“Vetëm nëse qëndroni besnik ndaj vetes, ndaj vizionit dhe vlerave tuaja, ju mund të ndikoni fuqishëm në jetën moderne ”.
Dr. Eduard A. Skufi/ATHINË
Jeta moderne bashkë me pelerinën që i ka veshur njeriut të sotëm me komoditetin, por dhe me problemet konceptuale dhe karakteriale, ka krijuar premisat e shfaqjes panoramike të disa patologjive apo sindromeve konsekutive (“patologjitë sociale” të trajtuara nga J.J.Rousseau deri tek S.Freud ). Kjo mënyrë jetese “ fluide “ dhe fiktive, ka rritur riskun e problemeve të ndryshme shëndetësore, fizike dhe psikologjike. Përcaktuesit socialë të shëndetit janë faktorët mjekësorë dhe të tjerë, në dukje jo mjekësorë, që ndikojnë në kualitetin shëndetësor. Ato kushtëzohen nga kushtet në të cilat njerëzit jetojnë dhe nga kompleksi i sistemeve dhe forcave fenomenologjike, që ndikojnë direkt apo indirekt në jetën e përditshme. Pseudo komoditeti i imituar, i shoqëruar nga një nivel edukativ i mangët, në një jetë të pasigurtë , me strese të shumëllojëshme, ka krijuar “ mentalitetin e qytetërimit modern “, jo rrallë me rudimente të mentalitetit primitiv, në një simbiozë dismorfike. Gjithashtu, analizat tregojnë se kontributi i elementëve jashtë shëndetësisë mbi rezultatet shëndetësore “tejkalon“, kontributin e sektorit shëndetësor. Mënyra e jetesës ashtu si dhe mënyra e të ushqyerit ( me junk & fast food ), abuzimi në përdorimin e duhanit dhe alkoolit, si “patogenë të lifestyle”, mund të cojnë në një gamë të gjërë problemesh dhe patologjive të ndryshme. Aq më tepër kur ajo shoqërohet me një jetë sedentare , pa ose me aktivitet të reduktuar fizik. Është bërë motiv i kohës, të shikosh armata njerëzish , të “abonuar“ në kafebar, në një rutinë vegjetative, duke preferuar lloje kafesh e pijesh, mes gossipit meskin dhe një humanizmi abstrakt, në imazh sureal. Duke shvlerësuar kohën, por dhe duke vetvrarë intelektin dhe shëndetin. Nuk e kuptoj sa e parëndësishme është për disa, konceptimi i drejtë i raportit të personalizuar, me kohën dhe ambjentin që jeton. Këtu e kanë fillesën neurozat dhe shregullimet neuropsiqike, me apatinë , ndryshimi i prioriteteve, lëvizjet kaotike dhe çorientimi, jo rrallë të shoqëruara me “ amnezi psikogenike “. Atitudi ndaj lifestylit modern “urban”, duhet të kalojë mes një filtri logjik perceptues, për një jetë inteligjente, endoskopike dhe të ekuilibruar , të tipit Epikurian, ku abstenohet nga dëshirat e panevojshme dhe të pavlera. Shumë njerëz neglizhojnë të bëjnë një check-up, por janë të prirur për të kryer operacione të tepërta plastike, (mikroinvazive ose jo, si facelifts) apo dhe procedura “ ripërtëritjeje apo rivitalizimi”, duke tjetërsuar fizinominë dhe identitetin. Jo vetëm por, kur mjaftojnë pak minuta në ekzaminimin oftalmologjik, të testit të sensitivitetit vizual për identifikimin mëse një dekadë më parë, të mundësisë së zhvillimit të Altzheimerit, apo një ekzaminim OCT dhe CCT, për evidentimin në dinamikë të glaukomës , shkalla e rëndësisë është e pakrahasueshme. Mbetet tipar i botës “ moderne “ , vetëm ndryshimi i vitrinës , kur “ infrastruktura personale ” rezulton e varfër. Vec faktorëve biologjikë dhe prirjeve genetike, të rëndësishëm janë dhe faktorët psikologjikë dhe kompleksi i streseve. Shikojme grupe të rinjsh të ngujuar, në “virtualitetin e mikrobotës së tyre”, në ekranin e celularit , kudo ku ndodhen, si skllevër pa zinxhir, apatikë në “izolim social“, të mvarur nga smartphone, jo vetëm nën efektin e informacionit jo kualitativ por vecanërisht në impaktin e rrezatimit elektromagnetik. Pra jeta sot përballet me sfida të reja për shkak të teknologjisë së lartë, të tilla si interneti dhe rrjetet virtuale të komunikimit që kërcënojnë shëndetin fizik dhe mendor, për shkak të keqpërdorimit dhe përdorimit të tepërt. Pasioni frenetik për internetin jo vetëm që krijon pseudoimazhin e “efektit egalitar” social , por reflekton dhe në shëndetin neuropsiqik. Vec asaj dhe kombinimi i teknologjisë në zhvillim me fluksin e informacionit të mediave sociale, po ndryshojnë çdo pjesë të jetës sonë aq shpejt, sa është jo e lehtë për t’u përshtatur dhe shpesh kjo shoqërohet me obsesione dhe të ashtuquajturin “ cyber psychology ”. Kështu fillojnë si pa kuptuar dhe disa sëmundje të syve si myopia, migrena oftalmike, e deri tek glaukoma dhe katarakti. Mbetet pejsazh nostalgjik të shikosh dikë, duke lexuar një libër. Jetesa e pashëndetshme, në një lifestyle vicioz të njerëzve në botën moderne, i ka ekspozuar ata ndaj sëmundjeve të ndryshme , vecanërisht ato metabolike si obeziteti, diabeti, hiperlipidemia, hipertensioni arterial dhe problemet kardiovaskulare. Po ashtu kontibuon në zgjimin e riskut të predispozicionit genetik. Ky stili jetese mund të influencojë dhe në zhvillimin e sëmundjeve atopike. Ndryshimet klimatike, mbas masakrimit që ju bë natyrës dhe ambjentit, kthen revanshin me anomalitë e saj dhe rritjen e agjentëve patogenë. Mbetet problematike kultura e mbledhjes me kujdes, të mbeturinave dhe materialeve inerte dhe disa nuk e kuptojnë se dëmtojnë mikroklimën dhe rrisim prevalencën e sëmundjeve alergjike dhe ato pulmonare, vecanërisht të moshave të reja dhe kontigjenteve me rezistencë të ulët. Gjithashtu jeta moderne eshte e lidhur me intensifikimin e përhapjes të viruseve të (pa) njohura, në një kapitull të ri. Theksohet se :“Jeta moderne është kompaktësia e heshtur e njerëzve komfort, për të ruajtur pretendimet “…Sa aktuale dëgjohet! Mbetet e rëndësishme të bëhen ndryshimet e duhura në stilin e jetesës moderne, për të reduktuar ndikimin negativ mbi shëndetin. Jeta aktive, një dietë e ekuilibruar dhe modele efikase të çlodhjes dhe antistres, në një lifestyle të rinovuar janë disa nga hapat efektivë që duhet të ndërmerren. Disa faktorë risku për statusin e shëndetit janë “ të modifikueshëm ”, sepse mund të eliminohen, ose të reduktohen nëpërmjet vetmenaxhimit, ndryshimit të sjelljes tonë, ose nëpërmjet ndryshimeve të mjedisit. Stilin e jetës moderne nuk mund ta ndash nga përparimet në teknologji, globalizmin dhe ndryshimet në normat sociale, ekonomike dhe kulturore, ndaj të cilave kualiteti shëndetësor nuk është indiferent. Teknologjia ka një ndikim të dobishëm në jetën tonë duke ofruar komfortin, duke e bërë jetën më të lehtë, por dhe duke reduktuar maksimalisht aktivitetin fizik. Është vendimtare të keni një mënyrë jetese të shëndetshme dhe të ruani ekuilibrin e duhur midis shëndetit dhe stilit të jetesës moderne. Mos e ngarkoni jetën tuaj me mbistrese, pra mos e humbisni kohën, duke jetuar jetën për të tjerët. Me zbulimin e sekreteve të trupit tuaj, përparësitë dhe dobësitë , vecantitë e tij, mund të ndërtoni strategjinë e stilit tuaj të jetesës. Mundet BioGeometria, si fluks i fizikës moderne, nëpërmjet rezonancës të krijojë , një balancë harmonije midis cilësisë të energjisë biologjike , të mjedisit dhe të teknologjisë, duke ndryshuar perceptimin dhe mënyrën e të menduarit ! Mentaliteti modern i vërtetë, karakterizon oportunitetin për një udhëtim transformues dhe eksplorues , me ofrimin e një konceptimi tjetër, interesant të jetës, i adaptuar në një stil jete të shëndetshme, por i koncentruar mbi vlera dhe principe. Citimi i referencës në vazhdim, mbase sugjeron rrugëdaljen: “Vetëm nëse qëndroni besnik ndaj vetes, ndaj vizionit dhe vlerave tuaja, ju mund të ndikoni fuqishëm në jetën moderne ”.