Dr. Emilio Çika: (Multi) Polariteti dhe Rendi i Ri Botëror

 Nga Dr. Emilio Çika                                                                                                        Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

Samiti i fundit i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, si edhe parada ushtarake e Pekinit me rastin e 80 vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore nxorrën në pah dinamikat e reja të rendit ndërkombëtar, ku multipolariteti po shfaqet gjithnjë e më shumë si realitet dhe jo vetëm si koncept i mundshëm teorik.

Sigal

Pak histori rreth polaritetit në arenën ndërkombëtare.                                               Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare, para dhe pas krijimit të shteteve kombe, na ka treguar forma të ndryshme të organizmit ndërkombëtar me shembuj të larmishëm. Me fjatë të thjeshta, mund të themi se multipolariteti i referohet një sistemi ndërkombëtar ku disa shtete kanë ndikim të madh dhe asnjë nuk arrin të dominojë plotësisht. Ky koncept është i kundërt me unipolaritetin, ku një fuqi e vetme udhëheq, dhe bipolaritetin, ku dy fuqi kryesore dominojnë.

Mutipolariteti evropian, që ka qënë dhe qendra e zhvillimeve kryesore ndërkombëtare, është shprehur si para ashtu edhe pas Paqes së Vestfalisë (1648). Para Luftës Tridhjetëvjeçare (1618-1648), Europa bazohej mbi një rend multipolar, ku dominuese ishin fuqi të rëndësishme si Spanja, Franca, Anglia dhe Perandoria e Shenjtë Romake. Karakyeristikë e kësaj periudhe ishin konfliktet fetare mes katolikëve dhe protestantëve, të cilat çuan në luftë, por me Paqen e Vestfalisë u konsolidua parimi i sovranitetit shtetëror, duke forcuar politikën e ekuilibrit të fuqive. Kongresi i Vjenës (1815) ishte ai që rivendosi balancën e fuqive. Nga ky proces doli i ashtuquajturi “Koncert i Europës”, ku pesë fuqitë kryesore – Austria, Prusia, Rusia, Britania dhe Franca – bashkëpunuan për të ruajtur stabilitetin. Gjatë kësaj periudhe, ky sistem multipolar, edhe pse i brishtë, solli një periudhë relative paqeje. Rilindja e nacionalizmit, si dhe bashkimi i Gjermanisë dhe Italisë, ndryshuan ndjeshëm ekuilibrat. Deri në fillim të Luftës së Parë Botërore (1914), Europa mbeti multipolare, por rivalitetet mes fuqive të mëdha (Britania, Franca, Gjermania, Rusia, Austro-Hungaria) e çuan sistemin drejt kolapsit.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore ishte ai që solli ndryshime drastike në formatimin e arkitekturës ndërkombëtare, pasojat e së cilës i ndjejmë edhe sot. Rritja e polaritetit dhe vecanërisht e bi-polaritetit ishin kryefjala e formatimin ndërkombëtar gjatë Luftës së Ftohtë, ku SHBA dhe Bashkimi Sovjetik kryesonin kampet respektive të cilat kishin synim dominimin global. Karakteristika kryesore e bi-polaritetit është ekzistenca e dy super fuqive të cilat përpiqen që të dominojnë sistemin ndërkombëtar. Një karakteristikë e dytë është që kapacitetet e tyre ushtarake, ekonomike, teknologjike, industriale, nukleare, me pak fjalë fuqia e tyre është mbizotruese kundrejt fuqive të tjera. Akoma më tej, kapacitetet e tyre ushtarake janë në gjendje të zhvendosen në të gjitha rajonet e globit, duke mos qënë të kufizuara kundrejt rajoneve gjeografike, dhe kanë si objektiv izolimin e fuqive të tjera. Edhe pse gjatë viteve 60-70të të shek të 20të, pati disa përpjekje për shkëputjen nga ndikimi e dy super fuqive si psh, zhvillimet në vendet e Evropës Lindore, përpjekja e Francës gjatë pushtetit të De Gaulle për t’u shfaqur si fuqi e mëvetme, rritja e Kinës në Azi, krijimi i Vendeve të Pavarura apo G77 si kundërpeshë kundrejt bi-polaritetit, nuk arritën të theyjnë dominimin global të dy kampeve ekzistuese. Ishte fundi i viteve 80të dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik që solli thyerjen e sistemit ndërkombëtar të deri atëhershëm. Rusia si trashëguese e Bashkimit Sovjetik nuk mundej të dominonte, por as edhe vendet evropiane nuk mund të krijonin një pol kundrejt fuqisë së Shteteve të Bashkuara. SHBA-të edhe nëpërmjet dominancës brenda NATO-s ishin ato të cilat do të shndërroheshin në super fuqinë e vetme, duke hyrë në periudhën e unipolaritet global. Për rreth 35 vite SHBA-të qëndojnë të vetme në rolin e drejtimit të sistemit ndërkombëtar, duke ndikuar dhe diktuar zhvillimet ndërkombëtare, politike, ekonomike, tregëtare. Sigurisht që një sërë shtetesh aleate të cilat ndajnë të njëjtat vlera morale, politike, kulturore, të këndvështrimit se si shohin zhvillimet globale, kanë shoqëruar dhe shoqërojnë SHBA-të gjatë dominacës së tyre ndërkombëtare.

A po shkojmë drejt një rendi të ri botëror?

Nga theksimi i partneriteteve alternative deri te sfidimi i dominimit të fuqive tradicionale, diskutimet në Kinë treguan se bota po tenton të largohet gradualisht nga një strukturë unipolare. Në këtë sfond, Pekini projektoi veten si promotor i një bote me qendra të shumta fuqie, ku balanca gjeopolitike po riformëson marrëdhëniet ndërkombëtare.

Tendencat për thyerjen e unipolaritetit amerikan janë shfaqur në rritje nga fuqi rajonale si Federata Ruse apo Republika Popullore e Kinës, të cilat herë pas here kanë prezantuar idetë e tyre për një botë multipolare. Qëndimet e Presidentit kinez Xi Jinping për një rend të ri botëror nuk ishin rrufe në qiell të pastërt. Që nga konsolidimi i lidershipit të Xi Jinping në krye të Partisë Komuniste të Kinës, politika e jashtme e vendit u riformatua, e karakterizuar nga transformime të thella konceptuale dhe praktike. Ambiciet strategjike të Kinës nuk kufizohen më në nivel rajonal – siç ishte rasti me synimin për dominim në hapësirën e Azisë-Paqësore apo në rajonin e Azisë Qëndrore – dhe as në fusha të caktuara politike, si teknologjia apo tregëtia. Përkundrazi, Kina, ka rikonceptuar nocionin e hapësirës së saj strategjike duke u zgjeruar progresivisht drejt një pranie të gjithanshme të politikës botërore. Nëpërmjet iniciativave si “Një brez një Rrugë”, ka shtrirë ndikimin e saj duke financuar programe dhe projekte në rajone larg zonës së saj direkte të influencës. Janë mbi 130 vende në mbarë botën, të cilat janë pjesë e kësaj iniciative. Në këtë kuadër, thelbi i vizionit kinez nuk është përshtatja e saj me rendin ekzistues ndërkombëtar, por transformimi gradual i botës në një drejtim më të përputhshëm me modelet, idetë dhe normat kineze. Ky proces tenton të ndikojë ndjeshëm në rikonfigurimin e gjeopolitikës dhe të strukturës së politikës globale, duke synuar në formësimin e një rendi të ri ndërkombëtar ku elementët kinezë do të zënë një vend qëndror.

Samiti i fundit i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) nëpërmjet vendeve pjesmarrëse, dukshëm dha mesazhet e një bote që po ndryshon. Nëse do shohim konfigurimin e kësaj organizate do shohim se përfaqëson rreth 3.4 miliardë njerëz dhe rreth 24% të GDP-së globale. Do tentoja të thoja se ajo se çfarë prodhoi zyrtarisht ky samit, rreth 20 deklarata të përbashkëta dhe marrëveshje në fushat e inteligjencës artificiale, industrisë së gjelbër, dhe tregëtisë ndërkombëtare, nuk ishin ato të cilat kishin rëndësinë parësore e këtij samiti. Prania në të, e mbi 20 prej liderëve të shteteve të rëndësishme si Presidenti Putin, Kryeministri Indian Modi, ai Pakistanez, Presidenti Iranian, Presidenti Turk, etj i dha peshë deklaratave të mëvonshme të Presidenti Xi, për ndërtimin e një rendi të ri botëror.

Por a është e mundur të kemi një rend të ri botëror, multi polar?

Me fillimin e Luftës në Ukrainë, Presidenti Putin shprehu qartë ambiciet e vendit të tij dhe aleatëve për ndryshimin e sistemit ndërkombëtar ekzistues. Aleancat e mëtejshme me Indinë, Kinën, apo edhe më një pjesë të vendeve të Jugut Global që shfaqën ambiciet për një rend të ri botëror formatuan edhe retorikën e tij në vazhdimësi. Organizata si SCO, BRICs, apo edhe organizata të tjera rajonale të sigurisë luajnë një rol suplementar për mbështetjen e iniciativave të tilla. Në këtë kuadër, shihet edhe propozimi i Kinës për reformimin e OKB-së nëpërmjet propozimeve që ka paraqitur me Iniciativën për Qeverisjen Globale, ku edhe pse i qëndron parimeve ndërkombëtare ekzistuese, nga ana tjetër hedh idenë e nevojës për reformim. Por duke patur parasysh strukturën e OKB-së dhe Këshillit të Sigurisë, këto iniciativa shtrihen në thellësi kohore. Por ky rend i ri, a do ishte i realizueshëm në terma real? Kush do mund të ishin fuqitë rajonale të cilat do mund të kapërcenin rolin e tyre periferik dhe të shndërroheshin në pole globale? Përgjigjia e këtyre pyetjeve ka vetëm një përgjigje. Kina është ndoshta i vetmi aktor ndërkombëtar momental që mund të luaj një rol të tillë.

Deri në vitin 2020, me shpërthimin e pandemisë, kryefjala e shprehjes së ndikimit kinez në arenën ndërkombëtare ishte nëpërmjet iniciativës “Një brez një Rrugë”. Kjo iniciativë shtrihej në të gjitha fushat si zhvillimi, energjia, infrastruktura, edukimi, teknologjia etj, dhe në pjesën më të madhe të rajoneve globale. Kjo u shpreh edhe në formën më të lartë multilaterale, duke përfshirë mekanizamt e kësaj iniciative me OKB-në nëpërmjet Agjendës 2030 për Objektivat e Qëndrueshëm. Sipas Nadine Godehardt, janë tre zhvillime të rëndësishme ndërkombëtare që e shtynë udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës të rishikojë qasjen e saj dhe të përqëndrohet në mënyrë më sistematike se kurrë më parë në transformimin e arkitekturës politike ndërkombëtare. Së pari, pandemia e COVID-19 izoloi si shoqërinë kineze, ashtu edhe elitat politike të saj nga Perëndimi, duke krijuar pasoja të qëndrueshme negative mbi zhvillimin ekonomik të vendit. Së dyti, rivaliteti mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës u intensifikua nga administrata e mëparshme emerikane. Së treti, pushtimi rus i Ukrainës ka konfirmuar për Pekinin perceptimin e një mentaliteti gjithnjë e më të ngjashëm me Luftën e Ftohtë në marrëdhëniet ndërkombëtare, të cilin Kina i’a atribuon veçanërisht politikave të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Për këtë arsye, Kina ka zhvilluar tre iniciativa bazuar në trinomin zhvillim, siguri, kulturë. Nëpërmjet Iniciativës për Zhvillim Global, Iniciativës për Siguri Globale dhe Iniciativës Globale për Civilizim, Kina synon të ndërtoj normativat globale sipas vizionit të politikave të saj.

Por, nga ana tjetër, si fuqi e vetme, Kina, do e kishtë të pamundur pa aleanca me aktorë të tjerë si Rusia dhe India. Pikërisht për këtë, prania e Kryeministri Modi, i cili nuk e kishte vizituar Kinën 7 vitet e fundit, i dha samitit një vëmendje të vecantë. Akoma më tej, një alenacë tre palëshe Ruso-Kino-Indiane është akoma edhe më domethënëse, e parë kjo në marrë dhënien që këto vende kanë me Shtetet e Bashkuara, dhe tarifat e vendosura prej saj kundrejt Indisë si pasojë e ndihmës dhe trëgëtisë energjitike që kjo e fundit ka me Rusinë.

Kina me një buxhet vjetor, 3.3 triliardë dollarë per vitin 2025, sa rreth gjysma e buxhetit të SHBA-ve, është shumë larg fuqisë ekonomike apo edhe ushtarake të kësaj të funidt. Respektivisht buxheti për mbrojtjen është rreth 250 miliardë kundrejt 850 miliardë dollarë të SHBA-së. Ashtu si edhe shifrat shprehen, Kina është ende shumë larg kapaciteteve ekonomike dhe ushtarake të SHBA-së. Por qëllimi afat shkurtër i Kinës nuk është dominanca globale, por ajo rajonale. Presidenti kinez po ndërton atë qw është dominanca rajonale, me sferën e saj të ndikimit në Azi, si një bazë për të arritur më pas atë që është hegjemonia globale. Megjithatë, do guxoja të thoja se, përtej një rrethi të kufizuar liderësh autokratë, dinamika që ka mundësuar avancimin e këtij projekti deri më tani lidhet më shumë me pakënaqësinë dhe sfidimin e rendit ndërkombëtar liberal ekzistues, sesa me tërheqjen apo legjitimitetin e një sistemi alternativ të udhëhequr nga Kina. Akoma më tej, duhen patur parasysh ambiciet e mëvetme të Indisë dhe Rusisë për të qenë ato pole dominante në arenën ndërkombëtare.

E ardhmja e një projekti të tillë, besoj thellësisht së do varej më shumë nga vetë roli, këndvështrimi dhe aleancat e SHBA-ve, se sa nga vendet pretendente për ta zëvendësuar në drejtimin e arenës ndërkombëtare. Më shumë se një botë multipolare, e ardhmja mund të jetë e një rendi të ri të shumëfishtë, që do të karakterizohet nga diversiteti kulturor dhe politik, ndërkohë që mbetet i ndërlidhur ekonomikisht, ku sfidat ndaj paqes, sigurisë dhe mirëqenies do të jenë gjithnjë e më shumë me natyrë transnacionale. Ashtu si thotë edhe Stephen McGlinchey, sistemi multipolar nuk e pasqyron plotësisht kompleksitetin më të gjerë të ndërveprimeve që përcaktojnë sistemin global bashkëkohor. Një rend i shumëfishtë që përfshin shumë më tepër sesa thjesht shpërndarjen e pushtetit; ai lidhet gjithashtu me shpërndarjen e ideve, kulturave dhe civilizimeve.