Ëngjëll Musai: Shteti prej rëre i AKSHI-t dhe e keqja që e kemi ngritur në moral

187
Sigal

Engjëll Musai,
Drejtor i gazetës ‘Telegraf’

Autokracia abuzive me vendimarrjen e centralizuar, nuk mund të mbulohet me makinerinë e shpëlarë të propagandës, por me rezultatet konkrete të një qeverisjeje. Ndoshta realiteti mund të mos jetë ai që dëshirojnë qytetarët, por ne nuk mund të vazhdojmë të ushqehemi me lugën bosh, që po varfëron shqiptarët çka i ka detyruar ata të marrin masivisht  rrugët e kurbetit. Administrimi i një shteti ka nevojë për individë të përgjegjshëm dhe racional në mendimet e tyre. Por kjo qeverisje po drejtohet nga njerëz emocional, dhe realiteti nuk të lë më vend për komente, ndaj edhe shqiptarët e refuzojnë këtë qeverisje me protesta, por më shumë se protestat me largimet masive. Ka kohë që hakerat Iranianw së bashku me terrorizmin kibernetik botëror po publikon të dhëna mbi organizimin e shtetit shqiptar. Ai ka hyrë thellë në strukturën e shtetit, superstrukturën dhe të dhënat personale të individëve, kompanive, bizneseve, shërbimeve sekrete, të policisë dhe jetës së përditshme, me zë, me figurë dhe dokumenta. Janë pikërisht këto të dhëna, të cilat shqiptarët me taksat e tyre ja besuan t’i ruante “shtet-mavria”, që sundon shqiptarët. Kryeministri Rama deklaroi se asnjë e dhënë sensitive nuk është marrë!! Se nuk është depërtuar në materiale, që përbëjnë sekret shtetëror dhe që kanë rëndësi për sigurinë kombëtare! Por faktet treguan se shteti është shpartalluar, dhe se propaganda ka prodhuar një “kala rëre”, prej atyre, që pasi morën taksat e qytetarëve, i varën mëçitë ujqërve në qafë, me mbi 220 miliardë lekë për sigurinë kibernetike. Askush nuk i ka thërritur këta pazarxhinj tenderash, që vazhdojnë të lundrojnë në miliona, ndërkohë që të dhënat e shqiptarëve duhen ribërë nga e para: madje edhe pasaportat, kartat e identitetit, dokumentat personale, regjistri i gjëndjes civile, agjentët e policisë, SHISH, bashkëpunëtorët e tyre, targat, telefonat, dosjet tatimore, hipotekat, tapitë, diplomat e shkollave dhe gjithçka ekziston në këtë shtet – me kuç dhe me maç. Dhe kur shikon që një figurante, drejtoreshë e AKSHI-t në vend të shkojë në burg emërohet dhe paguhet me miliona edhe si anëtare e bordit të Albkontroll, tregon se e keqja, që kemi ngritur në fasadën e shtetit prej rëre nga amoralët është kthyer në moral.