Më pak shqetësohemi (këtu është gabimi) kur është fjala për format e shumta të ngacmimit seksual. Dhe më tej, akoma kemi diskordanca midis realitetit të ngacmimit seksual të fëmijëve, dhe nivelit të raportimit të këtij realiteti. Kjo bën që ngacmimi seksual apo përdhunimi fëmijës, konsiderohet krim vetëm nëse është i raportuar.

Po a dimë ne sa janë rastet që mbulohen me heshtje, nuk raportohen për arsye nga më të ndryshmet?

Megjithatë përtej përkufizimeve teorike është kërkesë e dorës së parë që të mësojmë dhe ndërgjegjësojmë fëmijët të reagojnë, sapo përballen me një nga format e sjelljes seksuale të dyshimtë. Biseda me prindërit apo mësuesin, njoftimi policisë është gjëja e parë që duhet menduar. Por kjo kërkon një punë paraprake prindërore dhe edukativo-mësimore, në mënyrë që fëmijët të dinë përmbajtjen e realitetit të ngacmimit seksual. Sidomos kur kjo vjen nga njerëz që abuzojnë me pushtetin që kanë mbi fëmijët, apo për shkak të diferencës moshore me ta. Por edhe në familje dhe shkollë, si dhe në të gjitha format e lidhjeve me fëmijët është e domosdoshme të reflektojmë, duke shmangur format e vjetra të kontaktit apo ngacmimit fizik të fëmijëve. Kjo është një kulturë e vjetër, e deformuar dhe e papranueshme nga koha. Puthja, prekja me nuancë seksuale, fërkimi pas trupit të fëmijës, etj. Është e udhës që t’i mësojmë fëmijët të mos e pranojnë këtë lloj sjelljeje kudo në shtëpi, në shkollë, në ashensor, kudo qoftë. Me shumë rëndësi është krijimi tek fëmijët i kulturës mbrojtëse ndaj ngacmimeve jofizike të pedofilëve, që kanë të bëjnë me kërkesa kriminale për lidhje e marrëdhënie seksuale, realizimi i komunikimeve përmes telefonatave të padëshiruara, përdorimi fjalëve të pista, vështrimet plot epsh seksual, etj. Atyre duhet t’u mësojmë dëmet që pësojnë nga mesazhet klandestine pornografike, dhënia apo ofrimi fotografive, revistave, videove apo shënimeve me kuptim të ndyrë seksual që u jepen fëmijëve në internet, apo në bankën apo oborin e shkollës. Koha po vërteton se pedofilët janë “gjahtarë” të rafinuar të kërkesës dhe sulmit ndaj situatave të paqarta të “sekualitetit minor”. Për fat të keq raste të pedofilisë apo ngacmimit sekual të fëmijëve kemi patur edhe në shkolla, në marrëdhëniet mësues-nxënës. Nuk kanë munguar rastet edhe të ndodhin nga sjellja pedofilike e “njerëzve të besuar”, sikurse kanë qënë rastet e ngacmimeve nga njerku, edukatori apo kujdestari i paguar nga familja për të ofruar shërbimin e kujdestarisë. Në këto rrethana është detyrë e dorës së parë të evidentojmë dikotominë e përgjëgjësive për pasojat, nga mungesa e njohurive dhe përdorimit të “instrumenteve” mbrojtës ndaj stratagjemave pedofilike.

Kjo kërkon formimin tek fëmijët të “digës kulturore” mbrojtëse dhe aftësisë diagnostikuese për rrezikun që vjen nga pedofilët. Por kjo është njëra anë e problemit, e cila duhet bashkuar me aftësinë dhe guximin e personalizuar të fëmijës, për të bërë të vetën, reaguese “kulturën e denoncimit”. Sepse pedofilët janë shënjestrues, që me konsistencë përpiqen të “turbullojnë” mishin dhe seksualitetin e fëmijës. Ata janë abuzues që nuk tentojnë dhe përpiqen vetëm një herë. Përkundrazi, është në strategjinë e tyre kriminale këmbëngulja për të arritur me çdo kusht qëllimin e tyre. Prandaj duhet t’i mësojmë fëmijët të qëndrojnë sa më larg, të mos u japin adresën e banimit, numurin e celularit apo hollësi të tjera identifikuese. Duhet mbajtur parasysh fakti që statistikat tregojnë se pedofilët jo vetëm janë shtuar në sasi, por janë bërë më të rafinuar. Ata janë të gjithë moshave. Kjo e bën imperative detyrën e familjes dhe shkollës, mësuesit dhe prindërit që fëmijëve t’u flitet hapur për manjakët e seksit, tiparet e dukshme dhe të fshehta të sjelljes së tyre. Ky është kushti për formimin së pari të njohurive të domosdoshme, si bazë për kulturën e seksualitetit minor (në përputhje me moshën), por dhe skalitjen e nevojshme të një lloj “vigjilence morale”, si “gur themeli” për të mbajtur në gatishmëri “digën e brendshme mbrojtëse” tek çdo fëmijë apo adoleshent qoftë. Ndërkaq beteja kundër pedofilisë do jetë e mangët, madje do jetë një “betejë sociale e pafituar”, pa kombinuar në strukturë kompakte të gjithë aktorët dhe faktorët që kanë role, detyra, përgjegjësi në këtë luftë vendimtare për të mbrojtur fëmijët tanë. Në këtë strukturë peshën e përgjëgjësive e kanë së pari dy institucionet bazë të autoritetit social, sikurse janë familja dhe shkolla dhe dy figurat përgjegjëse, sikurse janë prindi në familje dhe mësuesi në shkollë. Por në këtë “industri të mbrojtjes” së shëndetit dhe seksualitetit të fëmijëve, kanë role e detyra specifike psikologët, punonjësit social në shkolla. Detyra e të cilëve është diagnostikimi paraprak, marrja e masave për parandalimin e abuzimit me fëmijët. Po ashtu edhe figurat profesionale të shëndetit publik sikurse është mjeku pediatër, psikiatri, infermieri social. Doemos me shumë rëndësi është roli i forcave të rendit dhe institucioneve të drejtësisë. Sidomos i gjykatës së minorenëve, fleksibiliteti dhe operativiteti i të cilit duhet të jetë më adekuat dhe dinamik. Ka një mekanizëm të njohur të mbrojtjes së fëmijëve nga pedofilët, ose sikurse njihet “Prorgami i katër T-ve”. Kjo do të thotë që fëmijët të jenë të aftë të njohin rrezikun dhe personin e rrezikshëm, t’i bëjnë qëndresë ofrimit të premtimeve dhe presionit, të njoftojnë menjëherë prindin, mësuesin, psikologun e shkollës për ngjarjen, duke siguruar kështu integritetin e vetes. Një gjë duhet kuptuar qartë nga prindërit, mësuesit, këshilluesit apo ata që luajnë role të kujdestarit të fëmijëve dhe adoleshentëve. Është moment krucial dhe vendimtar, kur fëmijët e abuzuar të ndodhur në këtë situatë të komplikuar fizike, shpirtërore e psikologjiko-emocionale kanë nevojë. Për ndihmë empatike, ngrohtësi sociale dhe shërbime të specializuara. Prindi dhe mësuesi kanë mundësitë, mjetet e duhura të ndikimit edukativ mbi fëmijët, mënyrat për të zbuluar tek ata “pikat e dobta” të moshës, formimit dhe edukimit. Kjo është detyra parimore për të rritur dhe formuar fëmijë, adoleshentë dhe të rinj të përgjithshëm për veten e tyre. Koha kërkon dhe rreziqet e shtuara për seksualitetin e fëmijëve kërkojnë forcim të integruar të ndikimit kulturor dhe edukativ nga “trekëndëshi ekzistencialisht” më i sigurti, që duhet të krijojë një strukturë e lidhje kompakte midis familjes, shkollës dhe medias.

 

Gëzim Tushi sociolog

Mjeshtër i Madh

Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut