– Politika jonë është vendimet e vendimeve të vendimeve, dëmet e dëmeve të dëmeve, drejtësia e drejtësisë së munguar, e mira e së mirës që nuk u arrit.
-Politika jonë duket si gjellë e plotë, me përbërësit e saj kryesorë, partitë e mëdha, që zënë pjesën më të madhe të kazanit me erëzat, partitë e vogla, që “i japin shijen dhe aromën”.
Politika e sotme është kthyer në një koncept mjaft të gjerë dhe shumë kompleks, që tashmë i janë atribuar shumë përkufizime dhe interpretime, por që në fund të fundit në thelb mund të thuhet se ajo, politika pra, ka të bëjë dhe lidhet kryesisht me marrjen e vendimeve kolektive, shpërndarjen e pushtetit dhe menaxhimin e çështjeve publike.
Disa nga aspektet kryesore që e përkufizojnë politikën janë: Menaxhimi i shoqërisë: Politika është procesi perms, të cilit grupet e njerëzve organizohen për të marrë vendime që ndikojnë në të gjithë komunitetin dhe kjo përfshin vendosjen e rregullave, ligjeve, dhe drejtimin e çështjeve që prekin kryesisht jetën e përbashkët të individëve në komunitete. Pushteti dhe autoriteti: Një nga elementet thelbësore të politikës është lufta për pushtet dhe ndikim, ose thënë ndryshe përdorimi i autoritetit për të arritur qëllime të caktuara, sepse në fund të fundit kush bën politikë, synon të marrë ose të ndikojë në shpërndarjen e pushtetit. Zgjidhja e problemeve: Politika shpesh shikohet edhe si proces i nevojshëm dhe i domosdoshëm për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë dhe kjo me anë të vendimeve që janë të detyrueshme për të gjithë. Në këtë proces vendim marrës përfshihen hartimi i programeve, zbatimi i tyre dhe ndryshimi i vendimeve ekzistuese. Marrëdhënie njerëzore: sipas gjuhëtarëve, termi “politikë” do të thotë qytet apo bashkësi, dhe “politikos”, koncepti për atë apo diçka që lidhet me qytetarët, duke na bërë të mendojmë se politika është thellësisht e lidhur me marrëdhëniet midis njerëzve, grupeve, dhe komuniteteve, por në fund të fundit, politika është ose duhet të jetë një “marrje dhe dhënie”, ku palët kërkojnë të përfitojnë nga bashkëpunimi, për të cilin ndërtojnë marrëdhënie sipas interesave. Arti i kompromiseve: Shpeshherë, politika përkufizohet si “arti i kompromiseve” dhe kjo bën që ne të theksojmë në këtë aspekt edhe nevojën për negociata dhe gjetjen e një pike të përbashkët midis interesave të ndryshme, në mënyrë që të arrihen vendime të cilat të jenë mëse të pranueshme nga shumica.

Qëllimi i së mirës së përbashkët: Në një kuptim ideal, politika synon arritjen e “të mirës së përbashkët” për të gjithë anëtarët e shoqërisë, duke promovuar drejtësinë, mirëqenien dhe zhvillimin. Megjithatë, ky koncept mund të interpretohet ndryshe nga palë të ndryshme dhe për këtë kemi arritur në përfundimin se një politikë e mirë që është edhe ajo që me vendimet që merr të bëjë mirë, qoftë edhe për disa (kur nuk mund të bëjë mirë për të tërë), duke mos dëmtuar të tjerët që nuk përfitojnë nga këto vendime, me kusht që më pas për këta që nuk përfitojnë të ketë më pas vendime të tjera të mira, që nuk dëmtojnë ata që përfituan më parë nga vendimet e mëparshme. Hej, e patë pra se si u komplikua? Vendimet e vendimeve të vendimeve, dëmet e dëmeve të dëmeve. Drejtësia e drejtësisë së munguar. E mira e së mirës që nuk u arrit, pasi e keqja që u arrit nuk solli të mira, por na solli të këqia që na detyrojnë që të bëjmë të mira me anë të të cilave të mos bëjmë të këqija të tjera, që na detyrojnë të bëjmë të mira të tjera, me anë të të cilave të mos bëjmë të këqija të tjera, e kështu në pafundësi.
Në thelb, pra, politika qenka ajo që bën një shoqëri për të administruar veten, për të menaxhuar konfliktet, dhe për të lëvizur drejt qëllimeve të përbashkëta. Po ec e gjeji qëllimet e përbashkëta, aq më shumë në aspektin praktik, sipas të cilit politika ka të bëjë me (1) sistemet politike (format e qeverisjes), (2) politikat publike dhe (3) ideologjitë. Në lidhje me politikat publike mund të themi se janë veprimet dhe vendimet specifike që qeveritë marrin për të adresuar çështje të caktuara shoqërore, ekonomike ose mjedisore, kategoria më kryesore është:
Liberalizmi: Thekson liritë individuale, të drejtat, dhe qeverisjen e kufizuar.
Këto variante të (1) sistemeve politike (formave të qeverisjes), (2) politikave publike dhe (3) ideologjive shpesh ndërthuren dhe ndikojnë njëra-tjetrën, duke krijuar një peizazh kompleks politik në çdo shtet dhe ne, të tërë qytetarët e kësaj bote, pavarësisht se në cilin shtet jetojmë, presim që politika, si kombinim i këtyre tre domeneve, të jetë një pjatë me pamje klasiko moderne, rrethuar me vijaska rrethore liberalo – konsevatore, mbushur me një simfoni shijesh dhe aromash, gatuar me kujdesin e një shefi kuzhine, që e zgjedhim në fushata elektorale me idenë se ai/ajo është shefi me yje Michelin mbi shpatulla, është shefi që drejton shtetin, shefi që e kemi zgjedhur që të manaxhojë burimet njerëzore, financiare dhe natyrore në të mirën e shoqërisë, që së bashku me kabinetin e tij/saj dhe shtetarët e tjerë të bëjnë përpjekjet maksimale për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Por, ç’farë gjejmë në këtë pjatë? Në vend të një feste madhështore shijesh, ne arrijmë të shohim një gjellë të zakonshme më një kazan, rreth të cilit vërtiten sa më shumë të jetë e mundur individë me gavetë në dorë e me garuzhde në duar. Po, po, rreth këtij kazani këta synojnë të marrin një gjellë, të cilën nëse e provojmë ta shijojmë del se nuk është një gjellë ç’farëdo. Jo. Kurrën e kurrës. Ajo që në fakt prisnim të ishte një pjatë me një gatim të rafinuar klasiko-modern liberal-konservator, qenka gjellë lëtyrë pa kripë, me të cilën mbushin garuzhdet e gavetat ata që rrinë përreth kazanit e mezi presin që gjella e tij të gatuhet nga kryeguzhineri, që mesa duket, jo vetëm që nuk ka asnjë yll Michelin, por që nuk ka asnjë njohuri se si gatuhet, si shtrohet baza e gjellës, cil është radha e hedhjes së përbërësve në kazan e cila është temperatura e fillimit të gatimit, e vazhdimit të tij dhe ajo e mbylljes së procesit të gatimit të gjellës që presim ne, qytetarët e kësaj bote të çmendur zhytur në kaos dhe anarki, nga ca palo guzhinierë që u ka rënë bingo të mbajnë veshjen e kapelen e guzhinierit. Gjella e kazanit edhe pse mund të ketë copa mishi, peshk, shpendë, e perime e erëza të shtrenjta, nuk ka atë që është elementare. Nuk paska kripë. Po aspak. Aspak. Fare, fare, fare. Është një gjellë pa kripë, e shpifur, katran me bojë, dhe si e tillë, edhe pse me mish apo peshk, apo shpendë, në fund të fundit edhe pse me pamje madhështore nuk mund të kapërdihet, sepse i mungon ajo, kripa, i mungojnë disa gram të një elementi cilësor që edhe pse në sasi shumë të vogël, bën që gjella të kapërdihet ose jo. Të shijohet ose jo. Të të pëlqejë ose jo. T’a rekomandosh te të tjerët, ose jo. T’ja japësh fëmijës, ose jo. Politika jonë është kthyer në një gjellë pa kripë. Nga pamja, edhe pse nuk është simfoni ngjyrash dhe nga ndjesia nuk është simfoni aromash, të duket si gjellë. Duket si gjellë e plotë, me përbërësit e saj kryesorë, partitë e mëdha, që zënë pjesën më të madhe të kazanit dhe pastaj vijnë edhe erëzat, partitë e vogla, që supozohet se janë ato që i japin shijen dhe aromën. Por, çuditërisht, si në rastin kur në kazan janë vetëm partitë e mëdha, edhe në rastet kur në kazan ka ca parti të vogla, shija nuk ndihet gjëkundi, aq sa të vjen të mendosh se sa më shumë erëza shtohen, aq më shumë humbet shija. Është sikur gjellës t’i hedhësh shumë e shumë piper të kuq, piper të zi, shafran, xhenxhefil, e erëza të tjera, që formojnë një kakofoni shijesh që në fund të fundit të përzjejnë barkun, aq më tepër kur gjella nuk ka kripë.

Duket se edhe ankesat te guzhinierët, nuk sjellin ndonjë zgjidhje për të qenë. Mbase duhet t’i themi kuzhinierëve tanë: Më pak erëza ekzotike dhe më shumë kripë, vendi dhe jo importi! Por, kush janë këta kuzhinierë, vallë? Ca shefa me diploma të dyshimta, që në vend të kripës, na hedhin premtime boshe, sherre pa kuptim dhe retorikë bajate. E thua me vete, A nuk e kuptojnë këta guzhinierët e mëdhenj dhe të famshëm që kripa është thelbësore? A s’e provojnë fare gjellën para se të na e servirin? Dhe pikërisht këtu ngec gjithçka: kripa. Cila është kripa në këtë gjellë politike? A është ndërgjegjshmëria qytetare, integriteti, përgjegjshmëria, apo ndoshta aftësia për të dëgjuar zërin e popullit? Dhe kush duhet ta hedhë atë? A është detyra e qytetarëve të insistojnë për kripën, duke kërkuar llogaridhënie dhe duke ndëshkuar ata që servirin gjellë pa shije? Apo duhet të jetë udhëheqja politike ajo që, e ndërgjegjshme për rolin e saj, të kuptojë se pa kripë, gjella s’hahet? Po roli i qytetarisë, popullit? Ah, qytetari, populli, që është ai që ulet në tryezë, me lugë, pirun e thikë në dorë, gati për të shijuar. Por sa herë, pas kafshatës së parë, shikon pjatën me neveri dhe shikon e dëgjon nga ekrani i televizorit justifikimet e kuzhinierëve: “Kripa ka qenë aty, po ka avulluar!, Kripa është e shtrenjtë, duhet të kursejmë!, Kripa jonë që e kemi hedhur në gjellën që hani ju është kripa më e mirë në botë, por, fatkeqësisht jeni ju që nuk e dalloni apo kuptoni shijen!” Dhe ne, me sytë zgurdulluar, mundohemi të gjejmë gjurmë kripe, ndërkohë që stomaku na zbrazet dhe shpirti na ngopet me zhgënjim. Ironia më e thellë qëndron te fakti se në përgjithësi këto kohët e fundit të gjithë ne e dimë që gjella është pa kripë.





















